web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Raportuesi për Kosovën në PE: E ardhmja e vendit në BE, por nevojiten reforma

7 Korrik 2026, 14:16, Kosova & Bota CNA

Raportuesi për Kosovën në PE: E ardhmja e vendit në BE, por

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Riho Terras, tha se e ardhmja e Prishtinës është në Bashkimin Europian, por për anëtarësim në bllok kërkohen reforma.

“Po punojmë në këtë drejtim”, tha ai në një postim në "X" pasi zhvilloi takime me udhëheqës politikë në Kosovë.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Terras fillimisht u takua me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Haxhiu kërkoi që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE të trajtohet “pa vonesa të mëtejme”, duke shtuar se përparimi i vendit drejt bllokut europian duhet të vlerësohet mbi bazë të meritave.

“Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Presidenca e Kosovës.

Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Europian. Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka statusin e vendit kandidat.

Gjatë takimit, sipas njoftimit, Haxhiu foli edhe për dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë dhe për “mungesën e përgjegjësisë” për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Në 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Këtë sulm Kosova e konsideron terrorist dhe e fajëson Beogradin. Por, Serbia mohon përfshirjen. Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – teksa Kosova kërkon vazhdimisht që Serbia ta ekstradojë atë.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, eurodeputeti Terras u takua edhe me ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, e vlerësoi rolin e Parlamentit Europian në mbështetjen e aspiratave të Kosovës.

“Republika e Kosovës mbetet e angazhuar maksimalisht për avancimin e rrugës europiane, thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Europian dhe përmbushjen e hapave të nevojshëm drejt integrimit të plotë në BE”, u tha në njoftimin e lëshuar nga MPJD-ja.

Eurodeputeti gjatë qëndrimit në Prishtinë zhvilloi takim edhe me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Vizita e raportuesit të përhershëm për Kosovën në PE vjen pasi në mesin e muajit qershor, PE-ja miratoi rezolutën vjetore për Kosovën. Pas miratimit të rezolutës, Terras tha se reformat dhe përparimi në dialogun Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku, mbeten kyç në rrugën evropiane të Kosovës. /REL





Lajmet e fundit nga