LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sa ndikon mosha në votimin e gjermanëve?

9 Shtator 2021, 11:36, Kosova & Bota CNA
Sa ndikon mosha në votimin e gjermanëve?

Për kë do të votojnë gjermanët në zgjedhjet parlamentarë të 26 shtatorit? Trendi: sa më i vjetër, aq më konservator. Por ka dhe disa dallime. Për kë votojnë të rinjtë?

Në zgjedhjet parlamentare në Gjermani kanë të drejtën e votës rreth 60 milionë votues, por vota e  tyre dallon shumë varësisht nga grupmosha që i takojnë. Të moshuarit janë të prirë të votojnë më shumë për partitë e themeluara kaherë si CDU, CSU, FDP apo SPD.

Këto parti simbolizojnë stabilitet dhe prosperitet për këtë grupmoshë njerëzish. Në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë, të gjithë kancelarët apo kancelaret, kanë qenë nga partitë CDU ose SPD.

Siegel: “Njerëzit e moshuar shpesh kanë një qëndrim të qartë politik”

Nico Siegel, drejtor i Institutit për studime të opinionit Infratest Dimap në Berlin, thotë për DW: “Tek votuesit e moshuar gejmë më shpesh lidhje afatgjate me parti të caktuara, për dallim prej të rinjve. Kjo shpesh zhvillohet në fazat e hershme të jetës. Para 20 vjet e më shumë, partitë CDU, CSU dhe SPD kanë qenë forcat më të mëdha. Në vitet 1970 për shembull, ato së bashku kanë fituar rreth 90 përqind të votave.

Por ka dhe votues të pavendosur, thuhet në sondazhe. “Sidomos në zgjedhjet e ardhshme federale, mund të ketë zhvendosje të zgjedhësve, në radhë të parë, mes partive të Unionit dhe atyre të SPD-së. Kjo kryesisht për shkak se votuesit e moshuar shpesh i vlerësojnë përvojat, kompetencat, si dhe politikanët e qetë me qëndrime të qarta. Kjo ka bërë që kandidati i SPD për kancelar Olaf Scholz, të përfitojë dhe aktualisht zë vendin e parë.”

Ekologjistët kanë më së shumti mbështetje tek të rinjtë

Partitë më të reja, si të Gjelbrit, janë kaherë në skenën politike. Por ato kanë më shumë sukses tek grupmoshat e reja. Një shembull: Në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evroian, në 2019, të Gjelbrit kanë fituar 34 përqind të votave të të rinjve nën 24 vjeç. Ndërsa rezultati i tyre i përgjithshëm ishte vetëm 20,5 përqind.

Çështja e mbrojtjes së klimës është shumë e rëndësishme këtu. Sipas një sondazhi të bërë së fundi nga Shoqata gjermane e mjedisit “NABU”, të moshuarit i kushtojnë më pak vëmendje ruatjes së klimës.

Përqindja e personave që i kushtojnë në veçanti vëmendje klimës është tek personat e moshës 30 deri në 39 vjeç pak më shumë se 40 përqind, tek personat e moshës 40 deri në 49 vjeç 36 përqind, ndërsa tek ata të moshës 50 deri në 64 vjeç, rreth 30 përqind. E tek votuesit mbi 65 vjeç, vetëm 27.9 përqind janë të gatshëm që me rastin e votimit të marrin parasysh edhe ruajtjen e klimës.

Më shumë votojnë të moshuarit

Shkëlqimi i partive të vjetra të Gjermanisë Perëndimore CDU, CSU dhe SPD ka rënë. Rezultatet prej 30 për qind ose më shumë për Unionin CDU/CSU ose SPD, janë vështirë të imagjinueshme tani. Në vitin 2013, partitë CDU dhe CSU kanë fituar mbi 42 përqind të votave në zgjedhjet federale. Katër vjet më vonë, në zgjedhjet e vitit 2017, fituan vetëm 33 përqind. Por në përgjithësi, vlenë tendenca se njerëzit sa më të moshuar që janë, aq më shumë janë të gatshëm të votojnë.

Mesatarisht në të gjitha zgjedhjet federale prej vitit 1953 deri në vitin 2009, grupmosha e njerëzve mbi 60 vjeç ishte gjithmonë ajo me pjesëmarrjen më të lartë në votime. Në zgjedhjet federale të vitit 2013, rreth 80 përqind e njerëzve të moshuar kanë votuar, që është shumë më shumë sesa mesatarja e përgjithshme e të gjitha zgjedhjeve pas Luftës së Dytë Botërore, me rreth 73 përqind. Në vitin 2017 kanë votuar 81 % e personave të moshës 60 deri në 69 vjeç.

Në mjediset rurale janë më konservatorë

Ekzistojnë gjithashtu dallime të konsiderueshme midis zonave urbane dhe rurale. Vendimet për përdorimin e energjisë së ripërtëritshme merren në kryeqytet dhe këto vendime kanë më shumë mbështetje në metropole. Por njerëzit në fshat janë ata që përballen me zbatimin e këtyre vendimeve, pra me vendosjen e pajisjeve apor turbinave për energji me erë apo përfitimin e energjisë nga dielle, ndaj ata janë mjaft skeptikë.

Një studim nga Universiteti i Kembrixhit është marrë me sjelljen e votuesve në zonat urbane dhe rurale, në të gjitha vendet e BE-së. Rezultati: njerëzit në zonat rurale janë më konservatorë sesa ata në qytet. Ata janë më skeptikë për çështjet e migrimit, pasojat e globalizimit dhe ndryshimit të klimës.

Por studiuesit kanë konstatuar po ashtu se njerëzit në zonat rurale votojnë më shumë sesa ata në qytete. E kjo do të thotë se partitë e themeluara kaherë kanë më shumë shanse të fitojnë votat e tyre.

Nico Siegel thotë për DW: “Të Gjelbrit kanë fortesat e tyre në mjedisin urban, ku ka më shumë votues të rinj me shkollim akademik. Mund të thuhet pra se ata janë votuesit klasikë të ekologjistëve. Unioni është ende në vend të parë në zonat rurale. Votuesit i kanë edhe temat e tyre të preferuara: për shembull, kur mendojmë për konceptet e mobilitetit në të ardhmen”. Njerëzit e moshuar në zonat rurale vështirë se mund të heqin dorë nga makinat e tyre.

Votuesit po ndryshojnë qëndrimet

Por në përgjithësi, qëndrimet e votuesve kanë ndryshuar dhe surprizat janë të mundshme. Në qershor, për shembull, kandidati për kancelar i CDU-së, Armin Laschet, kishte mbështetje edhe tek të rinjtë, sipas një sondazhi të bërë nga Instituti Appinio.

Asokohe për Laschetin do të votonin 26 përqind e të anketuarve midis 16 dhe 24 vjeç. Por 18 përqind e të anketuarve thonë se do të votonin edhe për partitë më të vogla. Me fjalë të tjera: sjellja e votuesve po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme./DW

Lajmet e fundit nga