LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rinia e Amerikës po jeton dhe po vdes nga armët, çfarë duhet bërë

16 Maj 2023, 08:47, Blog CNA
Rinia e Amerikës po jeton dhe po vdes nga armët, çfarë
Foto ilustruese

Ashtu si shumë të rinj në Amerikë, jetët tona janë të njollosura përgjithmonë nga viktimat e pafajshme të epidemisë së dhunës së armëve. Por në vend se t’i nënshtrohemi mpirjes nga dhimbja, dhe ta përshkruajmë dhunën me armë si diçka të pashmangshme, ne e kemi kthyer pikëllimin tonë në forcë, dhe forcën në veprim.

Lufta për sigurinë e armëve, është një vendim që të rinj të panumërt kanë marrë bashkë me ne, dhe është një vendim më se i nevojshëm për rininë amerikane. Njëri prej nesh nuk e dinte se një adoleshent, të cilit i ishte neveritur vetja, bleu një pushkë të stilit AR-15 dhe kreu një masakër në shkollën e tij ditën e Shën Valentinit në vitin 2018, duke i marrë jetën edhe motrës së tij, Carmen Schentrup, dhe 16 të tjerëve në Parkland.

Ndërkohë moshën 10-vjeçare, tjetri nuk priste të shpërngulej në një qytet që ishte traumatizuar kohët e fundit nga një masakër tjetër në shkollë, dhe të dëshmonte pasojat e dhimbshme që la ajo ngjarje në komunitet. E megjithatë, historitë tona nuk janë aspak unike.

Armët e zjarrit janë sot shkaku kryesor i vdekjes për fëmijët dhe adoleshentët në SHBA, duke i tejkaluar të gjitha shkaqet e tjera të vdekjes. Dhe kjo nuk është e habitshme, duke pasur parasysh se sa pak kufizime vendosin shumë shtete për pronësinë e armëve të zjarrit.

Në shumë shtete, është më e lehtë të pajisesh me një armë zjarri sesa të marrësh patentën dhe të blesh një makinë. Kjo është një zgjedhje vdekjeprurëse që e kanë bërë udhëheqësit tanë.

Duke qenë vetë të rinj, ne e kuptojmë se sa e rrezikshme është të armatosësh rininë ende në zhvillim me armë kaq vdekjeprurëse.

Nga masakrat e Sandy Hook, Parkland, Uvalde dhe kaq shumë komuniteteve të tjera në të gjithë vendin që pakkush i mban mend, të rinjtë kanë qenë në të dyja anët e ngjarjes. Në vitin 2020, 26 për qind e viktimave të vrasjeve me armë ishin të moshës 18-24 vjeç, pavarësisht se përbënin vetëm 9 për qind të popullsisë.

Vetëvrasja me armë zjarri është veçanërisht shkatërruese. Një adoleshent amerikan vdiq mesatarisht çdo 7 orë gjatë viteve 2019-2020, i vetëvrarë me armë. Shumë shpesh, të rinjtë lëndohen dhe vriten duke vendosur tytën e armës në kokë apo tëmth, dhe janë po ata që tërheqin këmbëzën.

Kjo është një situatë e papranueshme. Aktualisht parlamenti i shtetit të Teksasit po debaton për rritjen në 21 vjeç të moshës minimale për të blerë disa lloje pushkësh gjysmautomatike, një përpjekje kjo e përkrahur edhe nga familjet e viktimave në Uvalde.

Megjithëse përballet me dështim pothuajse të sigurt në një legjislaturë armiqësore ndaj zotërimit të përgjegjshëm të armëve. Në Florida, po zhvillohet një betejë e kundërt, teksa ligjvënësit po kërcënojnë të ulin moshën e blerjes së armëve të zjarrit nga 21 në 18 vjeç, duke përmbysur ligjin e miratuar pas masakrës në Parkland.

Megjithatë, 23 shtete dhe Uashingtoni lejojnë tashmë blerjen e armëve të zjarrit sapo dikush mbush 18 vjeç. Ndërkohë, studim pas studimi po tregon se sa efektive është rritja e moshës minimale në frenimin e dhunës me armë, duke përfshirë frenimin e ndjeshëm të vetëvrasjeve me armë zjarri te të rinjtë.

Nëse shqetësohemi vërtet për shpëtimin e jetëve të fëmijëve tanë, atëherë duhet të luftojmë për rritjen e moshës minimale. Pra, ne i jemi drejtuar avokatisë për të luftuar pikërisht për këtë. Tani jemi menaxherë organizativë në “Team ENOUGH” dhe konsulentë juridikë në lëvizjen “March For Our Live”.

Kohët e fundit, bashkuam forcat, së bashku me “Junior Newtown Action Alliance”, për të formuar Koalicionin Rinor Gjyqësor për Parandalimin e Dhunës me Armë: një ekip me të rinj që u kanë mbijetuar ngjarjeve të tilla, aktivistë, avokatë të sprovuar, dhe deputetë që trajtojnë çështjet e Amendamentit të Dytë që ndikojnë te të rinjtë.

Kur flitet për çështjet e të rinjve, nuk ka avokat më të mirë sesa vetë ata. Prandaj ne e mbrojmë Kushtetutën dhe të drejtën e të rinjve për të mos u qëlluar me armë. Është një imperativ moral për udhëheqësit tanë në çdo nivel, që t’i mbrojnë të rinjtë nga dhuna me armë, dhe gjykatat në të gjithë vendin kanë rënë dakord për këtë.

Ne e dimë se ligji për sigurinë e armëve, si rritja e moshës minimale, është kushtetues dhe efektiv. E megjithatë, disa ligjvënës refuzojnë të ndërmarrin veprime. Por fakti është se sa më gjatë që ligjvënësit të rrinë në pritje nga frika e padive, dhe të marrin në heshtje para nga lobi i armëve, aq më shumë fëmijë do të struken nga frika e plumbave.

Kjo është një çështje jete ose vdekje. Njerëzit nuk duhet të mjaftohen vetëm me varrosjen e miqve, fëmijëve dhe njerëzve të dashur. Ata duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme kuptimplota për të ndaluar epideminë e dhunës së armëve të zjarrit. Për të arritur në atë pikë, do të na duhet një qasje gjithëpërfshirëse.

Por rritja e moshës minimale është një hap në drejtimin e duhur. Për ne është e dhimbshme të pyesim nëse rritja e moshës minimale, do t’i kishte shpëtuar familjarët dhe komunitetet tona nga dhuna e armëve. Por jemi të palëkundur në shpëtimin e të riut të ardhshëm që të mos vdesë duke parë tytën e armës. Është pikërisht tani koha për të rritur moshën minimale të mbajtjes së armëve në SHBA.

Shënim: Yvin Shin, bashkëpunëtor ligjor në lëvizjen “March For Our Lives”. Robert Schentrup, menaxher në “Team ENOUGH”, dhe vëllai i njërës nga viktimat e masakrës në shkollën e mesme Parkland, Carmen Schentrup./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga