TI: Shqipëria, një pikë rënie në Indeksin e Korrupsionit

25 Janar 2022, 07:32, Aktualitet CNA
TI: Shqipëria, një pikë rënie në Indeksin e

Organizata Transparency International nxorri të martën raportin e përvitshëm për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë ku arrin në përfundimin se 86 për qind e 180 vendeve dhe territoreve, kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në 10 vitet e fundit.

Raporti që analizon zhvillimet e vitit të kaluar, e vë theksin tek lidhja mes korrupsionit dhe nivelit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, nga vendet me më shumë korrupsion e deri tek ekonomitë e përparuara.

?Qasjet autoritare shkatërrojnë sistemin e pavarur të kontrolleve dhe balancave e pavarura dhe bëjnë që përpjekjet kundër korrupsionit të jenë të varura nga tekat e elitës. Garancia që njerëzit të mund të flasin lirshëm dhe të punojnë kolektivisht për ta vënë pushtetin para përgjegjësisë është e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt një shoqërie pa korrupsion?, shprehet kryetarja e Bordit të Drejtorëve të organizatës Transparency International, në një koment lidhur me botimin e raportit.

Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni.

Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë. Ndërsa Kosova ka shënuar përmirësim, me 39 pikë, tre pikë më lart sesa një vit më parë. Një përmirësim prej katër pikësh ka shënuar Maqedonia e Veriut, nga 35 në 39, ndërsa Mali i Zi është mes vendeve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore me numrin më të lartë të pikëve, 46 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.

Në krye të listës, me nivelin më të ulët të korrupsionit këtë vit janë Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re, ndërsa Somalia, Siria dhe Sudani i Jugut kanë gjendjen më të keqe.

Për herë të parë, raporti ofron edhe një analizë krahasuese për gjendjen e korrupsionit në dhjetë vitet e fundit. Evropa Lindore dhe Azia Qendrore është i dyti në botë përsa i përket korrupsionit të lartë.

Vitin e kaluar, vazhdoi të binte në sy mënyra se si qeveritë e përdorën pandeminë e COVID-19 si pretekst për të ndrydhur liritë civile dhe për të vazhduar mungesën e transparencës.

?Mund të themi se këtë vit nuk po shohim ndonjë ndryshim të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor përsa i përket Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Dhe do të thosha se ky është lajm i keq, pasi që vendet të bëjnë përparim më të madh ekonomik, politik, social dhe që qytetarët të ndjejnë efektet e reformave dhe që jeta e tyre të përmirësohet, duhet të shohim rezultate shumë më të mira?, i tha Zërit të Amerikës Lidija Prokic, Këshilltarja për Evropën Lindore dhe Juglindore e Transparency International.

?Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, shohim kryesisht ngecje, por stanjacioni vjen pas një rënieje serioze dhe kjo nuk përcjell ndonjë mesazh shpresëdhënës?, shtoi ajo.

Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë.

?Në Shqipëri gazetarët përballen me padi dhe frikësime, përfshirë kontrollin e tepruar të informacionit në lidhje me reagimet ndaj COVID-19. Për më tepër, shqetësime për dhunën e policisë gjatë protestave dhe shkelje të lirisë së grumbullimit janë regjistruar gjatë gjithë pandemisë?, thuhet në raport.

Zonja Prokic e konfirmon një gjë të tillë.

?Ka pasur përpjekje për të miratuar ligje që frenojnë seriozisht lirinë e shprehjes. Dhe këto mund të mos duken direkt të lidhura me anti-korrupsionin, por në të vërtetë janë. Që mekanizmat kundër korrupsionit të funksionojnë mirë, që vendet të kenë sukses në luftën ndaj korrupsionit, ato kanë nevojë për media të lirë, kanë nevojë për shoqëri të lirë civile?, thotë ajo.

Po ashtu zonja Prokic thotë se janë vënë re ?disa reagime joproporcionale të forcave të rendit kur bëhet fjalë për protesta publike, protesta të qytetarëve?.

Në raport thuhet se pandemia u përdor gjithashtu si një justifikim për të reduktuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien për prokurimet publike dhe shpenzimet e ndihmës së huaj, duke lejuar që korrupsioni të përhapet gjerësisht.

?Shqetësimi ynë lidhur me prokurimet publike në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë është fakti se qeveritë kanë përdorur pandeminë e Covid-it si pretekst për të mos dhënë informacione për shpenzimet publike?, thotë ajo.

Zonja Prokic e pranon se ndryshimet në ligjin për prokurirmet publike, shkojnë në drejtimin e duhur, por ajo thekson se ato duhet të zbatohen ?në mënyrë konsistente, të paanshme dhe pa asnjë përjashtim?.

Zonja Prokic thotë se më e rëndësishme se sa rënia ose rritja me një pikë në Indeksin e Perceptimit për Korrupsionit, është prirja e përgjithshme.

?Kur flasim për Shqipërinë këtë vit, rezultati është 35 pikë, ndërsa për shembull, dhjetë vjet më parë, rezultati i Shqipërisë ishte 33 pikë, kështu që mund të themi vetëm se ka pasur shumë pak përparim në këtë periudhë 10 vjeçare. Dhe kjo sigurisht nuk është diçka për të cilën mund të jemi optimistë?, thotë zonja Prokic.

Ajo thotë se hapa të tillë si miratimi i reformës zgjedhore janë të rëndësishme, por zbatimi është më i rëndësishëm.

Në dekadën e fundit, niveli më i ulët ka qenë në vitin 2013, ndërsa më i larti në vitin 2016 kur u miratua reforma në drejtësi.

Zonja Prokic thotë se në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë sigurisht edhe në Shqipëri, qeveritë kanë prirjen ta trajtojnë anti-korrupsionin duke miratuar rregullore dhe duke ndryshuar ligje.

?Reforma në drejtësi në Shqipëri ka bërë një përparim domethënës deri më tani dhe ajo që ne e shohim si veçanërisht pozitive është se disa raste po trajtohen nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion?, thotë ajo.

Por?

?Ajo që mungon është vullneti politik për ndryshim real, ndryshim praktikash, ndryshim të sjelljes institucionale, në të njëjtën kohë që miratohen ndryshime në ligje dhe ndërmerren rregullore të reja?.

Në kushtet e një kontrolli të konsiderueshëm nga partia në pushtet dhe një opozite të dobësuar nga lufta e brendshme, zonja Prokic thotë se ?përqendrimi i pushtetit është një problem serioz kur bëhet fjalë për efektivitetin e luftës kundër korrupsionit, por është gjithashtu problem nga pikëpamja e demokracisë dhe përsa i takon shoqërisë në përgjithësi?.

?Sigurisht që çdo qeveri duhet të vihet para përgjegjësisë dhe kjo vlen ndoshta akoma më shumë për qeveritë që kanë qenë në pushtet për një kohë shumë të gjatë. Qeveria e Shqipërisë thotë shpesh se vendi është i gatshëm të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Megjithatë, kjo nuk është shoqëruar me ndryshime demokratike që janë të rëndësishme për t?u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por edhe sepse qytetarët kanë nevojë për këto ndryshime thjesht për një jetë më të mirë?, thotë ajo.

Kosova ka shënuar përmirësim, me 39 pikë, tre pikë më lart sesa një vit më parë.

?Në Kosovë ka pasur tranzicione paqësore pushteti mes qeverive në vitet e fundit.?, thuhet në raport.

Po ashtu sipas raportit, vendi tregoi një vullnet të sinqertë për luftuar korrupsionin, duke hetuar udhëheqës të akuzuar për korrupsion.

?Situata nuk është ende ideale por janë hedhur disa hapa në drejtimin e duhur përsa i takon financimit të partive politike dhe fushatave?, thotë zonja Prokic.

Kosova ishte i vetmi vend në rajon dhe një nga vetëm pesë vendet në Evropë që nuk i transferoi kompetencat vendim-marrëse tek ekzekutivi por i mbajti në parlament.

?Mund ta themi me siguri që fakti që janë bërë përpjekje për të pasqyruar vullnetin e qytetarëve edhe në kohët më të vështira, është një vendim i përgjegjshëm nga ana e qeverisë dhe për mendimin tonë është shumë e rëndësishme që edhe në rrethana të jashtëzakonshme institucionet të vazhdojnë të kryejnë rolin e tyre?, thotë zonja Prokic.

Në 10 vite, Kosova ka pasur një rritje prej pesë pikësh, nga 34 në vitin 2012, në 39 në vitin 2021./VOA

17:24 Aktualitet

Pse Belind Këlliçi?

Të qënit ndryshe?   Jemi mësuar të dëgjojme teori por që për...

Lajmet e fundit nga