web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Trajtim më i mirë financiar për zjarrfikësit: 20% shtesë mbi pagën për orët e punës pas orës 19:00

10 Korrik 2026, 14:51, Aktualitet CNA

Trajtim më i mirë financiar për zjarrfikësit: 20%

Këshilli i Ministrave ndërmori një sërë vendimesh me ndikim në zhvillimin ekonomik, mjedis, administrim publik dhe trajtimin e personelit të emergjencave. Ndër ndryshimet kryesore është përmirësimi i trajtimit financiar për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin. Sipas vendimit të ri, zjarrfikësit do të përfitojnë shtesa mbi pagë në masën 20% për orët e punës nga 19:00 deri në 22:00, 50% nga ora 22:00 deri në 06:00, si dhe 25% për punën gjatë festave zyrtare e pushimeve javore. Për orët shtesë, punonjësit do të kompensohen me kohë pushimi të shtuar ose pagesë financiare, duke kufizuar numrin maksimal të këtyre orëve në 200 në vit, përveç rasteve të emergjencave civile.

Në zhvillimin ekonomik, qeveria shpalli “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” territoret në bashkitë Fushë-Arrëz dhe Përrenjas, ndërsa për përmirësimin e infrastrukturës miratoi shpronësimet për interes publik për rehabilitimin e zonave pranë pikës doganore të Morinës dhe rikonstruksionin e trotuareve në lagjen “Sheh” të Bashkisë Kavajë. Në fushën e mjedisit, u miratua rregullorja për verifikimin e shkarkimeve të gazeve me efekt serrë, duke rritur kriteret për operatorët, si dhe u zyrtarizua marrëveshja me agjencinë gjermane GIZ për programin e migracionit dhe zhvillimit.

Në vijim të procedurave institucionale, qeveria i propozoi Kuvendit listën e kandidatëve për drejtimin e Komisionit të Prokurimit Publik, përcaktoi rregullat për komisionet e titujve të nderit dhe vendosi ndryshimin e administrimit të një pasurie të paluajtshme në Vlorë, e cila i kaloi Avokaturës së Shtetit. / CNA





Lajmet e fundit nga