LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Aktori Andrea Pepi, rrëfen një jetë në skenë

2 Shkurt 2024, 22:05, Qyteti im CNA

Aktori Andrea Pepi, rrëfen një jetë në skenë

Teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë ka pjesë të historisë shumëvjeçare, figura të shquara të qytetit. Një histori e suksesshme është ajo e aktorit, regjisorit, shkrimtarit, Andrea Pepi. Të gjithë korçarët e njohin Andrea Pepin që në vitet 1966, atëherë kur u ngjit për herë të parë në skenën e teatrit.

Mjaft interesante mund të konsiderohen jeta e karriera e Pepit, i cili në rini ishte i lidhur edhe me sportin e atletikës, por pa dashur, u përqafua edhe me aktrimin duke u kthyer në një nga aktorët më të famshëm të Korçës. Në një intervistë mjaft të veçantë, Andrea Pepi tregon për CNA TV, fillesat e tij në aktrim dhe peripecitë që kaloi prej viteve 1966 e deri në 1984. Rolet e tij të para, me karaktere të vështira, e kanë pikasur Pepin që në atë kohë, duke lënë mbresa te publiku artdashës.

"Unë në skenën e teatrit kam hipur në vitin 1966 me të madhin Sokrat Mio. Bëheshin takimet e shkollave, dhe ai më zgjodhi, megjithëse unë atë kohë merresha me sport, por u hodha dhe këtej si padashje. Pas Sokratit, hyra në teatrin profesionist si i jashtëm, vazhdoja shkollën dhe sportin në garat e shpejtësisë. Vazhdova shkollën në 1969, dhe në 1972 shkova në Fier në teatrin e ri të Fierit, në të cilin punova 11 vjet. Më kujtohen regjisorët dhe dramat në të cilat punova me shumë pasion. Më kujtohet roli i parë me të cilin mora pjesë në ‘Takimin Kombëtar’ në 1976, me rolin e oficerit gjerman ku flisja vetëm gjermanisht. Në atë dramë kam qenë edhe asistent regjisor i regjisorit Dhimitër Pecani. Më vonë mora pjesë në dramën shumë të njohur ‘Dy krisma në Paris’ me rolin e kryetarit të gjyqit. Është për t’u vlerësuar ajo dramë sepse u dha mbi 170 herë, i preku pothuajse të gjitha skenat e teatrit, vetëm këtu nuk erdhëm dot, pavarësisht dëshirës së madhe për të ardhur. Më vonë erdha në teatrin e Korçës në vitin 1984, më kujtohet drama satirë, ku luaja një nga rolet kryesore dhe më vonë drama ‘Qyteti i akuzuar’ me rolin e një babai për të cilin spektatorët më pritën me shumë dashuri."

Aktori Andrea Pepi, rrëfen një jetë në skenë

Krahas të qenit aktor, Andrea Pepi ka punuar edhe si regjisor i teatrit dhe estradës së Korçës, ku për herë të parë në një përrallë për fëmijët, ka futur elementët kimikë. Por ky nuk ishte i vetmi projekt i krijuar prej tij, ajo çka ka tërhequr vëmendjen në vitet 1998, ishte gazeta "Bota e Fëmijëve", e cila u përhap jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Një sukses i Andrea Pepit, i cili nuk mund të ndahej nga fëmijët, dhe artin e tij e lidhi shumë me ta.

"Mora pjesë edhe si regjisor i teatrit, dhe estradës me një pjesë shumë interesante, një përrallë, ku për herë të parë futa elementët kimikë, të cilët e bënin shume të befasishme dhe shumë të kënaqshme për fëmijët. Vura një pjesë në skenë me trupën e teatrit profesionist dhe u quajt një nga komeditë më të bukura që kishte në atë periudhë, televizioni shqiptar. Kështu gradualisht shkuam deri në vitin 1992, ku megjithëse isha autor i disa dramave për fëmijë, por edhe të radiodramatizimeve, mua më larguan dhe prapë nuk e lashë teatrin, edhe pse isha larg tij. Në vitin 1998, unë kisha nxjerrë dy libra për fëmijë, dhe shkova si drejtor i qendrës kulturore të fëmijëve, që e gjeta si pas ‘97-tës, dhe e bëra nga qendrat më të njohura jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve të saj. Vlen për t’u përmendur gazeta që nxora, "Bota e fëmijëve", e vetmja qendër kulturore në Shqipëri që kishte një gazetë ku vlerësoheshin fëmijët, aktivitetet dhe kështu punova me shumë pasion sepse riktheva edhe karnavalet."

Aktori Andrea Pepi, rrëfen një jetë në skenë

Karnavalet më të njohura janë pikërisht ato të Korçës, të cilat prej vitesh janë pjesë e aktiviteteve kryesore që organizohen në këtë qytet. Kujtime të bukura për Andrea Pepin ngelen këto karnavale, të cilat i riktheu me shumë pasion e sakrificë. Ai na tregon një nga bisedat me një qytetar shkodran.

"Arritëm që ne karnavalet t’i bënim dy ditë, sepse kishim shumë pjesëmarrës. Një ditë, një nga Shkodra më pyeti edhe ne i bëjmë karnavalet, por sa njerëz mblidhni ju? Unë i thashë që mbledh rreth 1200 fëmije. Po si ka mundësi? Si mund ti veshësh? I thashë që unë trokas në derën e shtëpive të fëmijëve, por me dorën e fëmijëve. Kështu që pas 8 vjetësh në këtë qendër, si gjithmonë më larguan. Më çuan mësues muzike, natyrisht që e pranova, dhe krijova disa grupe duke e kthyer si qendër kulturore, kisha grupin e kërcimit, të aktrimit, të recituesve dhe të këngës. Dhe u vlerësova edhe nga ministria për këtë punë."

Pas shkëputjes disavjeçare nga skena e teatrit, Pepi rikthehet sërish në vitin 2006, me kërkesën dhe dëshirën e regjisorit Llazi Sërbo, i cili sot nuk jeton më. Një regjisor, i cili e besoi Andrean duke i dhënë role mjaft të bukura, por edhe të vështira. Me njërin nga rolet u bë e mundur që të shkelnin në Shën Peterburg, e para herë për një trupë shqiptare.

"U riktheva në teatër në vitin 2006 me regjisor Llazi Sërbon. Ai vinte në skenë dramat e Pushkinit, ‘Gosti në kohë kolere’ dhe mua më dhuroi me shumë dashuri, një nga figurat më të vështira, Salierin. Unë ia arrita qëllimit dhe nxora një figurë që më adhuruan, jo vetëm këtu, por edhe në Shën Peterburg. Ishte trupa e parë shqiptare që shkelte në Shën Peterburg. Më pas erdha si profesionist pasi punova 1 vit mësues, dhe nuk mund ta harroj besimin që më dha Llazi Sërbo te monodrama ‘Sirus’, një përshtatje e një novele të Dostojevskit, ishte një ndërmarrje shumë e vështirë për mua, por me ndihmën e atij njeriut të vyer, unë them se ia arrita qëllimit sepse edhe kritiku më i shquar shqiptar më vlerësoi duke më thënë një ikonë."

Aktori Andrea Pepi, rrëfen një jetë në skenë

Andrea Pepi krahas aktrimit dhe regjisurës, është edhe shkrimtar. Një pasion që e vijon edhe sot e kësaj dite, duke sjellë për lexuesit 15 libra për fëmijë, si edhe 5 novela për të rritur. Ndërsa kohët e fundit ai ka nxjerrë edhe një vepër humoristike dhe satirike. Por, lidhur me këtë, Pepi ka një thirrje për ata njerëz që mbase e kanë gjetur veten e tyre në këtë vepër.

"Po vazhdoj të shkruaj, kam deri tani 15 libra për fëmijë, një e mbarova tani e duhet ta rishikoj. Dhe kam 5 novela dhe tregime për të rritur. Kohët e fundit nxora një me humor dhe satirë nga jeta në skenë, shoqëri dhe arsim. Nëse do më pyeste dikush se ç'moshë ke? Unë do t’i them aq sa dukem!"

"Dëshira ime është që ëndrrat e mia, dëshirat e mia të bëhen realitet, megjithëse ka pengesa, nuk diskutohet. Ne gazetarët e satirës, ose shkrimtarët e satirës, satirizojmë problemet shoqërore dhe disa kujtojnë se unë i kam marrë ata personazh, dhe më mërziten. Tani nëse dikush e gjen veten atje, në atë satirë s'është faji im, është faji i tyre. Kështu që ta shikojnë që nuk i kam marrë si shembull ata, por problemin shoqëror. Me këtë rast u them mos m’u mërzisni, por mërzituni vetes nëse e gjeni vetveten atje."

Të dy fëmijët e Andreas, vajza e tij Ilda, dhe djali i tij Arjoli, janë pjesë e artit. Secili në drejtime të ndryshme, por sërish ngelen artistë. Ilda nuk e ka "tradhtuar" babain e saj, duke u bërë edhe ajo aktore, e kjo i jep emocione të veçanta Andreas. Ja çfarë thotë ai për këtë gjë.

Aktori Andrea Pepi, rrëfen një jetë në skenë

"Unë i kam ushqyer fëmijët që të gjejnë rrugën e tyre, por jo se i kam këmbëngulur. Vajzës sime i mësova guximin, sepse arti i aktorit është art i guximit. Kurse djali vazhdoi rrugën e tij, megjithëse e nxora dhe atë në skenë, por njeriu duhet të bëjë atë që di të bëjë më mirë. Kam mendimin që të dy fëmijët bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë, dhe e bëjnë mirë."

Një nga kujtimet që Pepi nuk e largon nga kujtesa e tij, është pikërisht komedia "Pallati 176", e cila është vënë në skenë për herë të parë në teatrin e Korçës, dikur e quajtur  "Një letër anonime", e cila ndërthur intrigën, por edhe e zbërthen atë. Historia e kësaj komedie është mjaft interesante, por që normalisht Pepi tregon edhe aspektin negativ nëse mund ta quajmë kështu.

"Një gjë që unë nuk e heq nga mendja, është komedia "Pallati 176", e cila është vënë për herë të parë këtu në këtë skenë. Me 5 aktorë shumë të mirë amatorë dhe me 3 profesionistë. Vlen për t’u përmendur se ajo komedi u hodh poshtë nga komisioni i vlerësimit. Unë kam jetuar në një pallat dhe kat me autoren, e cila më ka trokitur në derë sepse kishte mbaruar një kurs për regjisurë dhe duhet të mbronte diplomën, duke dashur të hynte patjetër në këtë festival. E mora me shumë kënaqësi, i bëra një redaktim shumë dinjitoz, punova me të disa muaj dhe komedia u vu për herë të parë me titullin "Një letër anonime", sepse letra është ajo që i ndërthur, por dhe i zbërthen intrigat e komedisë. Sigurisht më vjen keq që nuk qëndroi në qytetin tonë sepse ne e lindëm, e rritëm, e bëmë të vraponte dhe kurorën e dafinës e mori Tirana."

Andrea Pepi është njeriu që i ka dhënë shumë jetë teatrit jo vetëm në qytetin e tij të lindjes, Korçës, por edhe me gjerë. Ai është një prej aktorëve më të njohur të artit shqiptar, ndonëse në një moshë "të thyer", vazhdon të japë kontributin e tij si artist. Shpresojmë që Andrean ta shohim në shfaqje të radhës, pasi ai ka treguar se i përshtatet çdo roli që i besohet./ CNA

Lajmet e fundit nga