LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Gomonia nisi të mbushej me ujë, ishim 76 persona”/ Rrefimi prekës i Elisit, emigrantit shqiptar që u largua në Angli

1 Janar 2023, 21:34, Aktualitet CNA

“Gomonia nisi të mbushej me ujë, ishim 76 persona”/

Elisi është një nga djemtë e shumtë shqiptar që ka zgjedhur emigrimin si rrugën e vetme për të ndërtuar jetën e tij. 

Në një intervistë për gazetarin Muhamed Veliu, 23-vjeçari prejardhja e të cilit është nga veriu i Shqipërisë tregoi me detaje rrugën që përshkoi për të mbërritur në Angli dhe detaje rreth udhëtimit. 

Ai u shpreh se u largua nga Shqipëria për një jetë më të mirë dhe për paga më të mira ndërkohë që zgjodhi të ndërmarrë këtë udhëtim të gjatë me gomone pasi sipas tij ishte mënyra më ekonomike për të mbërritur në destinacionin e dëshiruar. 

Zgjodha për të ikur me gomone sepse edhe nga ana financiare sepse ishte me një çmim që edhe mund ta përballoja. Duke pyetur njerëzit si është rruga me gomone, a është e mirë,  a është e qetë, mirëpo çdo gjë doli krejt e kundërta  e asaj që vetë përjetova në atë rrugëtim. Njerëz ka sa të duash. Nuk është problem të gjesh kontakte me këtë lloj trafikimi. Unë e gjeta kontaktin shumë kollaj”, u shpreh 23-vjeçari. 

Më tej ai ka treguar se si ai kishte udhëtuar me 72 persona të tjerë në një gomone e cila filloi po mbushej me ujë pasi  ajo nuk mund të mbante aq shumë persona. Ai i ka përshkuar këto momente si tmerruese. 

Faktikisht më kishin thënë që ishte një rrugë shumë e qetë, do mbërrish shpejt, nuk do kesh probleme. Mirëpo më doli krejt e kundërta nga ajo çfarë ata më thanë mua. 10 ditë tentativë për tu larguar me gomone mirëpo kishte probleme me autoritetet franceze. Në ditën e 11 u nisëm por ishte tmerrësisht një tmerr i  madh sepse kemi qenë 76 vetë në gomone. Një gomone me bazament ajri me jastëkë ajri nuk mund të përballojë 76 veta. Nga ora 3 e mëngjesit derti në ora 12 të drekës kemi bërë rrugëtim.  Gomonia nisi të mbushej me ujë. Kishim frikë. Njerëzit nuk rrinin rehat nga paniku. Ishte një tmerr tmerr i  vërtetë”, deklaroi Elisi.

Elisi tha ndër të tjera se tashmë ka arritur të gjejë sëbashku me shokët e tij një punë në ndërtim si hekurthyes, por ai i bëri thirrje të gjithë personave që po mendojnë të shkojnë në Angli me gomone mos ta provojnë, nisur edhe nga eksperienca e tij vetjake. 

Po është e vërtetë ka persona që presin. Mund të jenë në hotele apo çadra në pritje për ardhur këtu. Unë nga rruga që kam bërë nuk do të doja që asnjë person të vinte me gomone. Është tmerrësisht e rrezikshme. Sidomos në këtë kohë që është tani. Është kohë e ftohtë. Tepër e rrezikshme”, tha ai. 

Për sa i përket cilësimeve që politika britanike i ka bërë shqiptarëve ai ka thënë se jo të gjithë shkojnë në Angli për të punuar me punë të pista dhe jo të gjitjë janë njëlloj. 

Këto komente nuk më janë dukur edhe aq mirë. Sidomos kur vinë nga shteti anglez. Ne kemi ardhur për punë. Nuk janë të gjithë shqiptarët njësoj. Ka edhe nga ata që merren me rrugë të tjera por shumica kanë zgjedhur rrugën e djersës. Nuk duhet që të gjithë shqiptarët ti mbledhim në këtë thes”, theksoi gjatë intervistës.

Në fund Elisi shprehu dëshirën e tij të madhe që të marrë letrat e punës për të qenë i rregullt me ligjin dhe shtetin britanik./ CNA.al

Lajmet e fundit nga