LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Investimi miliona euro që starton në 2023-shin/ “Porti i Durrësit", drejt shndërrimit në një Dubai të vogël

1 Janar 2023, 11:10, Aktualitet CNA
Investimi miliona euro që starton në 2023-shin/ “Porti i
Projekti i Portit të Durrësit

Projekti i Portit të Durrësit është një nga investimet më strategjike dhe më të mëdha në vendin tonë për vitin 2022.

Ky projekt që do të transformojë portin e Durrësit nga një port mallrash, në një marinë për jahte, godina banimi dhe hotele, do të realizohet nga Mohamed Alabbar, themeluesi dhe pronari i kompanisë “EMAAR”.

Investimi do të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2, ku parashikohen të ndërtohen 12 000 apartamente dhe 2 hotele me 850 dhoma në total. Projekti parashikon 80 000 metër katror hapësira të gjelbra, ose hapësira të hapura dhe një gjatësi plazhi 700 metra.

Faza e parë nis në 2023-shin dhe zgjat për 5 vite, me vlerë investimi   595 milionë euro, dhe për fazën e dytë që pritet të nisë në 2028-ën, investimi është rreth 1 miliardë e gjysmë euro.

Marrëveshja ka një jetëgjatësi prej 35 vitesh, ndërsa përfundimi total i realizimit të projektit zgjat 20 vite. Qeveria shqiptare do të përfitojë gjatë gjithë kohës 33.3% të dividentit.

Akuzat dhe debatet

Por për këtë investim ka pasur një sërë akuzash të ngritura nga opozita, e cila pretendon se është një aferë korruptive që qëndron në duart e një kompanie offshore. Për pretendimet e saj, PD ka depozituar edhe një padi në Gjykatën Kushtetuese.

Në seancën plenare të 24 nëntorit ku u votua për projektin e portit të Durrësit, pati përplasje dhe debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës dhe u ndërpre disa herë për shkak të tensioneve.

Seanca plenare zgjati më shumë se 14 orë, ndërsa në orët e vona të natës PS miratoi me 74 vota pro dhe 35 kundër marrëveshjen për Portin e Durrësit. 

Akuzat e njëpasnjëshme të opozitës kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si haluçinante në një nga reagimet e tij.

"Akuzat haluçinante kundër një kompanie ardhja e së cilës është përveç të tjerash një imazh i ri fitues i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, janë tallja e radhës me ata shqiptarë që akoma i ndjekin pas këta të shitur, pa fe, pa atdhe, pa din e as iman…

Synimi i këtij sulmi të dëshpëruar është pengimi i këtij investimi të madh transformues për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë, përmes intimidimit të një prej kompanive flamur të Emirateve të Bashkuara, të cilën e kemi sjellë me mbështetjen e Presidentit, Sheikh Muhammed Bin Zayed”, është shprehur kreu i qeverisë.

Investimi miliona euro që starton në 2023-shin/ “Porti i

Opozitës i është përgjigjur edhe biznesmeni Mohamed Alabbar, i cili ka sqaruar se ndryshe nga sa pretendon opozita, kompaninë “Eagles Hills” drejton vetë ai, ndërsa partnerët e tij janë nga Abu Dhabi dhe jo nga Serbia apo vendet e tjera të rajonit.

“Unë jam aksioneri kryesor në “Eagle Hills” dhe kam disa partnerë nga Abu Dhabi. Edhe këtë mund ta kontrolloni dhe nuk do të gjeni gjë tjetër, iu premtoj. Në fakt, janë vetëm nga dy vende, nga vendi im, unë si Mohamed Alabbar dhe nga Abu Dhabi. Dua të bëj një deklaratë, se nga dita që filluam dhe deri më sot, asgjë nuk ka ndryshuar”, nënvizoi Alabbar.

Skema e kompanive me në krye Mohamed Alabbar

Skemën e këtij investimi 2.1 miliardë euro e ka zbardhur më parë CNA.al. Kompania “Eagle Hills” që pritet të investojë në Durrës administrohet drejtpërdrejt nga Alabbar dhe përbëhet nga disa aksionere, që kanë krijuar kompani të reja.

Bëhet fjalë për kompaninë Symphony Real Estate Development sh.p.k e identifikuar me NUIS M11726006H e cila  zotërohet plotësisht nga subjekti “Symphony Invest Limited”, që në vetvete është pjesë e grupit të shoqërive të Z. Mohamed Alabbar, i cili prej vitesh është drejtues në kompaninë EMAAR.

Nga “Eagle Hills” është krijuar kompania “North East Real Estate” dhe nga kjo e fundit është krijuar “Symphony Global Holding” që do të ndërtojë në Portin e Durrësit.

Sipas skemës së zbardhur nga CNA.al, 40% të kompanisë “Symphony Global Holding” e ka vetë Mohammed Alabbar, ndërsa 60% të aksioneve të tjera janë të shpërndarë te familjarë të tij.

Investimi miliona euro që starton në 2023-shin/ “Porti i

Nga “Symphony Global Holding” janë krijuar dy kompani të reja, si “AHN Invensments” dhe “Symphoni Investments”. Nuk ndalet këtu zinxhiri i kompanive të reja të Alabbarit.

Nga kompania “AHN Investments” është krijuar “AHN Holdings” me pronar H.E Mohammed Ali Rashed Alabbar.

Në kompaninë “Symphoni  Investments”, e krijuar nga kompania që do të ndërtojë portin e Durrësit, janë ortakë Salama Mohammed Rashed Alabbar, Shamsa Mohammed Rashel Alabbar, Rashit Mohammed Rashel Alabbar, Mouza Muhammed Ali Rashid, Mariam Nader Mohammed Ali Rashid dhe Mohammed Ali Rashed Alabbar.

Pra, në krye të gjithë këtij zinxhiri kompanish, qëndron Mohamed El Alabbar./ B.A. - CNA.al

 

Lajmet e fundit nga