LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si të mbetesh njeri në kohë lufte

20 Maj 2023, 21:15, Blog CNA

Si të mbetesh njeri në kohë lufte

Në vijën e parë të frontit të luftës ka tmerre pa fund. Por ka edhe një dhembshuritë madhe.

Në qytetet ku po luftohet në Ukrainë, ka gjithmonë shumë kafshë të braktisura - kryesisht qen dhe mace. Dhe megjithëse këto kafshë tashmë janë lënë pas dhe braktisur, ato kërkojnë shoqërinë e njerëzve si dhe ushqim.

Kur ishim të vendosur atje, disa qen endacakë u mblodhën rreth shtabit tonë. Natyrisht, i ushqenim dhe në këtë mënyrë midis nesh nisi të krijohej një marrëdhënie: u dhamë ushqim dhe u vumë emra, ndërsa ata na lejonin që të luanim me ta në kohën e lirë.

Por kur komanda vendosi të tërhiqte njësinë tonë nga zona, kur po paketonim gjërat dhe po afrohej koha për të larguar u ngrit një pyetje e papritur: çfarë të bëjmë me qentë? Komandanti i batalionit mbajti një mbledhje të posaçme mbi fatin e kafshëve shtëpiake dhe në fund vendosëm që t’u gjenim nga një shtëpi.

Morëm në telefon familjet tona, folëm me të afërmit dhe miqtë dhe i transportuam qentë nga Bakhmut tek ata që pranuan t’i adoptojnë. Të gjithë u adoptuan, përveç Zhuzhas. Por në rrëmujën që krijoi lëvizja, e kishim harruar fare atë. Kjo derisa shokët në fund të kolonës e panë duke vrapuar pas makinave.

Zhuzha vrapoi për disa kilometra derisa komandanti i batalionit na kontaktoi në radio dhe urdhëroi të ndalonim. Zbritëm dhe e morëm me vete. Dhe ky nuk është një rast i veçantë. Gati në çdo njësi ushtarake, çdo shtab, çdo llogore, kudo që janë ushtarët ukrainas, ka gjithmonë një qen apo një mace që jeton me ta.

Duke qenë se duhet të përballemi vazhdimisht me tmerret e luftës, duket se duam të ruajmë aftësinë për të ndier dhe për t’u kujdesur në një farë mënyre për dikë. Dhe kafshët na ndihmojnë të ruajmë njëfarë ndjenje dashurie në shpirtrat tanë. Ndonjëherë ato na japin shpresë, na frymëzojnë.

Rreth nesh fishkëllejnë vazhdimisht plumbat, shpërthejnë pafund predha, dhe atmosfera është e frikshme. Por pastaj, papritmas, një “top” i mbuluar me qime vjen drejt teje, të struket në duart dhe nis të të gërvishtë. Dhe në atë moment, së bashku me ngrohtësinë e trupit të kafshës, ti ndjen edhe shpresën, se gjithçka do të jetë mirë, se nuk je vetëm, se pranë teje ka një jetë tjetër, ndaj duhet të vazhdosh të luftosh.

Për më tepër, kafshët në front na ndihmojnë të luftojmë. Një qen që jeton me ushtarët në një llogore e dëgjon dhe e sheh armikun natën shumë më mirë se ne. Më shumë se një herë, qentë na kanë lajmëruar, duke lehur, duke na shpëtuar nga njësitë sabotuese të armikut.

Edhe macet kryejnë një mision shumë të rëndësishëm. Ato kapin minjtë që jo vetëm që na prishin ushqimin dhe uniformat, por na mbajnë zgjuar teksa vrapojnë përreth nesh. Gjatë luftës, gjumi është i paçmuar. Një ushtar i privuar nga gjumi mendon më ngadalë, është shpesh nervoz dhe gjaknxehtë, bën gabime.

Dhe meqë vigjilenca jonë është e lartë, ne i përgjigjemi automatikisht çdo zhurme, përfshirë zhurmave që bëjnë minjve. Pra, nëse pozicioni apo shtabi ynë është i vendosur në një shtëpi të vjetër, ose afër një fushe, brejtësit mund të bëhen një problem i vërtetë. Dhe këtu hyjnë në rol macet.

Unë përpiqem të mbaj gjithmonë me vete disa ushqime për kafshët shtëpiake dhe të ushqej shokët tanë me gëzof. Dhe duke e ditur që kujdesem për kafshët, miqtë, donatorët dhe vullnetarët më dërgojnë shpeshherë pako me ushqime për kafshët shtëpiake.

Shokët e mi më thoshin shpesh se nuk mund t'i ushqeja të gjitha kafshët. Mjerisht, kjo është e vërtetë. Nuk mund t’i shpëtoj dot të gjitha. Por është interesante, që duke parë dashurinë që marr nga qentë dhe macet, edhe shokët e mi ushtarë kanë zhvilluar gjithashtu një dashuri për këto kafshë dhe mbajnë me vete pako me ushqime për kafshët shtëpiake.

Zbuluesi ynë Jevgeni, që më parë nuk i kushtonte shumë vëmendje kafshëve, madje mori një mace me vete gjatë disa ditëve leje që kaloi tek familja e tij në Pokrovsk. Por në front ka edhe  shumë histori pa një fund të lumtur. Tek e fundit, lufta është luftë. Dhe në të nuk vriten vetëm njerëzit, po ashtu edhe kafshët.

Por edhe pse vdekjet e tyre nuk janë të regjistruara, ato nuk janë harruar. Pak kohë më parë, një nga njësitë tona në Bakhmut strehoi një qen, i cili u pranua shpejt si anëtar i kompanisë. Gjatë granatimeve, ai fshihej dhe zhytej me ushtarët në llogore dhe gropa.

Ne thoshim me njëri-tjetrin se ai na shërbente si psikolog, duke na e lehtësuar stresin. Sapo e fërkonim tek qafa, ndiheshim menjëherë më mirë. Por një ditë, gjatë bombardimeve të rënda nga rusët, ai u plagos. Djemtë u përpoqën ta ndihmonin, por nga tronditja që pësoi qeni u largua. Askush nga ne nuk e pa më. Me sa duket, ai ka vdekur diku i vetëm.

Dhe kur djemtë e ritregojnë këtë histori, është e qartë se ata e përjetojnë atë si një humbje të madhe. Sikur po vajtojnë një shokun e tyre ushtar, një qënie që e donin shumë. Shoku im Artem dhe unë bëmë një tjetër shok me katër këmbë. Ndodheshim në një fshat të largët, afër vijës së frontit.

Nuk kishte dritë dhe as dyqane. Duhej të qëndronim atje derisa të përfundonim një detyrë, të cilën nuk e kishim idenë se sa kohë do të zgjaste. Furnizimet tona ushqimore përfshinin racione luftarake dhe rreth gjysmë kilogram Brühëurst.

Nuk e kishim idenë nëse kjo mjaftonte për misionin, por çdo mbrëmje, Artemi priste pak bukë, e përziente me pak ujë dhe qull, e priste imët copën e salsiçes dhe ia jepte qenit që gjetëm ato. Si ka mundësi? Një burrë është gati t’i japë ushqimin e tij të fundit një qeni që nuk është as i veti. Pse? Ndoshta për të mbetur njeri. Që të ketë pak më shumë mirësi në botën tonë. Që të mund të ruajmë dëshirën për të jetuar.

Shënim:Yegor Firsov, është një mjek ushtarak që është i angazhuar në frontin e në Avdivkas, Ukrainë. Ai është një aktivist dhe një ish-deputet i parlamentit të Ukrainës./ Përshtatur nga CNA.al

 

Lajmet e fundit nga