LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Hijet e Ergys Agasit, kërcënimi i një biznesmeni dhe aksioni për të heshtur

7 Mars 2024, 09:26, Editorial CNA
Hijet e Ergys Agasit, kërcënimi i një biznesmeni dhe aksioni
Ergys Agasi

Ditën e shtunë, CNA publikoi një shkrim shumë etik, me detaje, me të dhëna se Ergys Agasi ishte bërë një nga njerëzit më të rëndësishëm në krah të kryeministrit, zhvillonte takime private me të, emëronte dhe shkarkonte njerëz në administratë, nga drejtorë hipotekash te drejtorët e kufirit.

Ne zbuluam disa fakte pa asnjë tendencë, pa asnjë sulm personal, një shkrim etik, pa asnjë sulm politik, raportim profesional me fakte konkrete.

Por çfarë ndodhi?

Pas publikimit të një shkrimi filloi ndërhyrja e madhe, si kurrë ndonjëherë më parë.

Biznesmenë, deputetë, ish-deputetë, ish-ministra, PS, PD, opozitë, pushtet, në të gjitha anët ndërhyrje dhe ndërhyrje për të mos shkruar apo për ta menduar mirë kur shkruanim për Ergys Agasin, e të tjera si këto.

Në fakt, në rrjetet sociale kishte reagime, normale disa pro e disa kundër, por ajo që binte më shumë në sy ishte stresi i një biznesmeni, një biznesmen që u shfaq në telefon ditën e shtunë dhe u “qërua” prej tij ditën e martë pasdite.

Kërcënimi i një biznesmeni

Biznesmeni S. M. (i produkteve të mishit), i cili telefononte nga jashtë ditën e shtunë dhe pretendonte se duhet të shkonte deri në Gjermani, për shkrimet e bëra, për ta pritur qoftë edhe 5 minuta në aeroport.

E gjithë historia bëhet edhe më banale, kur biznesmeni të hënën u thotë miqve të tij se po e ndiqnin gazetarin në Gjermani në një park. Pikërisht atë që gazetari ia kishte thënë biznesmenit S. M., ai ua thoshte personave të tretë për të çuar mesazh.

Pa shkuar më tej te mohimi i gjithçkaje, pranimi, duke pasur qasjen e një njeriu të çuditshëm që diku ishte peng dhe kishte një problematikë të caktuar dhe nuk tregonte pse ndërhynte dhe çfarë interesash kishte në lidhje me shtetasin Ergys Agasi.

Hijet e Ergys Agasit, kërcënimi i një biznesmeni dhe aksioni
Ergys Agasi

Tezat e pavërteta

Gjithashtu, V. A., një i afërm i Ergys Agasit, shkon dhe takon një njeri politik të opozitës për të përçuar një mesazh se redaksinë tonë po e paguante një nga ministret e Edi Ramës, sepse na qenka Asambleja e Përgjithshme më 16 mars dhe prandaj ndodhte ky sulm.

Ne do pushonim, s’do të shkruan më pasi nja dy “kamikazë” ishin nisur për të zgjidhur gjithçka dhe kjo lidhej edhe me heshtjen tonë gjatë këtyre orëve.

Nga ana tjetër, një tezë tjetër qarkullonte se shkrimet tona ishin bërë me qëllim për shkak të gjyqit famoz në “Top Channel” dhe ndërhyrjes në Gjykatën Kushtetuese apo lëvizjet e mundshme, takimet dhe udhëtimet e Ergys Agasit me Lori Hoxhën.

Nuk shpëtoi dhe një nga ministrat më të rëndësishëm të Ramës nga akuza se po sillte informacione te CNA.

Pra kaq i rëndësishëm ishte Ergysi, sa gjithë qeveria po sillej sikur ne ishim kryeministri. Ne nuk bëmë asgjë speciale, thjesht raportuam disa informacione politike.

Në fakt duken qartë intrigat e korridoreve politike të Tiranës, aty ku luftohet kush e do më shumë Edi Ramën, kush bën më shumë skema, dhe kush gjen më shumë armiq që po dëmtojnë kryeministrin tonë të lavdishëm, që marrtë nga ditët e servilëve sa më shumë pushtet.

Hijet e Ergys Agasit, kërcënimi i një biznesmeni dhe aksioni
Kryeministri Edi Rama

Ajo që ishte më e çuditshme ishte kërcënimi i biznesmenit dhe ekspozimi i tij, ndërkohë që të tillë skenarë duken si hall i madh i dikujt për një problematikë të patreguar.

Dyshimet që ngrejnë shqetësimet

Gjithsesi, shumë nga këta individë kanë punën e tyre, kanë të drejtë të mendojnë, të shpikin intriga, ne jemi në të drejtën tonë t’i shkojmë të vërtetës deri në fund, me etikë, pa cënuar askënd, pa fyer askënd, pa pasur asnjë çështje personale me askënd dhe duke i thënë publikisht edhe zotit Agasi që nuk ka pse të shqetësohet me shkrimet tona.

Fakti që shqetësohet shumë na bën të dyshojmë pse kur ne kemi thënë disa të vërteta dhe ajo që na bën më shumë çudi është dhe arsyeja që askund nuk gjetëm ndonjë shkrim pro apo kundër tij si një pol i ri dashurie i Edi Ramës.

Këto rreshta i kemi shkruar më shumë edhe për të treguar se nuk është keq që miqtë ndërhyjnë, kërkojnë mbështetje apo sqarim, por përzierja me llum kërcënimesh apo intriga se shkrimet janë porositur nga dikush apo një tjetër janë thjesht gënjeshtra. Raportimet në gazetari mund të jenë edhe ndryshe.

Për ata që mendojnë se CNA u shërben interesave të dikujt e kanë shumë gabim.

Së pari, duhet ta mësojnë njëherë e mirë se kush ka ndërhyrë te CNA e ka marrë përgjigjen.

Së dyti, interesi ynë i vetëm është e vërteta dhe vetëm e vërteta, me etikë, me fakte dhe me dokumente siç janë me dhjetëra e dhjetëra çështje që ne kemi trajtuar.

Hijet e Ergys Agasit, kërcënimi i një biznesmeni dhe aksioni
Ergys Agasi

Për pozicionime politike apo lojëra këto mund t’i gjeni te mediat e pushtetit apo dhe në mbi 90% të mediave në Shqipëri, pasi dhe gjobat, dhe shantazhet, dhe interesat e llumit të brendshëm të Rilindjes i bëjnë vetë mediat e saj. Rilindja dhe pronarët e saj mediatikë shkojnë deri në qoshe anonime gjobaxhinjsh që fshihen nga drejtësia, portale që hapen nga pronarë të mëdhenj duke i fshehur për të çuar mesazhe gjobash në biznesmenë, apo të tjerë që marrin porosi nga zyra e kryebashkiakut Erion Veliaj, që ka uzurpuar shumicën e mediave në Shqipëri.

Ndaj, këto kërcënime, shantazhe, sjelljet me akuza dhe sulme na vijnë nga njëri vesh dhe na dalin nga veshi tjetër.

Përkundrazi, me të tilla sulme, me të tilla akuza, me të tilla kërcënime jemi rritur edhe më shumë, kemi edhe më shumë besim te forca jonë, tek e vërteta dhe përballë askujt si nga mesazhet e dajos V. L. që kërkonte të mos e bënim armik kot sepse po thoshim të vërtetën.

Hijet e Ergys Agasit, kërcënimi i një biznesmeni dhe aksioni
Ergys Agasi

Le pastaj të stepemi, nuk kemi për të bërë asnjë hap pas përkundrejt çfarëdo intrige apo kërcënimi, si në rastin e biznesmenit S. M., i cili turpësisht pështyu fytyrën e vet.

Çdo telefonatë apo mesazh, me apo pa kod që vazhdon, do të publikohet këtu pa ndalim derisa ta kuptojnë jo vetëm servilët e Ergysit, por edhe të Ramës që me këto forma thjesht po tregojnë sa shumë halle paskan, por ne s’ua u zgjidhim dot./ CNA

Lajmet e fundit nga