LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ukraina do më shumë armë/ Por tani SHBA-ja dhe Europa po hezitojnë

18 Korrik 2022, 10:49, Blog CNA

Ukraina do më shumë armë/ Por tani SHBA-ja dhe Europa po

Kievi do të donte që dërgesat e armëve nga Perëndimi të ishin më të shpejta, sidomos ato të sistemeve të artilerisë me rreze të gjatë goditëse, dhe të armatimeve më të sofistikuara që janë dëshmuar shumë efektive në përballjen e pushtimit rus.

Në fakt dërgesat e armëve po mbërrijnë në Ukrainë “me pikatore". Por ky nuk është problemi i vetëm që lidhet me dërgimin e armëve perëndimore atje. Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane që po i mbështesin ukrainasit që nga fillimi i konfliktit, po hezitojnë të dërgojnë shumë pajisje të tjera, përpara se ushtarët ukrainas të mund të trajnohen për t’i përdorur ato.

Pentagoni është i shqetësuar për shterimin e mundshëm të rezervave të tij në muajt e ardhshëm. Kjo pasi ritmet e larta të harxhimit të predhave të artilerisë, kërkojnë hapjen e shpejtë të linjave të reja të prodhimit. Ndërkohë, sistemet e avancuara teknologjikisht, siç janë raketat antitank “Javelin” apo edhe sistemi i lëshimit të shumëfishtë të raketave “Himars”, kërkojnë kohë për t’u ndërtuar.

Ukraina do më shumë armë/ Por tani SHBA-ja dhe Europa po

Prandaj rreziku i mbarimit të rezervave të SHBA-së, ngre një pyetje serioze në Pentagon në lidhje me qëndrueshmërinë e mbështetjes së Ukrainë në këtë konflikt, gjë që në termat afatgjatë mund të vërë në rrezik potencialin luftarak të SHBA-së, dhe për rrjedhojë edhe aftësinë për të qenë një mjet efektiv parandalues.

Për shembull, stoqet e “Javelin” kanë filluar të mbarojnë. Kjo duke pasur parasysh numrin e madh të atyre që janë dërguar në Ukrainë (rreth 7 mijë). Dërgesat e deritanishme drejt Kievit, kanë konsumuar aktualisht një të tretën e stoqeve amerikane të kësaj rakete antitank.

Dhe shkalla e prodhimit nga ana e kompanisë “Lockheed-Martin” është 2.100 copë në vit (por duket se mund të arrijë edhe deri në 4.000). Ukraina pretendon se përdor rreth 500 predha “Javelin” në ditë, dhe në këtë aspekt llogaritë janë të qarta: brenda 14 ditësh përdorim intensiv, rezervat ukrainase të raketave do të mbaronin, dhe prodhimi amerikan nuk do të mjaftonte për t’i zëvendësuar ato.

Problem mbetet edhe trajnimi i ushtrisë ukrainase me armët perëndimore. Kështu trajnimi i personelit të ushtrisë së Kievit për përdorimin e Himars zgjat 20-30 ditë. Dhe gjatë kësaj kohe, largimi i shumë specialistëve kryesorë të artilerisë nga vija e frontit, mund ta dobësojë mbrojtjen ukrainase, duke i dhënë mundësi rusëve të përshpejtojnë përparimin e tyre, dhe ta bëjnë më të vështirë realizimin e çdo lloj kundërsulmi në të ardhmen.

Ukraina do më shumë armë/ Por tani SHBA-ja dhe Europa po

Shtetet e Bashkuara po mbështesin Kievin me 54 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare, dhe kanë dërguar deri më sot mbi 7 miliardë dollarë armë të marra nga rezervat e mbrojtjes. Nga ana tjetër, prodhimi për t’i zëvendësuar ato sasi nuk është përshpejtuar ende.

Paketa e ardhshme e ndihmës do të përfshijnë 4 Himars të tjerë, që do t’i bashkohen 8 të tillëve që janë tashmë të pranishëm në front, raketa anti-anije Harpoon dhe predha artilerie “Excalibur”, të cilat kanë një saktësi shumë të madhe. Për momentin mungon dërgimi i dronëve apo i avionëve me pilotë, pasi konsiderohet si një burim i mundshëm  i përshkallëzimit të tensioneve Uashington-Moskë.

Përveç problemit të trajnimit të gatë që kërkojnë armët perëndimore, sfidë mbetet edhe vështirësia e madhe e dërgimin e tyre në Ukrainë, pa hasur në reagimin ushtarak të Rusisë, e cila më shumë gjasa do ta zgjeronte konfliktin aktual.

Po ashtu e dimë se për disa sisteme armësh si dronët “kamikaze”, ushtria ukrainase preferon të mbështetet tek sistemet vendase, pasi nuk janë mësuar të përdorin dronet “Switchblades” të dërguar nga Shtetet e Bashkuara. Problem më vete është edhe heterogjeniteti i armatimeve perëndimore të dërguara në Ukrainë.

Ushtria ukrainase nuk është pajisur asnjëherë me sisteme artilerie të tipit perëndimor, dhe bazohet vetëm tek ato të prodhimit rus ose vendas. Si për shembull raketat BM-21 “Grad”, ose artilerinë vetëlëvizëse. Përdorimi i sistemeve si M-777, ose francezet “Caesar”, kërkon dërgimin e furnizimeve me municione.

Pas gati 5 muajsh, lufta në Ukrainë po kalon një moment kritik. Ukraina po e sheh pakësimin e furnizimeve të saj me armatime, dhe nuk ka një industri që mund t’i zëvendësojë ato. Nga ana tjetër, ajo po pëson humbje të rënda nga pikëpamja njerëzore (100-200 ushtarë ukrainas kanë vdekur çdo ditë që kur Rusia filloi fazën e dytë).

Nga ana tjetër Moska po has shumë vështirësi, pasi vlerësohet të ketë humbur 80.000 burra, nga të cilët 20.000 të vrarë në luftime. Gjithsesi, rezervat e rusëve janë shumë më të mëdha se ato ukrainase, dhe Kremlini është i vetëdijshëm se kohëzgjatja e këtij konflikti është në favorin e vet.

Për të rindërtuar me shpejtësi ushtrinë e saj, Rusia duhet të shpallë mobilizimin e përgjithshëm. Por që ta bëjë këtë duhet të deklarojë gjendjen e luftës, akt të cilin vështirë se do ta bëjë presidenti Vladimir Putin.

Fakti që Kremlini nuk ka zgjedhur të përdorë këtë mundësi, do të thotë se po fokusohet te faktori kohë për të fituar konfliktin, duke besuar jo vetëm te mundësia për ta mbështetur luftën përmes riaktivizimit të mjeteve të vjetruara “në rezervë”, por shpreson edhe në ndryshimin e opinionit publik perëndimor.

Në Europë, sanksionet kundër Rusisë kanë pasoja te çmimet e energjisë, dhe për rrjedhojë në të gjithë zinxhirin e prodhimit, përfshirë ushqimet. Ndaj, Presidenti Putin supozon se në planin afatgjatë, qeveritë perëndimore do ta përballen me pakënaqësitë të brendshme, dhe kësisoj do të detyrohen të ndërpresin mbështetjen e tyre ndaj Kievit. Kjo gjë do ta lejonte Moskën të përshpejtonte ndjeshëm fushatën e saj ushtarake në Ukrainë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga