web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Krijoi i vetëm muze në Pustec/ Mësuesi Spase Tërpo ruan me fanatizëm vlerat kulturore

11 Prill 2024, 23:12, Qyteti im CNA
Krijoi i vetëm muze në Pustec/ Mësuesi Spase Tërpo ruan me
Mësuesi Spase Tërpo

Turizmi në juglindje çdo vit e më tepër ka pësuar një rritje të lartë të vendeve akomoduese, bujtinave, restoranteve si edhe fluks të vizitorëve vendas e të huaj. Por krahas aseteve turistike që ka ky qark, përfshirë këtu edhe fshatrat turistikë, një zhvillim të madh po marrin edhe asetet kulturore dhe historike. Në bashkinë e Pustecit, ndonëse një bashki e vogël me popullsi minoritare, turizmi po zhvillohet dita ditës, ndërsa sezoni turistik pas pandemisë ka pësuar një hov.

Në reportazhin e radhës për shikuesit e CNA TV, do të sjellim një personazh mjaft të veçantë që ka krijuar një muze pikërisht në Pustec. Ai është mësuesi i histori - gjeografisë në shkollën e Liqenasit, Spase Tërpo, i cili e ka kthyer banesën e vjetër të familjes në një muze shumë interesant që përfshin periudha të ndryshme historike dhe nxjerr në pah traditën e zonës.

Krijoi i vetëm muze në Pustec/ Mësuesi Spase Tërpo ruan me

Spase Tërpo prej 17 vitesh ushtron funksionin e mësuesit në zonë, një profesion aq të dashur për të dhe me një pasion shumë të madh për historinë e vendit. Në këtë intervistë ai tregon se si lindi ideja për ta kthyer banesën e gjyshërve të tij në një muze historik, me vlera e tradita të zonës së Pustecit, duke përfshirë qindra objekte e dokumenta të vjetra që prej shekullit të 19 e deri në ditët e sotme.

"Unë kam rreth 17 vjet që jam mësues pranë Shkollës së Bashkuar Liqenas ku jap lëndën histori - gjeografi dhe kam punuar pothuajse gjatë gjithë kohës në zonën tonë dhe ideja ime ka ardhur për krijimin e një muzeu të tillë për faktin se familja ime ka qenë një familje e vjetër e zonës, kishin mbledhur shumë gjëra të vjetra sidomos gjyshi dhe gjyshja ime. Duke parë që një ditë edhe zona jonë do zhvillohej sepse turizmi është dega bazë sot ku mund të kemi të ardhura më të larta, vendosa që gjërat ti sistemoj në pjesë të shtëpisë time."

Krijoi i vetëm muze në Pustec/ Mësuesi Spase Tërpo ruan me

Fillimi i këtij projekti kaq interesant ka qenë i vështirë për Spasen dhe për familjarët e tij, të cilët kanë ruajtur prej vitesh objektet e vjetra me aq kujdes. Nëna dhe tezja e tij janë kujdesur që këto objekte të mos dëmtohen dhe sot të jenë pjesë e këtij muzeu për të treguar shumë nga historia e zonës së Pustecit, po ashtu edhe e shtetit shqiptar.

"Gjithmonë fillimi është i vështirë por inicimi ishte pikërisht nga disa grupe turistësh që kalonin në zonën time. Në atë kohë gjyshi im jetonte dhe qëndronte jashtë shtëpisë dhe turistët i afroheshin dhe i flisnin. Mendova pse shtëpinë e vjetër mos e kthej në një diçka interesante ku mund të shohin diçka me vlerë që e kemi në zonën tonë. Kështu e nisëm si rrugëtim. Më pas me ndihmën e mamit, tezes i mblodhëm gjërat në fillim, për të parë çfarë kemi e çfarë mungon, dhe sot e kësaj dite vazhdojmë të merremi me këtë punë. Punë e lodhshme është patjetër sepse shumë gjëra nuk mund t’i gjesh, duhet t’i kërkosh nëpër fshatrat e tjera, por mundohemi, disa herë edhe i blejmë."

Ndërtesa dykatëshe më herët ka qenë banesa ku jetonin pjesëtarët e familjes Tërpo, e Spasja vendosi që ta ndante në 3 dhoma, secila prej tyre me një qëllim ndryshe.

Krijoi i vetëm muze në Pustec/ Mësuesi Spase Tërpo ruan me

Në dhomën e parë ai ka futur një sërë objektesh duke nisur nga veshjet popullore, veglat e punës, enët e asaj kohe, ndërsa arsyeja e vendosjes së këtyre objekteve brenda një dhome mbetet një nga më të veçantat por edhe më identifikuese për atë kohë.

"Ky mini muze përbëhet nga 3 pjesë/dhoma ku fillojmë nga dhoma më e vjetër që i përket fundit të shekullit të 19 dhe fillimit të shekullit 20. E kam improvizuar në një dhomë të veçantë, me të gjitha objektet, sendet, enët, veglat e punës, veshjet e asaj kohe, në një vend për arsye se të parët tanë në atë kohë jetonin në një dhomë dhe mbanin çdo gjë brenda asaj dhome. Bënin bukën, hanin, flinin, laheshin, punonin leshin e të gjitha me rradhë, dhe pikërisht kjo është dhoma e parë ku janë të vendosura pothuajse pjesa më e madhe e objekteve."

Spasja thotë se të gjitha gjërat e vendosura brenda kësaj dhome kanë historinë dhe vlerën e tyre, ndaj ai e ka shumë të vështirë ti veçojë. Në këtë dhomë mbizotëron ngjyra e zezë që paraqet politikën agresive në periudhën e pushtimit osman, edhe për faktin se populli i Pustecit nuk e ndërroi besimin gjatë kësaj kohe duke vazhduar të mbanin besimin ortodoks.

Krijoi i vetëm muze në Pustec/ Mësuesi Spase Tërpo ruan me

"Për mendimin tim të gjitha gjërat janë të veçanta. Çdo objekt që gjendet këtu e ka historinë dhe vlerën e saj, prandaj unë nuk e kam ndarë se kush është më e veçanta dhe më ndryshe se objektet e tjera. Çdo njeri që vjen, sidomos të huajt, janë me një entuziazëm të madh për ta parë këtë pjesë dhe mendojnë se kanë shumë vlera. Fundi i shekullit të 19, dhe fillimi i shekullit të 20, kur ne ishim nën pushtimin e perandorisë osmane, dhe siç shihet edhe ngjyra që dominon këtu është e zeza për shkak se edhe në zonën tonë osmanët kanë ndjekur një politikë agresive, me vrasje. Plus ne si zonë nuk e ndërruam besimin, vazhduam të krishterë dhe kjo ishte diçka që bëri që popullsia këtu tek ne të sakrifikohej. Sipas disa të dhënave mendohet se ngjyra e zezë është dominante për këtë fakt."

Në dhomën tjetër të muzeut vizitorët ndeshen me një periudhë tjetër historike, ata të komunizmit. Duke qenë një periudhë e gjatë që shqiptarët e kanë jetuar, Spasja thotë se nuk mund të mos e përfshinte në muzeun e tij. Ajo çka të bën përshtypje është fakti se turistët janë mjaft të prirur për të njohur më tepër lidhur me këtë periudhë, duke e krahasuar Shqipërinë me shtete të tjera si Korea e Veriut dhe me shtete të Afrikës.

Krijoi i vetëm muze në Pustec/ Mësuesi Spase Tërpo ruan me

"Pjesa tjetër e muzeut është pjesa ku kemi paraqitur disa mobilje të periudhës së komunizmit por edhe shumë libra të asaj kohe që tregojnë qartë se si jetonim ne në atë kohë dhe çfarë objektesh dhe mobiljesh mbanim në shtëpitë tona. Periudha e komunizmit ka qenë një përiudhë e gjatë që kemi jetuar dhe s'mundej që këtë periudhë mos e përfshija në muze. Është një nga periudhat ku të huajt janë gjithmonë shumë të interesuar dhe duan të dinë shumë, sepse sot e krahasojnë me disa shtete si Korea e Veriut apo shtete të tjera në Afrikë dhe pikërisht për këtë arsye u mundova të gjej librat, veprat e periudhës komuniste, libra te shkruara nga diktatori Enver Hoxha. Interesi është shumë i madh nga të huajt pasi nuk kanë parë dhe nuk kanë dëgjuar shumë për këtë pjesë të historisë së Shqipërisë. Këtu gjejmë radio të vjetra, makina shkrimi, televizor të vjetër Lura, disa dokumenta të familjes time shumë të vjetra, deftesa lirimi, ftesa dasme dhe është një nga pjesët interesante që tërheq vëmendjen e shumë të huajve."

Të dyja këto dhoma gjenden në katin e dytë të banesës, ndërsa e veçantë mbetet edhe hyrja në këtë muze. Fotot e hershme që i përkasin viteve 1926, monedha të ndryshme të përdorura gjatë këtyre viteve, si edhe dokumente shumë të vjetra që tregojnë shumë për traditën e kësaj zone, janë vendosur aq bukur në muret dhe ambjentin e ndërtesës. Spase Tërpo tregon se këto detaje janë ruajtur më së miri nga gjyshi i tij, aq i apasionuar pas historisë.

Krijoi i vetëm muze në Pustec/ Mësuesi Spase Tërpo ruan me

"Kjo është pjesa hyrëse e muzeut, ku në këtë pjesë unë kam vendosur disa foto familjare që datojnë nga viti 1926-1927, dhe pothuajse të gjitha fotot i kam vendosur me datën përkatëse për arsye se gjyshi dhe gjyshja ime ishin të interesuar për fotot, e prapa çdo fotoje kanë shkruar edhe datën kur është bërë. Po në këtë pjesë kam vendosur disa monedha të vjetra të kohërave të ndryshme që janë përdorur në vendin tonë si monedha franga zvicerane, monedha turke, të perandorisë osmane, monedha të vjetra drakma greke që janë përdorur në zonën tonë si zonë kufitare. Instrumentet muzikore që janë përdorur në shumë dasma në zonën tonë, madje klarineta është një nga më të vjetrat e përdorura në dasmat tona. Radio e vjetër, album familjar, disa dokumenta të vjetra të gjyshit tim qe ishte mësuesi i parë në gjuhë maqedonase në zonën tonë, pra është pjesa hyrëse e muzeut ku më pas shohim edhe pjesët e tjera që i përmendëm më sipër."

Muzeu i mësuesit Tërpo ka 7 vite që është hapur dhe që vijon të punohet edhe sot për ta zgjeruar më tepër si projekt. Të shumtë janë turistët e huaj që zgjedhin të vizitojnë Pustecin dhe pikërisht këtë muze. Qëllimi i mësuesit është të kthejë këtë zonë në destinacion jo vetëm për asetet natyrore, por edhe për ato kulturore.

Krijoi i vetëm muze në Pustec/ Mësuesi Spase Tërpo ruan me

"Kam 7 vite që e kam hapur më seriozisht këtë projekt dhe gjithmonë kam patur vizitorë. Vetëm pjesa e periudhës së pandemisë kishte më pak vizitorë, por faktikisht muzeun e kam bërë për hobi dhe patjetër që janë të mirëpritur vizitorët. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të huaj, ku dominojnë hollandezët, belgët, anglezë, gjermanë, të cilët janë shumë të interesuar madje ikin me fjalë të mira. Shpresoj që në të ardhmen edhe unë të mundohem të bëj diçka më tepër, ta zgjeroj këtë si projekt sepse duam që zona jonë të kthehet në zonë me vlera të mëdha, jo vetëm natyrore por edhe kulturore dhe të jetë një nga zonat më të vizituara të qarkut të Korçës."

Spase Tërpo kujdeset deri në detaj për ruajtjen e vlerave të mëdha që ka zona e Pustecit, e falë bashkëpunimit me banorë të fshatrave në këtë bashki, ai ka mundur të realizojë një nga muzetë më të bukur që ka juglindja. Nëpërmjet këtij reportazhi, CNA TV ju sugjeron që të mos e humbisni mundësinë për ta vizituar nga afër muzeun, ndërsa iu vendos në dispozicion edhe numrin e telefonit të mësuesit Spase Tërpo për të mundësuar vizitën tuaj atje./ CNA





Lajmet e fundit nga