web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Erion Isai, jeta si kryetar bashkie dhe si artist!

18 Shkurt 2024, 15:23, Qyteti im CNA

Erion Isai, jeta si kryetar bashkie dhe si artist!

E nisëm intervistën me Isain me pyetjen më të shpeshtë që mbase i bëhet si personazh, por ajo çka tërheq vëmendjen është përgjigjja e tij.

"Unë nuk i ndaj dot të dyja se s'bëj dot tani pa njërën apo pa tjetrën, por mundohem të gjej artin te kryetari i bashkisë dhe t’i jap autoritetin e kryetarit të bashkisë artit ku unë punoj."

Erion Isai prej 4 vitesh e gjysmë është në drejtim të Bashkisë Kolonjë, një bashki e vogël dhe që vite më parë nuk ka pasur promovimin e duhur për të rritur zhvillimin e zonës. Erioni tregon se është shumë e vështirë të jetë në ketë detyrë, ndërsa thekson edhe dy sfidat më të mëdha.

Erion Isai, jeta si kryetar bashkie dhe si artist!

"Është shumë e vështirë të jesh kryetar bashkie në Shqipëri, por edhe i një bashkie të vogël. Ti je akses i drejtpërdrejtë për çdo gjë, dhe njerëzit të japin atributet e të plotfuqishmit, gati të Zotit, mendojnë për fat të keq se çdo e mirë ju vjen nga vetja, ndërsa çdo e keqe ju vjen nga kryetari i bashkisë. Dhe ky është momenti më i vështirë për punën që ke.

Në këndvështrimin tim ka ecur shumë mirë, por mendoj që duhen parë në tërësi. Nuk është ajo që unë do doja, patjetër, do ta doja edhe më shumë, më mirë. Dy janë sfidat që më dhembin në këto 4 vjet e gjysmë, ekonomia dhe emigrimi."

Kolonja është një nga zonat më atraktive të juglindjes, me një sërë atraksionesh turistike. Isai tregon se kanë bërë një transformim të madh në zhvillimin e turizmit, e këtë e tregojnë më së miri shifrat dhe statistikat e vizitorëve në zonë. Fokusi kryesor për turizmin është nxitja e të rinjve për të investuar në bujtina dhe agroturizëm, ndonëse në këto vite janë shtuar disa pika akomoduese.

Erion Isai, jeta si kryetar bashkie dhe si artist!

"Ne kemi bërë një transformim të madh në këtë gjë. Në vitin 2019 kur unë dhe stafi flisnim për turizmin, njerëzit e kthenin në humor, por viti 2023 u mbyll me 28 mijë fjetje, dhe vinim nga 2022 me 11 mijë, pra mbi dyfishim nga 2022-shi në 2023-shin. Ky nuk është atribut i punës si bashki, por edhe i një fluksi turistik që kaloi mbi 10 milionë e besoj që kjo është arsyeja që edhe ne patëm këta numra. Patjetër që duhet t’i japim fokus injektimit të nxitjes sidomos të të rinjve, për të parë bujtinat dhe agroturizmin si sektor zhvillimi. Kanë qenë 4 kur kemi filluar, janë 17 sot e në proces hapjeje 2 të tjera. Unë mendoj që kemi kaluar në problemin që ne nuk kemi kapacitetet e nevojshme të shtretërve dhe nevoja më ulëritëse është ekonomia e turizmit si qark, jo vetëm ne si Kolonjë, por dalja me një paketë që ka Pogradeci, Maliqi, Devolli, Pusteci, Korça, Kolonja, në një paketë turistike që besoj do ta dhjetëfishojë ekonominë e të gjitha vendeve bashkë."

Krahas detyrës si kryetar bashkie që siç duket ka ecur mjaft mirë për Erion Isain, ai është i angazhuar edhe në shfaqje të ndryshme teatrale. Pasioni për regjisurën jo vetëm që nuk shuhet për artistin, por shtohet dita-ditës, aq sa për ta bërë lidhjen me artin të palëkundur. Erioni tregon shfaqjen e fundit që ka përmbyllur, duke cekur edhe mesazhin që ajo jep. Ai ka dy plane të tjera që kërkon t’i realizojë, por duket se duhet gjetur hapësira nga detyra e parë, për t’ia dalë edhe me pasionin e tij në art.

Erion Isai, jeta si kryetar bashkie dhe si artist!

"Unë sapo kam përmbyllur ‘Tërësisht të huaj’ që me keqardhje e kam përmbyllur për shkak se në disa prej aktorëve ka pasur lëvizje. Është një shfaqje që ka për vokacion teknologjinë dhe atë çfarë unë e kam quajtur bipolaritet virtual. Njerëzit sot janë bipolarë virtualë, apo siç thotë autori ne kemi tri jetë, një jetë private, një publike dhe një sekrete. Pati një vokacion të jashtëzakonshëm, është fitues i 4 çmimeve në festivalin e ‘Koko Fest’. Kam dy plane të reja që për dreq po i shtyj që të dyja, një me të rinjtë e Korçës për një muzikal të veçantë, dhe tjetra të vendosim ‘Kalorësit e Aristofanit’, një shfaqje të antikitetit grek. Por detyra e kryetarit të bashkisë prevalon, kur ta gjej këtë xhep, do t’i bëj të dyja."

Detyra e kryetarit të bashkisë normalisht që i merr shumë kohë nga përditshmëria e Erionit. Edhe pse në këtë situatë, atij nuk i mungon arti për shkak se është i angazhuar, duke treguar edhe projektet në të cilat ai punon së fundmi.

"Nuk më mungon në atë aspekt se unë jam i angazhuar në art, jam skenarist i disa prej emisioneve të humorit nga puna ‘online’. Nuk i mungoj ‘Këngës Magjike’ me skenar, dhe teatrit. Ndërsa aktrimit, unë nuk mbahem si një nga aktorët më të mirë, e kam thënë gjithmonë, unë pikën time me të fortë dhe në ‘Portokalli’ kam pasur idetë dhe skenarët. Nuk më mungon, dhe nuk kam në plan t’i kthehem."

Erion Isai, jeta si kryetar bashkie dhe si artist!

Por cilat janë objektivat e Erion Isait?

Ai tregon se nuk ka ambicie në politikë, por në art i ka të pafundme. Është i qartë në atë çka do të arrijë në karrierën e tij, që te regjisura e deri te pedagogjia.

"Rritja e dy gocave më ka bërë njeri të ndjeshëm, çuditërisht nuk e prisja kaq. Pritshmëritë i kam të jemi mirë me shëndet njëherë, pastaj të gjitha të tjerat. Njeriu nuk ka ngopje as me karrierë, as me ekonomi, as me të ecur. Mundohem shpesh ta kthej veten me kokën mbrapa dhe ndihem i bekuar për çfarë zoti më ka dhënë. Këtë që kam, e kam detyrë, nuk kam asnjë lloj ambicie në politikë, e shoh si angazhim që të tjerët ma japin si detyrë. Nëse dikush e sheh unë nuk jam nga ata që them s’e bëj dot. Këtu jam kolonjar, e bëj që ç’ke me të. Por nuk kam ambicie hapash në politikë, kam vetëm në art dhe shpresoj me fillimin e thinjave të jem një nga 5 regjisorët kryesorë në Shqipëri dhe objektivi final është pedagogjia, si pedagog i regjisurës në Akademinë e Arteve. Këto janë hapat që ia mendoj vetes, në politikë nuk kam. Unë çdo mëngjes i them vetes 'sot mund të jetë dita e fundit në këtë detyre', për shkak se politika është makinacion, por për shkak se edhe nëse dikush s'më sheh në këtë detyrë pse të kërkoj një gjë me zor në politikë."

Erion Isai, jeta si kryetar bashkie dhe si artist!

Në përfundim të intervistës, Erion Isai tregon asetet më të veçanta kulturore e historike që ka Kolonja. Ai e konsideron vendin e tij si në detoksifikim të jashtëzakonshëm natyror, ku ndërthuren natyra, ajri i pastër dhe gatimet tradicionale. Së shpejti, qyteti i Ersekës do të ketë një lloj tjetër turizmi, atë të nëntokës.

"Kolonja ka nevojë të vizitohet, por edhe njerëzit kanë nevojë të vijnë në Kolonjë. Kolonja është një detoksifikim i jashtëzakonshëm natyror, i një ajri të pastër, natyre të mrekullueshme, gatimi të jashtëzakonshëm dhe këtu mendoj se e kemi kaluar atë bio dhe po shkojmë drejt organikes. Nuk duhen lënë pa vizituar asnjë nga atraksionet tona turistike si Rehova, Erseka, muzeu i qytetit. Shumë shpejt do të kemi një lloj turizmi të veçantë të nëntokës pasi qyteti i Ersekës ka disa tunele në nëntokën e vet që mund të vizitohen. Rruga më e bukur në Shqipëri, Ersekë-Leskovik, është e jashtëzakonshme, Kisha e Vodicës, Kisha e Barmashit që është e vitit 1400, Llixhat e Leskovikut të Sarandaporit, Llixhat avullore të Postenanit. Shumë shpejt fillojmë një guidë të re të mrekullueshme që do të jetë guida e staneve, nga Konispoli deri në malet e Gramozit. Kemi potencial të jashtëzakonshëm, kemi ne shumë punë për të bërë, por njerëzit do të gjejnë në radhë të parë ushqim shumë të mirë, vend shumë të bukur dhe njerëz të jashtëzakonshëm si kolonjarët."

Erion Isai punon çdo ditë të bëjë në politikë atë që bën më së miri në art. Ndonëse në dy fusha tërësisht të ndryshme nga njëra-tjetra, duket se po ecën mjaft mirë karriera e Isait, duke i ndërthurur të dyja profesionet e duke sjellë për kolonjarët dhe artdashësit projekte mjaft të veçanta./ CNA TV





Lajmet e fundit nga