LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dimri po vjen, por Europa nuk po merr masat e duhura kundër krizës energjitike

4 Tetor 2022, 09:09, Blog Brenda Shaffer

Dimri po vjen, por Europa nuk po merr masat e duhura kundër krizës

Europa ka nisur që të dridhet, teksa po përballet me krizën më të rëndë energjetike që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe ndërsa po nis sezoni më i ftohtë i vitit. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Lejen, ka prezantuar një sërë politikash të reja energjetike të Bashkimit Europian, përfshirë kufijtë mbi çmimet, taksat shtesë për prodhuesit e energjisë, krijimin e një banke të re evropiane të hidrogjenit, dhe një mbështetje të re për automjetet elektrike.

Ndërkohë, shtetet anëtare të Bashkimit Europian po shtetëzojnë kompanitë, po diktojnë çmimet e energjisë elektrike dhe subvencionojnë konsumatorët. Por këto politika nuk përfaqësojnë ndonjë distancim domethënës nga politikat që e zhytën kontinentin në kaosin aktual.

Në thelb problemi është se Europa nuk po përballet ende me burimet e krizës së saj të sigurisë energjitike. Ajo preferon të fajësojë më shumë forcat e jashtme për gjendjen e saj aktuale. Von der Lejen dhe udhëheqës të tjerë europianë, përmendin shpesh Rusinë dhe luftën e saj kundër Ukrainës si shkaktare të problemeve energjetike që ka aktualisht Europa. Nuk ka dyshim se ndërprerja e furnizimeve të gazit nga presidenti rus Vladimir Putin i ka përkeqësuar gjërat. Por fakti është se ky do të jetë tashmë dimri i tretë i krizës energjetike të Europës. Në dimrat e viteve 2020-2021 dhe 2021-2022, Evropa përjetoi rritje të konsiderueshme të çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit, por edhe mungesa të këtij të fundit që çuan në rritjen e përdorimit të qymyrit dhe naftës. Politikëbërësit europianë ose nuk e morën parasysh këtë gjë ose preferuan të mos ndryshonin kurs.

Për sa kohë që kaq shumë njerëz në Europë dhe gjetkë, besojnë se kriza ka si shkaktar kryesor Putinin, kjo lë mënjanë politikat që e çuan Europën drejt kësaj krize. Vetëdija se çfarë e shkaktoi problemin, është hapi i parë për ta trajtuar atë. Kriza energjitike e Europës ka qenë në zhvillim e sipër prej 2 dekadash.

Për të pasur një tranzicion të shpejtë nga lëndët djegëse fosile dhe energjia bërthamore tek burimet e rinovueshme, politikëbërësit europianë imponuan ndryshime të thella në furnizimin me energji. Njëkohësisht, ata i shpërfillën parashikimet për një kërkesë të vazhdueshme për naftë dhe gaz, si dhe nevojën për një burim të besueshëm për të mbështetur energjinë diellore dhe atë të erës.

Shumë vende anëtare të BE-së e reduktuan prodhimin vendas të lëndëve djegëse fosile dhe i kufizuan importet e tij, me përjashtimin e dukshëm të gazit që vinte nga Rusia. Gjermania, vend me depozita të mëdha të gazit, e ndaloi procesin e nxjerrjes së gazit nga burimert vendase.

Po kështu bëri Franca dhe vendet e tjera. Gjatë dekadës së fundit, prodhimi vendas europian i gazit natyror është përgjysmuar, dhe sot importet përbëjnë 83 për qind të konsumit të gazit në Europë. Nën presionin e aktivistëve të mjedisit dhe partive të gjelbra, Gjermania dhe disa vende të tjera zgjodhën gjithashtu të hiqnin dorë nga energjia bërthamore pa emetime të karbonit, pavarësisht nga një rekord i sigurisë në këtë fushë.

Sot, kufizimet e propozuara nga BE për çmimet e gazit dhe energjisë elektrike, së bashku me taksat e reja për prodhuesit e energjisë, do të kufizojnë më tej furnizimet duke synuar të mbrojnë konsumatorët nga çmimet e larta, që mund t’i nxisin ata të ulin gradimin e termostatit apo të fikin dritat për të kursyer.

Pra u hoq dorë nga energjia bërthamore dhe ajo e qymyrit. Tani po kufizohet edhe gazi, dhe mospasja e shumë energji alternative nga burimet e rinovueshme ka krijuar pashmangshmërisht krizën që kemi sot. Duke besuar se së shpejti do të jetë në gjendje të bëjë pa gazin, Europa ka anuluar kontratat afatgjata për importet.

Për pasojë kontinenti është sot i “uritur” për gaz, edhe pse është i rrethuar nga disa rezerva më të mëdha të gazit në botë. Jo vetëm në Rusi, por edhe në Afrikën e Veriut, Azinë Qendrore dhe rajone të tjera. BE-ja mund të kishte siguruar lehtësisht qasje tek furnizime të besueshme gazi me çmime të përballueshme, por tani varet nga tregu i lirë shumë i kushtueshëm.

Madje edhe sot që zyrtarët evropianë po shkojnë në çdo cep të botës për burime alternative të gazit, po refuzojnë që të nënshkruajnë kontrata afatgjata. Ndërkohë Europa nuk është përballur ende me pasojat e zgjedhjes së saj për të hequr dorë nga gazi natyror që një dekadë më parë.

Gjatë viteve 1990-2000, gazi ishte karburanti me rritjen më të shpejtë në Europë dhe globalisht. Ai ishte shumë i kërkuar për shkak të ndotjes mjedisore relativisht të vogël dhe deri vonë, për shkak të çmimit konkurrues. Ndërkohë, kalimi nga qymyri tek gazi, ishte mënyra më e shpejtë dhe më e lirë për të reduktuar emetimet e karbonit.

Si rezultat i revolucionit që solli gazit argjilor, Shtetet e Bashkuara i reduktuan me shpejtësi emetimet e karbonit pa ndërhyrjen e qeverisë. Por rreth një dekadë më parë, kampi kundër karburanteve fosile i përshpejtoi fushatat e tij edhe kundër gazit. Rezultati: Europa hoqi gradualisht dorë nga kontratat afatgjata të importit gazit.

Së fundi, tranzicioni i politikë-bërësve injoron parashikimet e kërkesës së vazhdueshme për lëndë djegëse fosile, duke përfshirë transportin, industrinë, ngrohjen dhe energjinë rezervë për erën dhe diellin. Pavarësisht nga matematika, të dhënat dhe një krizë energjetike 2-vjeçare e cila është përkeqësuar ndjeshëm që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, politikëbërësit europianë vazhdojnë ta ndjekin njëri-tjetrin si dele.

Si të mos ketë fare krizë, Holanda njoftoi këtë javë se do të vazhdojë të reduktojë prodhimin e gazit në fushën e madhe të Groningenit. Gjermania po i përmbahet ndalimit të nxjerrjes së gazit argjilor dhe ndërprerjes së punës së centraleve bërthamore.

Ndërkohë  Belgjika mbylli javën e kaluar një termocentral që siguron një pjesë të madhe të nevojave të vendit për energji elektrike, edhe pse belgët po protestojnë në rrugë kundër rritjes së çmimeve të energjisë. Në vend të kësaj qasje, këto vende mund të marrin shembull nga kryeministrja e re britanike Lizz Truss.

Një nga njoftimet e saj të para pas marrjes së detyrës ishte një politikë e re energjetike, përfshirë kërkimet e reja për naftë dhe gaz në det të hapur, dhe anulimin e vendimit për ndalimin e nxjerrjes së gazit argjilor.

Në vend të ndryshimit të kursit, politikë-bërësit evropianë këmbëngulin në rritjen e investimeve në automjetet diellore, të erës dhe elektrike. Europa ka nevojë për një qasje krejtësisht të re në reformimin e tregut të energjisë. Mbi të gjitha, ajo duhet të zëvendësojë urgjentisht ideologjinë me praktikën. Në të kundër, pavarësisht se çfarë bën Putini, evropianët do të përballen me shumë dimra të tjerë krize.

Shënim:Brenda Shaffer, këshilltare për çështjet energjitike në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

08:32 Blog “National Riview”

Kasapët e Iranit

Demonstruesit kanë dalë sërish në rrugë për të sfiduar reg...

Lajmet e fundit nga