LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

FAKTET/ Epoka “Dumani”, në SPAK

15 Mars 2024, 13:10, Editorial Elvi FUNDO
FAKTET/ Epoka “Dumani”, në SPAK
Altin Dumani

Sot kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, mori pjesë në takimin e parë të nismës më të re të dialogut mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes, “IDM Morning Briefing” dhe ai dha disa mesazhe, ku më kryesori ishte se “nuk do të kursejmë askënd”. Pra një mesazh i qartë i Altin Dumanit, drejtuar kastës politike, dosjeve të nxehta të saj.

Një zyrtar i lartë, drejtori i Autoritet Rrugor Shqiptar, u arrestua pak ditë më parë, një drejtor tjetër i rëndësishëm, më kryesori i Bashkisë së Tiranës, është në pranga, vazhdojnë hetimet për inceneratorët, për "check up" dhe për shumë kallëzime dhe denoncime të tjera.

Por le të shikojmë 3 fakte.

Zoti Dumani tha në takim se në 2023-shin janë regjistruar kallëzime sa në 3 vite bashkë. Por çfarë tregon kjo? Së pari, tregon seriozitetin me të cilat trajtohen çështjet dhe kallëzimet e bëra në SPAK.

Ndryshe nga koha e paraardhësit Arben Kraja, i cili masakroi në mënyrën më kriminale dhe më të pashembullt dosjen e inceneratorëve duke e copëtuar dhe ndarë në shumë çështje, Elbasanin më vete, Fierin më vete dhe Tiranën më vete. Pra, nuk e hetoi një grup të strukturuar kriminal apo shumë çështje për zyrtarë të lartë, përfshi kreun e Hipotekave dhe zyrtarët e tjerë, deputetë politikanë të përfshirë për korrupsion i çonte në Prokurorinë e Tiranës për t’u mbyllur dosjet.

Ndryshe nga këto raste, me ardhjen e Altin Dumanit në SPAK janë regjistruar më shumë raste, çështjet hetohen më seriozisht, u shkohet më në themel dhe marrin përgjegjësinë para ligjit të gjithë ata të cilët kanë abuzuar kanë shkelur ligjin dhe vazhdojnë të sillen si xhandarë të pushtetit politik, duke zhvatur xhepat e shqiptarëve të varfër.

Nga ana tjetër, tregon edhe besueshmërinë e madhe të opinionit publik, pikërisht te figura e pastër e Altin Dumanit.

FAKTET/ Epoka “Dumani”, në SPAK
Altin Dumani

Pavarësisht akuzave politike që hidhen nga partitë, Altin Dumani vazhdon të jetë një nga njerëzit më të besueshëm, më me integritet, që qytetarët e shohin dhe e vlerësojnë në maksimum, dhe këtë e tregojnë kallëzimet e çuara, të cilat janë trefishi i viteve më përpara.


Pse ka më shumë kallëzime?

Ka më shumë kallëzime sepse besohet te drejtuesi. Besohet dhe ka shpresë se ka një njeri me integritet, i cili nuk tallet me qytetarët, me kallëzimet e tyre, por i vlerëson ato dhe u jep peshën që u takon përballë ligjit.

Fakti i tretë ka bëjë me një numër të madh hetimesh nga ana e SPAK-ut, pa pasur kallëzime, hetime të filluara kryesisht. Ky është një fakt që dihet botërisht nga ardhja e Dumanit në krye të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 

Këto janë 3 faktet kryesore në lidhje me Altin Dumanin.

Pra, besueshmëria që kanë qytetarët tek ai dhe numri i çështjeve që regjistrohen për t’u trajtuar në dy kohë të ndryshme. Puna e 3 viteve të SPAK-ut, në fillimet e tij me Arben Krajën, duket se ka qenë problematike, ka lënë shumë për të dëshiruar, ndërsa tani po shikojmë një epokë tjetër, me besueshmëri të madhe nga qytetarët dhe me shumë çështje të regjistruara dhe të hetuara./CNA

Lajmet e fundit nga