web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Historia prekëse/ Nga shitës qesesh në Botëror, trajneri që e zbuloi nuk e ndoqi dot

25 Qershor 2026, 08:50, Sport CNA

Historia prekëse/ Nga shitës qesesh në Botëror, trajneri

Benjamin Asare po kthehet në një nga emrat më të përfolur të Kupës së Botës pas paraqitjeve të tij me kombëtaren e Ganës. Portieri ganez ishte vendimtar në barazimin 0-0 ndaj Anglisë, rezultat që e mban skuadrën afrikane në pozita të favorshme për kualifikimin në fazën eliminatore të turneut. Falë këtij barazimi, Gana ka arritur në kuotën e katër pikëve pas dy ndeshjeve dhe vazhdon të mos ketë pësuar asnjë gol në këtë Botëror. Deri në këtë fazë të garës, vetëm Argjentina, Spanja, Meksika dhe Gana kanë ruajtur portën të paprekur. Një pjesë e madhe e meritave i takojnë pikërisht Benjamin Asares, i cili ndaj Anglisë reagoi saktë në momentet kur skuadra e tij kishte nevojë.

Megjithatë, historia e portierit ganez nuk ka nisur në stadiumet e mëdha. Karriera e tij profesionale u zhvillua gradualisht dhe vetëm shtatë vite më parë trajneri Enor Uoker e zbuloi talentin e tij dhe e afroi te Gret Olimpiks, një klub i elitës së futbollit ganez. Uoker besoi te aftësitë e portierit dhe e mbështeti edhe financiarisht, duke i paguar shpesh shpenzimet e transportit. Përpara se të siguronte jetesën nga futbolli, Asare kishte kryer profesione të ndryshme. Në moshë të vogël shiste qese plastike, më vonë mësoi zanatin e zdrukthëtarit dhe punoi në përpunimin e metaleve. Për një periudhë ishte edhe konduktor autobusi, ndërsa vazhdonte të ndiqte ëndrrën për t’u bërë futbollist profesionist. Karriera e tij u përball me një tjetër pengesë të madhe në moshën 28-vjeçare. Një dëmtim i rëndë i këmbës e la jashtë fushave për rreth një vit e gjysmë. Në atë periudhë, disa mjekë i sugjeruan të hiqte dorë nga futbolli. Megjithatë, ai vazhdoi procesin e rikuperimit dhe arriti të rikthehej në aktivitet. Një moment i rëndësishëm në karrierën e tij erdhi në vitin 2024, kur firmosi me Hearts of Oak, një nga klubet më të njohura të Ganës me 114 vite histori. Në sezonin e kaluar, skuadra përfundoi në vendin e tretë të kampionatit dhe pësoi vetëm 15 gola në 34 ndeshje, statistikë ku ndikim të madh pati siguria e Asares në portë.

Pavarësisht formës së mirë në kampionat, deri në vitin 2025 ai nuk kishte luajtur asnjëherë me kombëtaren dhe nuk kishte përvojë në turne ndërkombëtarë. Gjithçka ndryshoi gjatë kualifikueseve të Kupës së Botës, ku zhvilloi gjashtë ndeshje dhe pësoi vetëm një gol. Paraqitjet e tij bindën stafin teknik që t’i besonte vendin e titullarit edhe në fazën finale të Botërorit. Historia e tij fitoi vëmendje të madhe edhe jashtë fushës. Pas debutimit me kombëtaren, në rrjetet sociale u shpërnda një video ku Asare shihej duke udhëtuar me minibus. Videoja preku një biznesmen vendas, i cili vendosi t’i dhuronte një automjet si vlerësim për rrugëtimin dhe këmbënguljen e tij.

Në Kupën e Botës, Asare ka regjistruar nga tri pritje në secilën prej dy ndeshjeve të para, fillimisht në fitoren 1-0 ndaj Panamasë dhe më pas në barazimin 0-0 ndaj Anglisë. Kontributi i tij ka qenë vendimtar që Gana të mbetet pa pësuar gol deri tani. Jashtë futbollit, portieri njihet edhe për përkushtimin ndaj familjes. Ai është kujdesur për gjyshen e tij, e cila ka humbur një këmbë, duke e ndihmuar në përditshmëri përpara se të nisej drejt stërvitjeve. Vetë Asare ka treguar se shpesh është ai që merret personalisht me nevojat e saj. Ndërkohë, trajneri Enor Uoker, njeriu që besoi te portieri kur ai luante në nivelet më të ulëta, nuk arriti ta shohë suksesin më të madh të ish-lojtarit të tij. Uoker ndërroi jetë vjeshtën e kaluar në moshën 62-vjeçare. Tani vëmendja e Ganës është përqendruar te ndeshja e fundit e grupit kundër Kroacisë më 28 qershor.





Lajmet e fundit nga