LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse po dështon Haga në Ballkan, dhe pse pati sukses Nurembergu me Gjermaninë

16 Qershor 2021, 05:59, Blog CNA
Pse po dështon Haga në Ballkan, dhe pse pati sukses Nurembergu me

Nga Igor Pellicciari ?Formiche.net?

Më 8 qershor, një muaj përpara datës së përvjetorit të saj në korrik, Masakra e Srebrenicës është rikthyer në qendër të vëmendjes. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe, ndërkohë që ish-gjeneralit serbo-boshnjak Ratko Mlladiç,mori dënimin e shkallës së dytë me burgim të përjetshëm,i akuzuar si autor i asaj që ishte faqja më e errët dhe më tragjike në historinë evropiane të pas Luftës së Dytë Botërore.

Ishte kjo që e tronditi thellë botën në atëkohë, dhe e bindi SHBA-në e administratës së Bill Klinton të ndërhynte drejtpërdrejt për t?i dhënë fund konfliktit në Bosnje Hercegovinë. Për ata që i kanë provuar ato ngjarje si dëshmitarë okularë, rezultati i procesit gjyqësor ishte i dukshëm,e megjithatë ai pritej me padurim me shpresën se do të shkëpuste marrëdhëniet me një të kaluar tragjike, tek e cila asnjë njeri normal nuk do të donte të rikthehej qoftë edhe pjesërisht.

Por ai vendim jo vetëm që nuk e ka mbyllur kapitullin e përgjegjësisë individuale për atë që ka ndodhur në luftë, por madje duket se i ka përkeqësuar ndarjet etniko-politike në zonë. Mjafton të kujtojmë udhëheqësin serb të Bosnjes, njëherazi anëtar të presidencës kolegjiale në Sarajevë, Milorad Dodik (që në kohën e ngjarjeve në Srebrenicë ishte kundërshtar politik i Radovan Karaxhiç), i cili deklaroi se vendimi ishte i padrejtë, si dhe një dënimin kolektiv dhe paragjykues kundër popullit serb.

Në raste të tjera, deklarata të tilla do të kishin sjellë protesta të mëdha në sheshet e qyteteve. Por ato janë thjeshtë një tregues i trishtë i një vendi që është i bllokuar prej dekadash në paqartësinë e pasluftës. Një ndër arsyet e këtij operacioni gjyqësor jo të plotë (ta quash njëështim do të ishte e padrejtë duke qenë se disa rezultate janë parë) është roli i Gjykatës Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, struktura e diskutueshme dhe organizimi kontradiktor i punës që ka ndodhur në këto vjet

Ajo ka arritur shumë pak nga objektivat që bashkësia ndërkombëtare i vuri vetes. E themeluar në vitin 1993, në mesin e konfliktit boshnjak, kjo gjykatë supozohej të vepronte në radhë të parë si një parandaluese e përsëritjes së krimeve të luftës që kishin ndodhur tashmë në Bijelina, Brcko, Zvornik, Doboj etj.

Ndërkohë, Masakra e Srebrenicës ndodhi dy vjet më vonë, në vitin 1995, madje e shpallur

në mënyrë provokative dhe në dritën e diellit, ashtu si episodet e tjera që do të pasonin në fillim në Bosnjë dhe më pas në Kosovë, duke qenë akte kriminale kundër civilëve të paarmatosur, të kryera shpesh nga grupimet paraushtarake.

Sapo përfunduan konfliktet ballkanike, periudha e pasluftës përfaqësoi fiziologjikisht një kontekst që e shtoi volumin e punës së kësaj gjykate, teksa nënvizoi në të njëjtën kohë edhe dobësitë e saj kryesore. Që të gjitha këto të fundit kishin të bënin me aspektet gjyqësore, politike dhe institucionale, shpesh të lidhura bashkë në një formë osmotike.

Kjo është më e dukshme kur krahasohet me Gjykatën Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut, precedenti historik dhe referencë për të gjitha procedurat penale kundër krimeve të luftës.

Krahasuar me Nurembergun, që u ngrit pas disfatës së qartë të nazizmit, sfida kryesore e Hagës, është të veprojë në një kontekst boshnjak, ku fundi i armiqësive i shënuar nga Marrëveshjet e paqes së Dejtonit (nënshkruar vetëm 5 muaj pas Srebrenicës),nuk arritën të përcaktojë qartë një kornizë politiko-institucionale se kush ishin fituesit dhe kush humbësit.

Jo aq në nivelin ushtarak se sa në vlerat kushtetuese të shtetit të ri, që në fakt sanksionoi ndarjen mbi një bazë etniko-fetare, i përndjekur nga të njëjtat nacionalizma që kishin shkaktuar konfliktin.

Por delegimi i përcaktimit të një të vërtete historike të pasluftës, e ndarë jo në një nivel politik-institucional (një hap brutal, por i domosdoshëm në çdo periudhë të pasluftës) por në një rrugë gjyqësore ndërkombëtare, e cila gjykon më shumë sesa aktet kriminale idetë që i frymëzuan, ka çuar në politizimin e drejtësisë.

Për më tepër, leximi politik i ngjarjeve gjyqësore dhe efektet e tyre negative, janë edhe më shkatërruese nëse drejtësia shprehet me vite vonesë. Ndërsa Nurembergu pati sukses edhe sepse mbaroi punë brenda 1 viti, dënimi i Mlladiç vjen 26 vjet pas Masakrës së Srebrenicës.

Pra ai ka humbur shumë nga kuptimi i tij origjinal, duke krijuar boshllëqe të interpretueshme, të cilat mund të plotësohen nga aktorët politikë të momentit. Dhe kjo gjë çon në një vlerësim përfundimtar të një natyre institucionale. Nuk është rastësi që Haga dhe Nurembergu shoqërohen zakonisht në formë gjinore me dy emra të ndryshëm:i pari te ?Gjykata?, i dyti ?Gjyqi?.

Gjykata e Hagës është institucionalizuar në dekadat e fundit si një Organizatë Ndërkombëtare e pavarur, si për kostot e konsiderueshme të menaxhimit të saj, ashtu edhe për personelin e përhershëm administrativ që punon atje.

Ky proces i burokratizimit ka sjellë me vete dukurinë klasike të transpozimit të qëllimeve, me organizatën që është e interesuar të ndjekë, përveç objektivave për të cilat është themeluar, edhe masat për mirëqenien e saj.

Nga ky këndvështrim, gjyqet e Gjykatës së Hagës u krijuan dhe u menaxhuan si projekte reale të asistencës teknike, të cilat e justifikuan mbijetesën e tyre dhe zhvillimin organizativ. Me dëmin anësor që në këtë mënyrë kontribuon në ngarkimin e tepruar të procedurës gjyqësore, duke shumëzuar hapat e ndërmjetëm të nevojshëm për të arritur një dënim përfundimtar në procedurat e ndryshme.

Nga ana tjetër,Gjyqi i Nurembergut nuk shkoi përtej gjykimit të hierarkëve nazistë (dhe nuk u kthye në një gjykatë të përhershme). Ndoshta pikërisht këtu qëndron suksesi në rilindjen e shoqërisë gjermane të pasluftës./CNA.al

Lajmet e fundit nga