LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Aleks Xhelili, mjeshtri kolonjar i klarinetës/ Si nisi pasioni për muzikën tradicionale

1 Shkurt 2024, 15:50, Qyteti im CNA

Aleks Xhelili, mjeshtri kolonjar i klarinetës/ Si nisi pasioni për

Kolonja me tradita e kulturë mjaft të veçantë, ka nxjerrë figura mjaft të shquara historike ndër vite, jo vetëm në periudhë lufte, por edhe në aspektin artistik. CNA TV sjell një reportazh shumë interesant për klarinetistin e mirënjohur Aleks Xhelili, një vlerë e shtuar e kësaj zone, që po lë gjurmë në muzikën popullore.

Ai sot është ndër muzikantët shqiptarë më të njohur, pjesëmarrës në shumë koncerte e aktivitete kulturore të zhvilluara në Shqipëri dhe jashtë vendit, ndërsa ushtron profesionin e mësuesit të klarinetës në shkollën e muzikës “Tefta Tashko Koço” në Korçë.

Mjeshtri i klarinetës me shumë kënaqësi ka pranuar të jetë pjesë e reportazheve tona, duke treguar shumë rreth jetës së tij artistike. Fillimisht, ai ka treguar pikënisjen e lidhjes së tij me instrumentin e klarinetës dhe muzikën popullore.

“Unë si Leksi nuk kam ndonjë histori të veçantë nga njerëzit e tjerë, kam një histori të thjeshtë. Klarinetën e kam filluar në moshën 14-vjeçare, por muzikën e kam filluar në moshën 5-vjeçare. Deri në moshën 14 vjeç unë studioja për fizarmonikë, më pas fillova me klarinetë, mbarova shkollën e muzikës “Tefta Tashko Koço” në vitet 1982. Më pas mbarova Universitetin e Arteve dhe në 1988 jam diplomuar dhe mbaj titullin klarinetist. Që atëherë, debutimi im ka qenë jo vetëm brenda rrethit tim, por edhe në Korçë, ku momentalisht jam mësues i klasës së klarinetës që përgatis nxënës që debutojnë nëpër skena, për tregun muzikor. Jam gjithashtu aktiv në koncerte, mes dy botëve, edhe muzikës klasike edhe asaj popullore. Njëkohësisht jam aktiv në prodhimin e CD-ve, valleve, këngëve popullore, me këngëtarë të njohur, si Ermira Babaliu, Vaske Curri që kam bërë 3 albume.”

Aleks Xhelili, mjeshtri kolonjar i klarinetës/ Si nisi pasioni për

Thuajse 60 vjeç, por me një pasion aq të madh sa mosha nuk ka aspak rëndësi. Lidhja e tij shpirtërore me klarinetën është e papërshkrueshme.

“Lidhja ime sa vjen e forcohet më shumë me klarinetën, unë sot po shkoj 60 vjeç, dhe nëse s’luaj dot të paktën 2 orë në ditë, unë ndiej një boshllëk të madh. Sa i përket mësimit të instrumentit, nuk është ndonjë gjë shumë e vështirë që të mos e mësosh. Por, çdo instrument do talent, punë, vullnet, që të mësohet, edhe klarineta po të njëjtat parime kërkon. Mua s’më kanë munguar as vullneti, as talenti e as puna, sidomos puna që kam arritur deri këtu në tregun muzikor.”

Prej vitit 2001 Aleksi ushtron profesionin e mësuesit në Korçë, ku shprehet se ka përgatitur dhjetëra nxënës të apasionuar ndaj klarinetës, e që me shumë krenari ai thotë se ia ka dalë t’i bëjë artistë të tregut muzikor në Shqipëri.

“Që prej vitit 2001 unë kam marrë klasën e klarinetës në shkollën e muzikës në Korçë. Kam përgatitur dhjetëra nxënës, me krenari i përmend emrat, që nga Gani Shahinasi, Nexhildo Sula, Bruno Purbollari, Mikelian Killo, Gjergji Ibrahimi, Tomi Xhelili, e shumë të tjerë që debutojnë dhe janë shumë aktivë dhe në tregun muzikor. Për sa i përket përqafimit të muzikës popullore, brezi i ri e duan, dhe duhet të dish si t’ua injektosh.”

Muzika popullore dhe madje edhe ajo klasike, është pjesa e pandarë e jetës së Xhelilit. Ndërsa e pyesim se cilën do të zgjidhte mes të dyja zhanreve, Aleksi duke qeshur tregon se muzika popullore është në shpirtin e tij. E kjo për faktin se e ka trashëguar nga familja, duke theksuar edhe vlerat e mëdha të folklorit kolonjar.

Aleks Xhelili, mjeshtri kolonjar i klarinetës/ Si nisi pasioni për

“Për të thënë të dyja nuk mund ta them dot, se dukem si një fëmijë që e pyesin ‘kë do më shumë, mamin apo babin?’, por mua më pëlqen më shumë muzika popullore. E kam në shpirt, e kam nga familja, xhaxhai, dajot, jam rritur me muzikë popullore. Kolonja ka veçanti në folklorin e saj, ndikojnë edhe dy faktorë të tjerë, si fakti që rrethohet nga dy zona me traditë mjaft të madhe muzikore siç janë Korça dhe Leskoviku. Njëkohësisht nga më i miri merr, mëson dhe edukohesh. Kolonja ka një folklor tepër të pasur, dhe e arta e këtij folklori nuk janë sazet, por folklori historik, për arsye se ka duruar e ka parë shumë dhimbje e histori. Kurse sa u përket sazeve, këtu ka ardhur një klarinetist, Vangjel Poda Janushi, i cili është nderi i qytetit tonë, artist i merituar, një mjeshtër i klarinetës dhe violinës. Me talentin e tij ai ndërtoi sazet dhe la gjurmë, të njëjtën gjë po vazhdoj edhe unë sot, duke garuar me Leskovikun dhe Korçën.”

Gjatë gjithë karrierës së tij shumëvjeçare, Aleks Xhelili është nderuar me shumë tituj, një nga më kryesorët e të veçantët për të është pikërisht titulli “Virtuozi i Festivalit”. Normalisht që aktivitetet në Shqipëri janë pjesë e karrierës së mjeshtrit, por të shumta janë edhe aktivitetet në Evropë, Amerikë e Kanada, të cilat do të mbesin gjatë në kujtesën e tij.

Aleks Xhelili, mjeshtri kolonjar i klarinetës/ Si nisi pasioni për

Emocione të forta, ndjesi të papërshkrueshme, punë e sakrificë shumë e madhe, që për Aleksin ia kanë vlejtur ta bëjnë shumë të preferuar për publikun. Ai tregon një nga kujtimet më të bukura në Spanjë, ku i gjithë publiku ka thirrur në kor “Viva Albania”.

“Kam marrë pjesë që prej 1988 e deri më sot, në të gjitha festivalet kombëtare të Gjirokastrës, dhe kudo jam nderuar me çmime, derisa kam marrë edhe titullin “Virtuozi i festivalit”. Krahas kësaj, gjithë takimet kombëtare të sazeve, orkestrimeve popullore, të gjitha përveç një festivali që kam qenë në juri, nuk kam garuar. Koncerte të muzikës qytetare, klasike, koncerte të muzikës të dhomës, brendapërbrenda Shqipërisë, dhe shumë festivale në Turqi, Greqi, Bullgari, Maqedoni, Rumani, Itali, Holandë, Portugali, Francë, Spanjë, Amerikë, Australi, Kanada. Më fal se harrova edhe Londrën. Më e veçanta është në Palma de Mallorca, në koncertin final e fillonim ne që ishim me A, Albania. Dhe momenti qe, që regjisori i shfaqjes, i madhi Dhimitër Orgocka, e ndërtoi shfaqjen që ta filloja unë me klarinetë solo, me vallen e famshme të Osman Takës. Rreth 14 sekonda e filloja unë, dola në skenë para 40 mijë vetave në një stadium, ku bëjnë gara me dema, dhe sa fillova të luaja klarinetë, hapet një flamur i madh dhe një turmë njerëzish që thirrën “Viva Albania”. Aty mora zemër dhe më ka ngelur në kujtesë, është një nga koncertet më mbresëlënëse.”

Krijimtaria e Aleks Xhelilit nuk lidhet vetëm me klarinetën dhe muzikën popullore, por edhe me krijimin e CD-ve në tregun muzikor, e këtu vlen të theksohet se Aleksi ka qenë ndër të parët në këtë aspekt.

Aleks Xhelili, mjeshtri kolonjar i klarinetës/ Si nisi pasioni për

Ai tregon disa nga albumet që ka finalizuar me këngëtarë të shquar shqiptarë, ndërsa nuk lë pa përmendur Josif Mingën, si idhullin dhe ndihmesën e tij me të madhe në jetë.

“Unë tani përgatitem sepse këtë vit mbush 60 vjeç, dhe dua të bëj një koncert të bukur, me të gjithë krijimtarinë time, por konsulenti dhe mendimtari, si ta them drejtuesi im është profesori i madh Josif Minga, që unë e falënderoj se më rri gjithmonë pranë, dhe nuk më lë të bëj hapa gabim. Pavarësisht se unë kam qenë nxënësi i parë i tij, dhe mbetem nxënës për atë, por gjithsesi ne po punojmë shumë bukur së bashku. Për momentin po punojmë për një kaba të bukur. Unë jam ndër të parët që kam marrë pjesë në tregun muzikor me CD, albumin e parë e kam bërë me krijimtarinë time, me valle e këngë dasmash nga krahina e jugut. Kam bërë tri albume me Vaskë Currin, 1 album me Refjane Maksutin, një këngëtare shumë e mirë, 1 album me Ermira Babaliun, 2 albume me Robert Tralon që është miku im, edhe disa debutues të rinj që nuk kanë shumë emër të madh, por që janë në treg.”

Aleks Xhelili, mjeshtri i klarinetës, është shembulli më i mirë i punës dhe sakrificave të mëdha që një artist mund të bëjë për veten e tij, e mbi të gjitha për të lënë këtë profesion të bukur në duart e të rinjve. Klarinetisti kolonjar mund të konsiderohet si artisti më i shquar i kësaj zone, që fal çdo ditë e me shumë, ndjesi e emocione nga instrumenti i klarinetës./ CNA

Lajmet e fundit nga