web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“As e vogël, as e madhe"/ Bujtina më e veçantë në qytetin e Ersekës

3 Mars 2024, 17:30, Qyteti im CNA

“As e vogël, as e madhe"/ Bujtina më e veçantë

Kështu është quajtur një nga bujtinat më te veçanta në qytetin e Ersekës. Një punë shumëvjeçare e familjes Çaushi, të cilët vitin e kaluar kanë hapur dyert e një bujtine mikpritëse që nxjerr në pah traditën kolonjare me arredimin dhe ushqimin. Robert Çaushin e njohin të gjithë në Kolonjë, pasi ai është artist i pikturës dhe gdhendjes së objekteve, çka e ka ndihmuar që në ambientet e brendshme të bujtinës të ketë edhe punët e tij personale të vendosura në mure. Fillimisht Roberti na tregon si i lindi ideja për të ndërtuar një bujtinë në Ersekë.

"Që kur fillova ndërtimin, meqë objekti ka qenë ndërtesë e vjetër kur e kam blerë unë, fasadën e kemi ruajtur origjinale siç ishte, e traditës. Po ashtu kemi ruajtur edhe fasadën brenda me gur, dhe meqenëse ishte në një vend të mirë, duke parë dhe lëvizjet që po bëheshin në zonën tonë dhe në qytet që kishte kërkesa të turistëve, më ngacmoi kjo ide dhe e fillova punën vet. E fillova që me ndarjen e dhomave dhe deri te mobilimi i tyre. Ishte një kohë e gjatë se çdo gjë e kam bërë vetë, bashkë me zonjën time dhe me djalin, dhe vjet filloi funksionimi i bujtinës sonë."

Normalisht që ajo që tërheq vëmendjen është emri i vendosur, një emër i njohur në folklorin shqiptar, por që iu përshtat mjaft mirë bujtinës.

"Për emrin e kemi vrarë mendjen shumë. Është pak ngacmues se ‘as e vogël, as e madhe’ është e njohur në të gjithë vendin, nga tradita, muzika, folklori ynë. Mirëpo unë e bëra pak me ‘cëk’, duke llogaritur që kjo ndërtesë nuk është as shumë e vogël, as shumë e madhe dhe ndjeva kënaqësi derisa i përcaktova këtë emër. Them se kam bërë mirë."

Bujtina "As e vogël, as e madhe" hapi dyert për klientët vitin e shkuar. Vetë Roberti tregon se fillimi ka qenë i vështirë, por turistët nuk kanë munguar.

"Vjet filluam për herë të parë, në fillim ishte pak e vështirë, derisa pamë që rrjetet sociale ndikuan më tepër. Duke parë promovimin që i është bërë zonës sonë, që Kolonja është vend i kërkuar për çdo turist, filluan të vijnë një nga një. Jam i kënaqur nga kërkesat që patëm vjet. Besoj se sivjet do të ketë edhe më shumë."

Bujtina e ndodhur në mes të qytetit të Ersekës, sjell për klientët disa dhoma, të arreduara të gjitha në mënyrë tradicionale, ku mbizotëron elementi i gurit dhe drurit. Po ashtu, ushqimi është pjesa kryesore që do të mbajë gjallë aktivitetin e po ashtu turizmin e zonës.

"Gjithsej janë 6 dhoma, 13 shtretër. Në frymë arredimin e kam bërë me gjëra të zonës sonë, çdo gjë me dru që t’i përshtatet traditës. Edhe tavanet janë me dru, rozetat e tavaneve po ashtu me dru, janë të gjitha të zonës sonë duke ruajtur arkitekturën. Deri diku jam munduar, por shoh se duhet të rregulloj disa gjëra për t’i përshtatur më mirë. Gjatë kësaj kohe, jemi në proces për të krijuar një ambient poshtë për mëngjesin. Edhe këtë, që në fillimin e ndërtimit të ambientit dhe arredimit, edhe ushqimi do të jetë tradicional i zonës. Ato që gatuhen nëpër fshatra, nëpër shtëpi, ato që kemi ne traditë. Me ç’kam dëgjuar në bujtina e hotele, ushqimi ynë pëlqehet shumë. Besoj se shumë shpejt do ta mbaroj dhe do të jetë në funksion."

Robert Çaushi tregon se vizitorët e parë që janë akomoduar në këtë bujtinë kanë qenë italianë, e si duket kanë sjellë mbarësi për aktivitetin. Krahas vizitorëve shqiptarë, duket se të shumtë në numër janë edhe turistët e huaj, të cilët zgjedhin mes shumë destinacioneve të bukura shqiptare, edhe Kolonjën.

"Vizitorët kanë qenë të ndryshëm. Ka pasur të vendeve të ndryshme veç shqiptarëve, nga shtete të ndryshme. Vështirësinë e kemi pasur pak në komunikim, por me shenja, dhe na janë shprehur dhe i kemi parë të kënaqur. Nga përshtypjet që ata kanë shkruar më pas, e kemi parë që kanë qenë të kënaqur. Ka pasur shumë spanjollë, francezë, italianë, të cilët kanë qenë të parët që ‘kanë bërë këmbë’ në bujtina. Ka pasur jo shumë raste familjarisht, më tepër vijnë me shoqëri, kanë ndenjur një natë ose dy net, dhe kanë udhëtuar nëpër qytete të tjera."

Si çdo prind, ajo që mendoj për të ardhmen është fëmija” - kështu shprehet Roberti duke treguar se qëllimi i tij është që djali të vazhdojë aktivitetin familjar.

"Qëllimi im ka qenë të arrija të bëja diçka, që e kisha menduar, ia arrita dhe u kënaqa që e bëra. Tani çdo punë është në funksion të djalit, se ikin vitet, mosha, dhe si çdo prind qëllimi është t’i bëjë diçka fëmijës. Deri tani besoj se do ta vazhdojë djali, ta plotësojë dhe ta ndiejë edhe ai kënaqësinë e kësaj pune disavjeçare. E ka dhe ai sedrën, dëshirën për të bërë diçka dhe besoj se do të plotësohet më shumë."

Kolonja është një nga zonat më të mrekullueshme që ka juglindja, me atraksione të shumta turistike e kulturore, që nxjerrin në pah traditën e veçantë kolonjare. Vitet e fundit, kjo zonë ka hasur një zhvillim të madh të turizmit, e fatmirësisht, ka edhe pika akomoduese mjaft mikpritëse dhe të ngrohta për të qëndruar disa ditë pushimi. Për të gjithë të interesuarit, CNA u vendos në dispozicion numrin e kontaktit të bujtinës "As e vogël, as e madhe"./ CNA





Lajmet e fundit nga