web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

E njohur për disa hite botërore/ Ndërron jetë këngëtarja legjendare

9 Korrik 2026, 11:58, Lifestyle CNA

E njohur për disa hite botërore/ Ndërron jetë

Këngëtarja legjendare Bonnie Tyler, e njohur për hitet botërore “Total Eclipse of the Heart”, “Holding Out for a Hero" dhe “It's a Heartache”, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga familja dhe ekipi i saj përmes një deklarate në faqen zyrtare, ku thuhej se artistja ndërroi jetë në një spital në Portugali, si pasojë e sëmundjes për të cilën po trajtohej.

Në muajin maj, Tyler iu nënshtrua një operacioni urgjent në zorrë dhe u vendos në gjendje kome. Muajin e kaluar, zëdhënësi i saj bëri të ditur se ajo kishte dalë nga koma, por vazhdonte të ishte në gjendje shumë të rëndë në njësinë e kujdesit intensiv.

Pas lajmit për ndarjen nga jeta, Sekretarja e Shtetit për Uellsin, Jo Stevens, e cilësoi Bonnie Tyler si një ikonë të muzikës uellsiane dhe fituese të çmimeve Grammy dhe Brit, duke theksuar se zëri i saj shoqëroi një brez të tërë.

E lindur si Gaynor Hopkins në Skewen të Uellsit, Bonnie Tyler u zbulua nga producenti Roger Bell në një klub nate në Swansea. Ajo publikoi këngën e saj të parë, “Lost in France”, në vitin 1977, ndërsa po atë vit arriti sukses ndërkombëtar me “It's a Heartache”.

Kulmi i karrierës së saj erdhi në vitin 1983 me këngën “Total Eclipse of the Heart”, e cila kryesoi klasifikimet muzikore në Britani dhe Shtetet e Bashkuara, duke e bërë Bonnie Tyler artisten e parë nga Uellsi që arrinte vendin e parë në SHBA.

Gjatë karrierës së saj, Tyler u nominua për çmimet Grammy, përfaqësoi Mbretërinë e Bashkuar në Eurovision 2013 dhe në vitin 2023 u nderua me titullin MBE për kontributin në muzikë.

Edhe vitet e fundit ajo vazhdoi të ishte aktive në skenë. Në vitin 2024 publikoi versionin elektronik të “Total Eclipse of the Heart” me David Guetta dhe Hypaton, ndërsa këtë vit kënga origjinale kaloi shifrën e 1 miliard dëgjimeve në Spotify. Bonnie Tyler lë pas bashkëshortin e saj, Robert Sullivan, me të cilin ishte e martuar prej më shumë se 50 vitesh. /CNA





Lajmet e fundit nga