LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kujdes! Pedofilët përdorin kamerat e kompjuterave për të ngacmuar të miturit në internet

7 Maj 2023, 22:30, Blog Eden Kamar & Christian Jordan Howell

Kujdes! Pedofilët përdorin kamerat e kompjuterave për të

Sipas fondacionit ‘Internet Watch’, që nga viti 2019 ka pasur një 10-fishim të imazheve të abuzimit seksual të krijuara nga kamerat e lidhura me internetin apo pajisje të tjera regjistrimi në mbarë botën. Faqet e mediave sociale dhe dhomat e bisedave (Chat Room) janë metodat më të zakonshme që përdoren për të lehtësuar kontaktin me fëmijët.

Dhe abuzimi ndodh si në internet po ashtu edhe jashtë tij. Gjithnjë e më shumë, pedofilët po përdorin përparimet e teknologjisë për të ngacmuar seksualisht fëmijët. Pasi të ketë fituar akses në kamerën e celularit apo kompjuterit të një fëmije, ai mund ta përdorë atë për të regjistruar, prodhuar dhe shpërndarë pornografinë me fëmijë.

Ne jemi kriminologë që studiojmë krimin kibernetik dhe sigurinë kibernetike. Stydimi ynë i fundit synoi të shqyrtojë metodat që përdorin pedofilët në internet për të depërtuar në kamerat pas hijeve online që përdorin fëmijët. Ne u prezantuam në internet si fëmijë për të vëzhguar pedofilët aktivë në rrjet.

Filluam duke krijuar disa chatbot të automatizuara të maskuar si vajza 13-vjeçare. Ne i vendosëm këto chatbot si karrem për pedofilët në internet në dhoma të ndryshme bisedash që përdoren shpesh nga fëmijët për shoqëri më bashkëmoshatarët. Ato nuk filluan asnjëherë biseda dhe u programuan për t’iu përgjigjur vetëm përdoruesve që identifikoheshin si mbi 18 vjeç.

Ne i programuam robotët që të fillonin çdo bisedë duke treguar moshën, gjininë dhe vendndodhjen e tyre. Kjo është një praktikë e zakonshme në kulturën e chatroom-it, dhe siguroi që bisedat e regjistruara ishin me të rritur mbi moshën 18 vjeç, të cilët me vetëdije dhe dëshirë po bisedonin me një të mitur.

Megjithëse është e mundur që disa subjekte të ishin të mitur dhe të prezantoheshin si të rritur, studimet e mëparshme tregojnë se pedofilët në internet zakonisht shfaqen si më të rinj në moshë nga sa janë në të vërtetë, dhe jo më të vjetër.

Në total, chatbot-et tanë regjistruan 953 biseda me të rritur të vetë-identifikuar si të tillë, të cilëve iu tha se po flisnin me një vajzë 13-vjeçare. Gati të gjitha bisedat ishin të natyrës seksuale me theksin tek kamerat. Disa prej tyre ishin të qartë në dëshirat e tyre dhe ofruan menjëherë pagesë për videot e fëmijës duke kryer veprime erotike.

Të tjerë u përpoqën të merrnin prej tyre video me premtime për dashuri dhe marrëdhënie në të ardhshmen. Përveç këtyre taktikave të përdorura zakonisht, ne zbuluam se 39 për qind e bisedave përfshinin një lidhje të pa kërkuar. Po ashtu kryem një hetim mjeko-ligjor të lidhjeve dhe zbuluam se 19 për qind (71 lidhje) ishin të shoqëruara me një virus malware, 5 për qind (18 lidhje) çuan në uebsajte-karrem që synonin të hakeronin pajisjet e fëmijëve dhe 41 për qind (154 lidhje) ishin të lidhura me një platformë video-konferencash nga një kompani në Norvegji.

Për ne ishte menjëherë e qartë se si disa nga këto lidhje mund të ndihmonin një pedofil të viktimizonte një fëmijë. Pedofilët në internet përdorin virusin malware për të komprometuar sistemin kompjuterik të një fëmije dhe për të fituar qasje në distancë në kamerën e tyre të internetit.

Faqet-karrem përdoren për të mbledhur informacione personale, të cilat mund ta ndihmojnë pedofilin në viktimizimin e objektivit të tyre. Për shembull, sulmet me këtë metodë mund t’i japin një ngacmuesi qasje në fjalëkalimin e kompjuterit të një fëmije, i cili mund të përdoret për të kontrolluar nga distanca kamerën e fëmijës.

Në fillim, ishte e paqartë pse platforma Whereby ishte e preferuar nga pedofilët. Por pas investigimeve të mëtejshme, zbuluam se pedofilët mund të shfrytëzonin funksione të njohura në platformën Whereby për të parë dhe regjistruar fëmijët pa pëlqimin e tyre.

Kjo metodë sulmi mund ta thjeshtojë abuzimin seksual në internet. Shkelësi nuk ka nevojë të jetë teknikisht i zgjuar apo një manipulues për të fituar qasje në kamerën e internetit të një fëmije. Ndërkohë dikush që është në gjendje ta bindë një viktimë të vizitojë një faqe në dukje të padëmshme, mund të fitojë edhe kontrollin e kamerës së fëmijës.

Pasi të ketë qasje tek kamera, një grabitqar mund ta dhunojë fëmijën duke e parë dhe regjistruar atë pa pëlqimin e tij. Bazuar në analizën tonë, është e mundur që grabitqarët të  përdorin Whereby për të kontrolluar kamerën e internetit të një fëmije, duke futur një transmetim të drejtpërdrejtë të videos në një faqe interneti që ata zgjedhin.

Ne kryem një test me një llogari të integruar në Whereby, e cila tregoi se host-i i llogarisë mund të ngulitë kodin që i lejon atij të ndezë kamerën e vizitorit. Testi konfirmoi se është e mundur të ndizet kamera e një vizitori pa dijeninë e tij. Nga ana tjetër nuk kemi gjetur asnjë provë që sugjeron se platformat e tjera kryesore të video-konferencave, si Zoom, BlueJeans, WebEx, GoogleMeet, GoTo Meeting dhe Microsoft Teams, mund të shfrytëzohen në këtë mënyrë.

Kontrolli i kamerës dhe mikrofonit të vizitorit është i kufizuar brenda platformës Whereby. Aty ka ikona që tregojnë se kur kamera dhe mikrofoni janë të ndezura. Megjithatë, fëmijët mund të mos jenë të vetëdijshëm për treguesit e kamerës dhe mikrofonit, dhe do të rrezikoheshin nëse ndërrojnë skedat e shfletuesit pa dalë nga platforma Whereby ose pa e mbyllur atë skedë.

Në këtë skenar, një fëmijë nuk do të ishte në dijeni se bashkëbiseduesi po kontrollonte kamerën dhe mikrofonin e tij. Ndërgjegjësimi i fëmijëve është hapi i parë drejt një hapësire kibernetike të sigurt dhe të besueshme.

Ne po i raportojmë këto metoda sulmi, në mënyrë që prindërit dhe politikë-bërësit të mund të mbrojnë dhe edukojnë një popullatë ndryshe të cënueshme. Tani që kompanitë e platformave të video-konferencave janë të vetëdijshme për këto shfrytëzime, ato mund të rikonfigurojnë platformat e tyre për të shmangur një shfrytëzim të tillë.

Ekzistojnë disa mënyra se si njerëzit mund t’ju spiunojnë përmes kamerës suaj. Si fillim, mbuloni gjithmonë kamerën e internetit të fëmijës suaj. Edhe pse kjo nuk parandalon abuzimin seksual, i pengon pedofilët grabitqarët të spiunojnë nëpërmjet një kamere.

Po ashtu duhet të monitoroni aktivitetin e fëmijës tuaj në internet. Anonimiteti i ofruar nga faqet e mediave sociale dhe dhomat e bisedave që lehtësojnë kontaktin fillestar, mund të çojnë në abuzim seksual në internet. Të huajt në internet mbeten po të tillë, prandaj mësojeni fëmijën tuaj për rrezikun që vjen nga të panjohurit./ “The Conversation” - Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga