web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Zvërneci është tokë private"/ Rama: Nuk ka shans që Shqipëria të bëjë hapa që bien ndesh me kriteret e BE-së

5 Korrik 2026, 09:54, Politikë CNA

"Zvërneci është tokë private"/ Rama: Nuk ka shans

Kryeministri Edi Rama në një video të publikuar në rrjetet e tij sociale ka bërë një panoramë të zhvillimeve dhe vendimmarrjeve kryesore të qeverisë.

Rama foli lidhur me vizitën e tij të zhvilluar gjatë javës në Bochum të Gjermanisë, ku tha se prezantoi transformimet e bëra në Shqipëri me digjitalizimin dhe se si po modernizohet qeverisja edhe përmes futjes në përdorim të Inteligjencës Artificiale.

“Një tjetër moment për t'u shënuar nga java ishte vizita në Bochum të Gjermanisë, me ftesë të organizatorëve të samitit ndërkombëtar të teknologjisë "Ruhr Summit", ku isha i ftuar për të prezantuar transformimet që kemi bërë në Shqipëri me digjitalizimin dhe mënyrën se si e kemi modernizuar dhe po e modernizojmë qeverisjen përmes digjitalizimit dhe, së fundmi, edhe përmes futjes në përdorim të Inteligjencës Artificiale.

Një tjetër moment në atë vizitë ishte takimi me kryeministrin e landit, Hendrik ëüst, një ndër figurat më të spikatura të CDU-së gjermane dhe një mik i interesuar për zhvillimet në Shqipëri, për ecurinë e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, me të cilin folëm qoftë për këtë aspekt, pra për mbështetjen e Gjermanisë në mbylljen e kapitujve të negociatave, qoftë edhe për zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë përmes marrëdhënieve me rajonet”, u shpreh kryeministri.

Ai shtoi më tej se “qershia mbi tortë” e asaj vizite ishte, intervista me gazetaren e DW, për të cilën tha se kishte besuar të pavërtetat në lidhje me Zvërnecin.

Rama tha se në intervistë u pyet se si mund të privatizohet toka publike, ndërsa theksoi sërish se Zvërneci është tokë private. Gjithashtu shtoi se gjithë procesi i projektit do të bëhet në harmoni me procesin e monitorimit nga Komisioni Europian.

“Por, pa dyshim, që "qershia mbi tortë" e kësaj vizite ishte ajo e papritura në intervistën me gazetaren e seksionit ndërkombëtar të Deutsche Welle-s, ku, për hir të së vërtetës, u surprizova nga mënyra se si gazetarja e kishte "gëlltitur" tërësisht çorbën e të pavërtetave lidhur me Zvërnecin dhe lidhur me marrëdhënien mes qeverisë dhe kompanisë që përfaqësohet nga Jared Kushner, duke mos e fshehur ajo se i përkiste kampit të gjerë të të gjithë atyre që e kthyen Shqipërinë në një arenë për të bërë "luftën" e tyre me Trump-in, qofshin në Amerikë, qofshin në Australi, qofshin edhe në Europë.

U përballa me pyetje të tipit: "Si mund të privatizohet, të shitet toka publike?", gjë që as nuk ka ndodhur, as nuk ka arsye të ndodhë. Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike, ku ende nuk kemi mbyllur marrëveshjen. Pikërisht sepse ne po negociojmë partneritetin dhe shteti, që do të jetë gjithnjë pronar i tokës, do të duhet, për t'u realizuar marrëveshja, të jetë ortak në sipërmarrje.

Pra, as nuk është kërkuar ndonjë shitje e tokës publike. Pastaj, gjithë pjesa që ka të bëjë me zonat e mbrojtura, me Kapitullin 27, me sa jemi ne të vetëdijshëm apo çfarë jemi ne në gjendje të sakrifikojmë deri edhe vetë Bashkimin Europian, për të bërë projektin, është një hata e madhe logjike. Ndërkohë që historia është fare e thjeshtë. Cilido që e ka shumë të qartë ose e ka pak të qartë faktin që unë jam këtu për të udhëhequr Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, faktin që ne kemi një mandat popullor shumë të fortë për të realizuar këtë mision historik, faktin që ky mision historik nuk është i krahasueshëm dhe i barazvlefshëm me asgjë, e ka shumë të qartë edhe faktin që nuk ka asnjë shans që Shqipëria të bëjë hapa, të bëjë zhvillime që bien ndesh me standardet dhe kriteret e Bashkimit Europian.

Në rastin konkret, e gjitha është një vorbull, e cila përzihet e përzihet e përzihet për qëllime që tanimë janë qartësisht të tjera, ndërkohë që ne jemi të detyruar nga ato standarde të bëjmë vlerësimin e impaktit në mjedis, gjë që po e bëjmë; jemi të detyruar nga ato standarde që t'u përgjigjemi të gjitha kritereve të Bashkimit Europian. Pra, si të thuash, "siguresa" për të gjithë ata që janë të shqetësuar është aty; është pikërisht Komisioni Europian, i cili deri më tani është njohur në vijimësi me faktet dhe nuk ka asnjë sens alarmi, sepse është shumë e qartë që i gjithë procesi do të bëhet në harmoni me procesin e monitorimit nga Komisioni Europian”, tha Rama. /CNA





Lajmet e fundit nga