web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Furra e bukës "Pojanaku" në Pogradec, më e njohura në qytet

2 Dhjetor 2023, 17:42, Qyteti im CNA
Furra e bukës "Pojanaku" në Pogradec, më e njohura
Foto ilustruese

Altin Pojanaku prej një jete ka ushtruar profesionin e bukëpjekësit, të trashëguar nga gjyshi i tij i cili së bashku me xhaxhain e tij kanë qenë ndër furrxhinjtë e parë në Pogradec. Prej vitit 1925 ata kanë punuar dhe kanë trashëguar tek brezat e tjerë këtë zanat, aq të bukur por edhe të vështirë. Tashmë bëhen 16 vite që Altin Pojanaku ka hapur furrën e bukës dhe u gjendet pranë banorëve të qytetit liqenor, po ashtu edhe turistëve që zgjedhin Pogradecin në sezonin veror. Altini tregon për CNA HD si e ka trashëguar këtë profesion, ndërsa thotë se ndihet krenar që ka arritur deri këtu.

"Me hyrjen e demokracisë, mu ofrua një vend pune si furrxhi dhe kam punuar që në vitin 1993. Furrën e bukës e hapa në vitin 2007, pra thuajse 16 vite. Si profesion e kam të trashëguar nga gjyshi dhe xhaxhai i gjyshit, të cilët kanë qenë furrxhinj që në vitin 1925. Kam punuar fillimisht në furrat e tyre, më pas erdhi partia dhe vazhduan në furrat e shtetit duke trashëguar edhe zanatin e tyrez. Bashkë me furrxhinjtë e tjerë të qytetit të Pogradecit, bënin bukë tradicionale të qytetit tonë si traditë e familjeve. Dhe unë në furrën time vazhdoj të ndjek këtë traditë me bukën tradicionale të qytetit, me receta të trashëguara nga të parët tanë që na kanë lënë një pasuri të këtij zanati.  Ndihem krenar që ndjek traditën e gjyshit tim, dhe zanatin e bëj me përkushtim dhe jam shumë i kënaqur me këtë punë që bëj.", u shpreh Altin Pojanaku.

Në furrën e bukës "Pojanaku" mund të gjejmë një shumëllojshmëri bukësh tradicionale të cilat bëhen sipas një recete të vjetër të të parëve, duke përmendur kulaçin dhe bukën me qiqër që mbeten dy të preferuarat për klientët. Altini na tregon cilësitë e të veçantat për disa nga bukët që zgjedhin klientët të konsumojnë në vaktet e tyre të përditshme.

"Ne bëjmë disa lloje bukësh, bukë me qiqra dhe kulaç që janë tradicionale të zonës së Pogradecit. Kemi edhe bukë të tjera, në treg së fundmi kemi futur edhe një lloj buke që nuk ka maja, është vetëm me brumë.", tregoi ai.

"Ky është kulaçi i cili prodhohet në furrën tonë. Është tradicional i zonës së Mokrrës dhe ne e kemi marrë sipas kësaj tradite, të cilën e kanë gatuar gjyshet tona nëpër magjet e tyre me dashuri dhe shumë përkushtim. Kjo bukë pëlqehet jo vetëm nga pogradecarët por edhe nga të gjithë ata turistë që vijnë në qytetin tonë gjatë sezonit të verës. Kulaçi ka në përbërje sodë buke, kos, mund ti shtojmë edhe qumësht, por sodën dhe kosin ka dy elementët kryesorë që bëhet kjo lloj buke. Maja nuk ka. Buka e misrit është vetëm me miell misri, e gatuar sipas traditës tonë. Kjo pëlqehet më shumë në qytetin tonë. Këtë bukën e quajmë "pitalkë" dhe bëhet me miell cilësor, është shumë e butë dhe e ushqyeshme për arsye se ka miell cilësor. Për fëmijët është shumë e preferuar.", shtoi Pojanaku.

Zanati i bukëpjekësit duket i thjeshtë në pamje të parë, për Altinin është një nga më të bukurit si profesion, por ka shumë vështirësi dhe kërkon përkushtim të veçantë. Puna në furrën e bukës

"Pojanaku" fillon në orët e para të mëngjesit, e përfundon rreth drekës, duke prodhuar një numër të madh bukësh e duke pritur klientët për t'u shërbyer.

"Buka kërkon një kohë relative për t'u përgatitur, rreth 4 orë. Komponentët kryesor të një buke janë uji, kripa, majaja dhe mielli, dhe ne ndjekim një tëknologji që na e kanë lënë të parët, me brumë të thatë dhe siç e quajmë bashkëmaja që është kryesorja për zëniën e brumit. Mielli duhet të jetë sa më cilësor, të ketë glutën, elasticitetin e duhur, proteinat të cilat nëse i mungojnë, nuk del buka që kërkojmë ne. Kemi disa lloje bukësh, bukë masive, franxholla, bukë pa maja, bukë të vogla për hamburger dhe kulaçka. Procesi fillon me zënien e brumit, e peshojmë dhe e ndajmë nëpër tase, e futim në dhomën e fermentimit, e pjekim dhe e nxjerrim në treg. Puna fillon herët në mëngjes, dhe këto janë vështirësitë e zanatit tonë aq të bukur, dhe fillon në mesnatë rreth orës 1-2, e vazhdon 8-9 orë. Kemi dhe bukën me qira që bëhet në Korçë e Pogradec dhe kërkon një proces të gjatë pune, dhe preferohet edhe për gëzime familjare si dasmat e fejesat, dhe konsiderohen si mbarësi. Në furrën tonë bëjmë edhe petanik, lakror, byrek, dhe i bëjmë me dashuri e shumë përkushtim për klientët.", tregoi ai.

Shitjet sipas Altinit kanë qenë mjaft të kënaqshme dhe gjithmonë e në rritje. Cilësia është elementi kyç që ka patur këtë sukses kjo furrë buke, ndërsa bashkëpunimi është shtrirë edhe me restorantet e zonës së Pogradecit. Sezoni veror i këtij viti ka qenë me një fluks të lartë turistësh të cilët kanë zgjedhur furrën e bukës "Pojanaku", dhe përshtypjet kanë qenë ndër më te mirat. Altini tregon se çfarë zgjedhin turistët për të provuar.

"Buka gjithmonë është në ngritje, edhe nga miellrat që i kemi të vendit por edhe që vijnë nga jashtë. Shitjet janë në rritje, dhe cilësinë e kemi patur parësore. Sa i përket bashkëpunimit me restorantet e qytetit, kemi një bashkëpunim të mirë sidomos me kulaçin që e marrin gjatë sezonit veror në Volorekë, Tushemisht. Turistët vijnë në furrë dhe kërkojnë dy lloje bukësh, kulaçin dhe bukën me qiqra. Sidomos këtë vit patëm një fluks të lartë turistësh në sezonin veror. Ka turistë vendas dhe të huaj që vijnë në qytet për të pushuar, përshtypjet e tyre janë ndër më të mirat duke na thanë se kemi një bukë shumë të mire, sidomos kulaçin.", tha Pojanaku.

Pogradeci është një nga qytetet e juglindjes që ka pësuar një hov sa i përket turizmit, i cili rritet nga viti në vit, për shkak edhe të zonave të bukura që ka ky qytet dhe aseteve që mund të vizitohen. Një prej aseteve që ka fatin ta ketë Pogradeci është pikërisht furra e bukës "Pojanaku", që përkushtohet me shumë dashuri për të bërë bukë cilësore e tradicionale. CNA HD ju ve në dispozicion numrin e kontaktit të saj, si edhe adresën e furrës për të gjithë të interesuarit për ta provuar shijen fantastike të produkteve të ndryshme që ofrohen.

Altin Pojanaku: 067 543 6678 Adresa : Rruga "Gani Butka", Lagjia nr.2, Pogradec./ CNA





Lajmet e fundit nga