web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Galeria e Arteve Digjitale, rijetëzimi i artit në hapësirë moderne e inovative

6 Qershor 2024, 21:23, Qyteti im CNA

Korça është qyteti që njihet për artin, traditën, por edhe për trashëgiminë kulturore e historike, të ruajtur me fanatizëm ndër vite. Ajo çka mund të quhet një arritje e një risi për këtë qytet është pikërisht GAD, Galeria e Arteve Digjitale. Një projekt që ka dashur disa vite të konkretizohet, e prej 4 muajsh tashmë është bërë realitet. Një galeri digjitale që risjell në jetë veprat e shumë artistëve, shqiptarë e të huaj, me një stil modern e me një teknologji inovative, e cila shihet që në momentin kur hyn brenda sallës.

Projekti është ndër më të veçantët që është ndërtuar për një galeri, e cila është ndërtuar për herë të parë në juglindje, pasi sjell një formë tjetër arti që rrallë herë e gjejmë në Shqipëri. Drejtori i GAD, Arbri Malile, në një intervistë për CNA TV, tregon si ka lindur ideja për të sjellë në Korçë diçka ndryshe, që do t’i vlejë jo vetëm qytetit të preferuar shumë nga vizitorët, por edhe gjithë Shqipërisë.

Galeria e Arteve Digjitale, rijetëzimi i artit në hapësirë

“Më tepër sesa lindja e një ideje, ishte plotësimi i një nevoje për të sjellë një hapësirë kaq kontemporane, moderne, inovative dhe teknologjike të artit dhe shumë më tepër në Shqipëri. Falë bashkëpunimit dhe klimës shumë mbështetëse të Korçës dhe bashkisë, ne e realizuam këtë projekt që prej 4 muajsh tashmë është vënë në jetë dhe ka një aktivitet të plotë në kuadrin e eventeve artistike. Jo vetëm në ekspozitat imersive digjitale, por edhe në eventet e darkës si ‘Poezia Holandeze’ apo ‘Pianokoncerti i Paola Kondakçi’.”

Ekipi i krijuar për të projektuar këtë vepër arti, nëse mund ta quajmë kështu, ka qenë i përbërë prej më tepër se 7 specialistësh të fushave të ndryshme, përfshirë artin, industrinë kreative, marketingun e më gjerë. Një punë prej më shumë se 2 vitesh, duke përfshirë në të përvojat evropiane dhe amerikane, është finalizuar duke hapur siparin e më shumë galerive të tjera digjitale në vendin tonë.

Galeria e Arteve Digjitale, rijetëzimi i artit në hapësirë

“Në fakt për ta vënë në zbatim këtë projekt është ndërtuar një ekip prej më shumë se 7 specialistësh të fushave të ndryshme, kryesisht në fushën e artit dhe industrisë kreative, por edhe specialistë të komunikimit, marketingut e më tej. Natyrisht është punuar për më shumë se 2 vite. Janë marrë përvojat e huaja, kryesisht evropiane, por edhe më gjerë, amerikane. Janë marrë module dhe janë implementuar më së miri në këtë galeri, e cila për ne është galeria e parë dhe hap siparin e një rrjeti më të madh galerish digjitale në Shqipëri.”

Jo vetëm qytetarët korçarë, por edhe turistët vendas e të huaj, do të kenë mundësi që të shohin ekspozita të ndryshme, me vlera të jashtëzakonshme. Arbri ka treguar ekspozitën e parë që kanë realizuar, me vepra të ikonografëve shqiptarë që risollën aktivitetin e tyre prej mesjetës e deri më sot.

Galeria e Arteve Digjitale, rijetëzimi i artit në hapësirë

“E para, aktiviteti kryesor janë ekspozitat imercive. Ekspozita e parë që kemi mbyllur muajin e shkuar ishte ‘Ikonografia shqiptare’, një ekspozitë shumë e veçantë me vlera të jashtëzakonshme. Gjithë mjeshtrit e mëdhenj, ikonografët dhe artistët shqiptarë risollën dhe rivunë në jetë gjithë aktivitetin e tyre nga Mesjeta e deri në ditët e sotme. Një ekspozitë që kishte vlera të trashëgimisë sonë kulturore e artistike, por edhe një ekspozitë që ka thithur shumë turistë të huaj.”

Të shumtë kanë qenë vizitorët edhe në ekspozitën e dytë, atë të Van Gogh, një bashkëpunim mjaft i frytshëm me muzeun e Van Gogh në Amsterdam dhe me ambasadën holandeze.

“Ekspozita e dytë është Van Gogh-u në bashkëpunim me muzeun e Van Gogh në Amsterdam dhe me ambasadën holandeze, ne risollëm për herë të parë veprat e tij në formë digjitale dhe në një eksperiencë shumë të bukur këtu në Korçë. Një ekspozitë që ka thithur shumë shikues nga Tirana, pothuajse nga gjithë Shqipëria, nga shtetet fqinje si Maqedonia, Greqia dhe Kosova.”

Galeria e Arteve Digjitale, rijetëzimi i artit në hapësirë

Ndërsa e pyesim për përshtypjet e vizitorëve për atë se çka panë e shijuan pranë Galerisë së Arteve Digjitale, Arbri veçon një nga momentet më emocionuese të dy vajzave, të cilat kanë dalë nga salla me lot në sy. Ky është një tregues i qartë se kjo galeri ka sjellë një frymë të re në qytet, frymë që i ka munguar artit modern.

“Në memorie do të thosha ishte diku dita e dytë e hapjes së ekspozitës. Dy vajza dalin duke qarë. Mendova se kishte diçka që kishte shkuar keq brenda galerisë, ndonjë problem ose incident. Pasi folëm me to ishte e gjitha emocion, gjë që na përcolli dhe ne ndjenjën pozitive që kemi bërë diçka shumë të mirë.”

Për drejtuesin e kësaj galerie, ekspozita e radhës do të jetë “Rilindja Italiane”, por ai vendosi të mos japë më shumë detaje në mënyrë që edhe shikuesit të kenë kuriozitet dhe të vijnë pranë galerisë për të përjetuar emocione të veçanta.

Galeria e Arteve Digjitale, rijetëzimi i artit në hapësirë

“Ne tashmë operojmë me një program të përcaktuar. Ekspozita e radhës është ‘Rilindja italiane’. Për më tej do të na ndiqni në faqet tona për të gjitha gjërat.”

Galeria e Arteve Digjitale është momentalisht një nga destinacionet më të pëlqyera të turistëve vendas e më shumë akoma të të huajve. Në këtë sallë, pjesëmarrësit ndeshen me një magji, me një pamje ndryshe nga çka kanë parë nëpër muzeume deri më sot. Galeria qëndron e hapur çdo ditë, ndërsa brenda saj, janë atashuar edhe ekspozitat që janë përgatitur deri më tani. Mos e humbisni rastin! Nëse jeni në Korçë, vizitoni Galerinë e Arteve Digjitale. Do të ngeleni të mahnitur!/ CNA TV





Lajmet e fundit nga