web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Vala e re e të nxehtit/ OBSH paralajmëron Europën: Kjo mund të jetë “java më vdekjeprurëse”

7 Korrik 2026, 14:20, Aktualitet CNA

Vala e re e të nxehtit/ OBSH paralajmëron Europën: Kjo mund

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se Europa mund të përballet me "javën më vdekjeprurëse" si pasojë e një vale të re intensive të të nxehtit që po formohet mbi Atlantik.

Sipas parashikimeve, temperaturat në Portugali dhe në jug të Spanjës pritet të arrijnë deri në 43 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim, duke rritur shqetësimet për ndikimin në shëndetin publik.

Drejtori Rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, zhvilloi të hënën një takim emergjent me përfaqësues të 41 vendeve të rajonit, Komisionit Europian dhe organizatave të shoqërisë civile për të analizuar mësimet e nxjerra nga vala e fundit e të nxehtit dhe për të koordinuar masat për përballimin e asaj që pritet të vijë.

Në një deklaratë, Kluge theksoi se vendet që kishin hartuar plane veprimi për mbrojtjen e shëndetit gjatë temperaturave ekstreme reaguan më shpejt dhe arritën të mbronin më mirë qytetarët gjatë valës së nxehtësisë në fund të qershorit.

Ekspertët e klimës e kanë cilësuar periudhën 20-28 qershor si valën më të rëndë të të nxehtit të regjistruar ndonjëherë në Europë. Ajo shkaktoi ndërprerje në prodhimin e energjisë, dëmtime në infrastrukturë dhe mbingarkoi sistemet e kujdesit shëndetësor në disa vende.

Shkencëtarët vlerësojnë se kjo valë ekstreme e të nxehtit është pothuajse me siguri pasojë e ndryshimeve klimatike.

Sipas të dhënave paraprake, Franca, Holanda dhe Belgjika kanë regjistruar rreth 3,700 viktima shtesë gjatë valës së fundit të nxehtësisë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rritet me përditësimin e të dhënave.

Kluge ngriti shqetësimin se grupet më të rrezikuara, si banorët e azileve, personat e pastrehë dhe të moshuarit që jetojnë të izoluar, ende nuk po marrin mbështetjen e nevojshme në mënyrë të qëndrueshme në të gjithë Europën.

"Puna tani zhvillohet në dy fronte: të korrigjojmë mangësitë e evidentuara gjatë javëve të fundit përpara se të godasë vala e ardhshme e të nxehtit dhe të ndërtojmë sisteme shëndetësore që jo vetëm reagojnë ndaj nxehtësisë ekstreme, por janë të përgatitura për të ardhmen", deklaroi Hans Kluge./ CNA





Lajmet e fundit nga