LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kokaina në banane/ Droga "lumë" në portin e Durrësit përgjatë 2022-shit

1 Janar 2023, 12:40, Aktualitet CNA
Kokaina në banane/ Droga "lumë" në portin e
Fotomontazh

Porti i Durrësit ka rezultuar një nga portat kryesore të trafikimit të drogës, duke qenë se shpeshherë policia ka konfirmuar se janë kapur sasi të mëdha droge.

Mjafton të kujtojmë disa operacione që nga fillimi i këtij viti deri në fund të tij. I pari është zhvilluar natën e vitit të ri. Në prag të vitit të ri, më 31 dhjetor të 2021-shit policia organizoi operacionin e koduar “Romanati”.

Blutë ndaluan  Romanat të Durrësit një kamion që transportonte një kontenier të ngarkuar me banane nga porti i Durrësit, për një magazinë në Vaqarr. Brenda saj u gjetën plot 119 kilogramë kokainë të nisura nga Amerika Latine.

Për këtë rast u arrestuan Lavdosh Zerba dhe Julian Merhori, punonjës në doganën e Durrësit dhe Bujar Qyrku punonjës i AKU-së me akuzën se lejuan që të kalojë kamioni i “Bana King” me kokainë, teksa në skaner nuk u konstatua droga. Por pavarësisht ngjarjes së bujshme, ata u lanë të lirë, raporton CNA.al.

Një tjetër sasi droge u kap në 16 maj. Droga ishte fshehur në anijen “Unistream” me qymyr të nisur nga një port i Kolumbisë. Kokretisht u gjetën 2 çanta me 53 pako kokainë, me peshë totale 60 kilogramë.

Anija ishte në pronësi të kompanisë Gjermane “MS Unistream & CO.KG”, ndërsa u vendos në sekuestro si provë materiale nga SPAK për llogari të hetimit për trafik ndërkombëtar droge.

Gjithashtu, në pranga u vunë 16 punënjës të ekuipazhit të anijes, të cilët u liruan në korrik. SPAK hoqi nga sekuestro edhe anijen në të cilën u kap droga, raporton CNA.al.

Më 15 qershor 2022, Policia sekuestroi 45.5 kg lëndë të dyshuar narkotike kokainë në një kontenier në Portin e Durrësit, në sajë të operacionit të koduar “Tranziti”.

Kokaina ishte e ndarë në 40 pako dhe ishte fshehur në një konteiner që vinte nga Brazili, i ngarkuar me mish pule. Droga mendohet se kishte dy porositës, kjo për shkak se edhe pakot ishin të ndara, me imazhe të ndryshme, por që si personazh kryesor kishin protagonistin i filmit të animuar “Goku”. Secila pako peshonte nga 800-1400 gramë secila.

Për këtë sasi droge u vu në pranga administratori i kompanisë që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës dhe një agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani.

Në korrik të këtij viti doli sërish në kronikat e zeza “BanaKing”.

Konkretisht më 18 korrik blutë informuan mediat se për zhdukjen e 49 arkave banana nga kontejneri i “BanaKing”, të cilat dyshohet se kanë pasur brenda kokainë.

Ngarkesa kishte mbërritur në portin e Durrësit në datën 8 korrik. Por prej 10 ditësh askush nga kompania nuk ishte paraqitur për të marrë porosinë, deri në ditën ku kontejneri u konstatua i hapur.

Ngarkesa ishte nisur nga Kolumbia, më pas ishte ndalur në Spanjë, Itali e në fund në Durrës.

Për këtë u shoqëruan 20 punonjës të sigurisë portuale dhe kompanisë “Bana King”, por edhe kjo ngjarje mbeti në hije, raporton CNA.al.

Më 3 nëntor policia organizoi një tjetër operacion, nga ku kapi në portin e Durrësit për të tretën herë brenda vitit një tjetër ngarkesë me drogë në bananet e “BanaKing”. 
Operacioni i koduar u quajt “Again”, ndërsa policia është kujdesur të mos përmendë emrin e kompanisë së cilës i përkisnin arkat me banane që vinin nga Ekuadori.

Droga ishte e ndarë në 31 pako, me peshë totale 33.5 kilogramë të vendosura në 2 arka bananesh. Kamioni ku ishte vendosur droga rezultoi i pastër në skaner, por pas informacioneve të sigurta të anti-drogës për një sasi të konsiderueshme, hetuesit nisën një kontroll fizik me qen të arkave me banane, nga ku u zbulua dhe sasia e kokainës.

Pas gjetjes së kokainës, policia shpalli në kërkim pronarin e "Banaking", Trifon Murataj, ndërsa arrestoi administratorin e kompanisë dhe dy punonjës të skanerit në portin e Durrësit.

Të gjitha këto raste janë ende të pazbardhura dhe shqiptarët ende nuk kanë një përgjigje./ B.A. – CNA.al

Lajmet e fundit nga