LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Hotel Borova /Struktura akomoduese, atraksion i Kolonjës

27 Janar 2024, 19:34, Qyteti im CNA

Hotel Borova /Struktura akomoduese, atraksion i Kolonjës

Kolonja ka pësuar një hov sa i përket zhvillimit të turizmit. Ndonëse një qytet i vogël në juglindje, sërish po kthehet në një nga më të vizituarit vitet e fundit. Atraksionet e shumta natyrore kryesisht, kanë bërë që Kolonja të preferohet nga turistët.

Për të shijuar qoftë një ditë të këndshme në këtë qytet, Cna Tv sjell reportazhin e radhës duke u sugjeruar shikuesve një nga restorantet më të mirë të zonës. Bëhet fjalë për Restorant Borova, me vendndodhje në fshatin prej të cilit ka marrë edhe emrin, shumë pak minuta larg qytetit të Ersekës.

Një restorant tradicional që nxjerr në pah më së miri traditën kolonjare. Mikail Mejdi, pronari i restorant Borova, tregon se biznesin e ka filluar prej vitit 2005, duke e vazhduar si një biznes familjar ku të gjithë janë të përqëndruar më së miri aty.

"Ne restorantin e kemi filluar që prej vitit 2005, jemi ndër restorantet e para të qytetit të Ersekës. Së pari kemi patur disa vaska peshku që ndodhen në verandat e restorantit tonë, më pas për të patur sa më shumë shitje peshku, filluam të krijonim një restorant. Duke parë që ritmet ishin shumë të mira, e bëmë restorant tradicional. Punojmë të gjithë familjarisht, kemi edhe disa të punësuar të tjerë për ndihmës në staf. Punojmë gjatë gjithë vitit, jo vetëm sezonalë", ka thënë ai. 

Arredimi është mjaft i veçantë, me elementë të gurit e drurit, e me oxhak në qendër siç i ka hije traditës kolonjare. Një ambjent mjaft i ngrohtë, e ajo që të bën përshtypje është mikpritja që të bën Mikaili sapo futesh brenda. Ai thotë se është munduar që të qëndrojnë brenda tradicionales me produkte të prodhuara nga vetë familja, e jo të blera në markete. Kjo falë fermës që prej shume vitesh e kanë krijuar e mbajtur në fshat, për të siguruar edhe prodhimet e restorantit.

"Ne gjithçka këtu, si pjesa e arredimit, edhe në pjesën e gatimit, ne jemi munduar të mbështetemi në traditën e Kolonjës. Si traditë Kolonja ka tek gatimi të gjitha produktet bio. Duke filluar që nga pjesa e mishrave që ne aktualisht i rrisim vetë, nga bulmeti, zahiretë e dimrit, të gjitha i kemi të siguruara vetë. Nuk është se blejmë nëpër markete, të gjitha i sigurojme nga forcat tona këtu. Shumë e vështirë duke ditur se këtu mungon pak pjesa e forcës punëtore, dhe detyrohemi të punojmë më shumë dhe të arrijmë aq sa mundemi. Ne sot aktualisht zotërojmë rreth 400 dele, duke i mbajtur ato i shërbejmë edhe lokalit me bulmetrat që i përgatisim vetë, turshitë si zahire dimri, gjithçka" është shprehur Mikail Mejdi. 

Sa i përket gatimeve, menuja e restorantit është tepër e pasur me shumë lloje recetash, të gjitha bio e tradicionale. Të shkosh në Kolonjë, patjetër që duhet të provosh menunë e mengjesit, dhe mishin e freskët të drekës. Më tepër detaje mbi gatimet na i jep vetë Mikaili, i cili është edhe shefi i kuzhinës, duke u kujdesur të bëjë më të mirën për klientët e restorant Borova.

"Për mëngjes në lokalin tonë nuk konsumohen gjëra luksi, por thjesht gjëra shtëpie. Duke filluar që nga çorbat, vezët e pulave tona jo të blera në market, zahire dimri si trahana, petka. Menunë e drekës e kam shumë të zgjeruar, çfarë dimë të bëjmë më mirë atë servirim. Duke filluar që nga mishi i pjekur, mish bidoni tradicional, pra gjitha llojet e mishrave i gatuajmë këtu. Tavat janë të ndryshme në bazë të porosive të klientëve, bëjmë tava me zogj fshati, që dhe ato po ashtu i kemi tonat, çdo lloj tave varet nga preferenca e klientit", tregon pronari. 

Kolonjarët njihen si popull mikpritës, e këtë e dëshmon me së miri fakti i vizitorëve të cilët e kanë futur edhe këtë zonë në listën e tyre të destinacioneve. Fundjavat në restorant janë plot, e po ashtu edhe gjatë sezonit veror dhe festave të dimrit. Mikaili tregon se turistët janë nga çdo rreth i Shqipërisë, por edhe shumë të huaj që bëhen klientë të restorantit, duke lënë përshtypjet më të mira për shërbimin dhe atë çka ofron ky lokal.

"Ne turizëm kemi shumë këtu, dhe sa po vjen po shtohet akoma. Kurse për pjesën e klientëve kam nga të gjitha rrethet e Shqipërisë. Mundohemi ti presim sa më mirë e ti kënaqim sa më shumë. Pjesa më e madhe e klientëve janë nga rrethi i Korçës, tani jemi zgjeruar në të gjithë Shqipërinë, kemi thuajse çdo javë, sidomos fundjava është e rezervuar e gjitha. Gjatë verës është plot, këtë vit ka patur më shumë nga vitet e tjera.Ne bëjmë tonën, mundohemi ti presim sa më mirë, ata nuk kanë shprehur një moskënaqësi ndaj nesh, thjesht na kanë falenderuar gjithmonë sa kanë ardhur këtu. Dhe ne u kemi kushtuar rëndësi mëse maksimale, bëjmë më të mirën", thotë për CNA Mikail Mejdi. 

Në një zonë turistike si Kolonja, e në veçanti fshati Borovë, kërkesa e lartë e klientëve për akomodim, bëri që Mikaili të mendonte edhe për krijimin e një hoteli. Krahas restorantit, me sakrifica e shumë punë, ai arriti të ngrinte edhe një hotel me 6 dhoma, siç i quan Mikaili dhoma fshati, që klientët të ndjejnë plotësisht atmosferën si në një fshat, larg luksit e zhurmave, por në qetësi e ngrohtësi.

"Ideja lindi sepse ka patur kërkesa për pjesën e hotelit. Jemi të detyruar të bëjmë sa më shumë për klientët. Hoteli jonë ka 6 dhoma, të cilat nuk janë dhoma luksi, janë dhoma fshati. Të pastra, të ngrohta, të rregullta për kaq saç i duhet një personi për të fjetur në hotel, ne i kemi të gjitha. Luks nuk ka në fshat, luksi është për në qytet. Hoteli pothuajse fundjavave është plot, gjatë verës kuptohet ka më shumë por edhe dimri ka qenë plot. Ditët e zakonshme kuptohet që është pak më pak se fundjava. Për festa është i prenotuar i gjithë hoteli", shprehet ai. 

Hotel Restorant Borova është shembulli më i mirë i një familje të përkushtuar e punëtore, të cilët kanë zgjedhur të qëndrojnë në qytetin e tyre e të mos largohen prej tij, por të investojnë në hoteleri turizëm për t'i treguar Shqipërisë se edhe në Kolonjë ka vende të bukura për tu vizituar e gatime shumë të shijshme për të provuar./ CNA

Lajmet e fundit nga