web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

ANALIZA E THELLUAR QË DUHET T’I BËHET PD-së NË QARKUN E KORÇËS

20 Maj 2025, 10:48, Politikë REDAKSIONALE

ANALIZA E THELLUAR QË DUHET T’I BËHET PD-së NË QARKUN

LUFTA BRENDA LLOJIT

Korça është një fenomen që duhet analizuar në PD dhe askush nuk i ka hyrë njëherë me themel. Rezultati i zgjedhjeve të 2025 është më i dobët se ai i 2021, 2017, por edhe 2013-ës.

Gjithçka ka filluar që me garën Basha-Olldashi, ku Sali Berisha filloi me përjashtimet, që u pasuan me luftërat e brendshme, me konfliktet e atëhershme të Andrea Manos që u bë kryetar partie me një aspiratë të madhe për t’u bërë deputet, prej 20 vjetësh lufton të bëhet deputet.

Vazhduan u përkeqësuan me vajtjen e Ervin Salianjit, u vazhduan nga koniunkturat Basha, servilizmi, mediokriteti, paaftësia, pandershmëria për të vlerësuar dhe parë në sy ndryshimin që duhej. U thelluan në vitin 2021 dhe goditja më e madhe erdhi mes përplasjes Berisha-Basha dhe tani në finale po të shikojmë listën e PD-së në Qarkun e Korçës shumica nuk thonë asgjë.

Amalgama e padijes

ANALIZA E THELLUAR QË DUHET T’I BËHET PD-së NË QARKUN
Andrea Mano

Andrea Mano edhe këtë herë kandidoi sërish në Qarkun e Korçës dhe nuk mundi dot të bëhej deputet pasi mori 4900 vota, e kaluan Kristiano Koçibellin me rreth 5200 vota dhe Fidel Kreka me rreth 6591 vota.

 

Ky i fundit një “fenomen elektoral” për t’u analizuar pasi nuk shquhet për ndonjë njeri intelektual, njeri me parime dhe vlera që të njohë politikën, por është thjesht djali i një militanti të PD-së që thirri nga pas një grup ndjekësish të cilët e mbështetën dhe mundën ta nxirrnin deputet, por, që, në fakt, përtej një ekuacioni pozitiv për rritjen e PD-së që lidhet me pjesën e bazës së saj në tërësinë e vet nuk sjell një shpresë apo sinjal që PD ka intelektualë, ka vlera qytetare, të cilat mund ta marrin dhe ta përfaqësojnë.

ANALIZA E THELLUAR QË DUHET T’I BËHET PD-së NË QARKUN
Fidel Kreka

Kuptohet në politikë ka nga ata që janë përfaqësues të gjerë, ka dhe nga ata që përfaqësojnë bazën, pjesën e poshtme të partisë, Fidel Kreka është një përfaqësues i mirëfilltë i amalgamës së mëposhtme që prodhon PD-ja, por që nuk do të mundet kurrë që të ngrihet me këtë lloj fenomenesh, të bëhet më e madhe për të qenë shpresëdhënëse për një fitore. Lë pastaj kur i thonë Azem Hajdarit i PD, kjo është më shumë sesa për t’u gajasur demokratët. “Fali Zot se nuk dinë çfarë bëjnë”.

Të gjitha këto erdhën sepse PD e Korçës u kthye në një lëmë ku vinin vërdallë kush të mundej.

ANALIZA E LISTËS SË PD-së NË KORÇË

ANALIZA E THELLUAR QË DUHET T’I BËHET PD-së NË QARKUN
Ivi Kaso

Ivi Kaso është drejtues politik, shkon në Korçë, njeri me kontribut në drejtimin e PD-së në qendër në teknikalitetet e saj, me një eksperiencë jo shumë të madhe në drejtimin e një qarku, është përpjekur të vendosë balancat, por kaq dhe asgjë më shumë.

Gjithçka duket se thyhet kur shikon numrin dy në listë, Ledina Aliolli, ish-deputete, kandidate për kryetare PD-je, mbështetëse e Lulzim Bashës, pastaj kaloi te Berisha, tek ish-kryetari i LDK-së për shumë vite, ka kandiduar, ka humbur për bashkinë e kështu me radhë.

Pra, një emër pavarësisht se vjen nga jeta akademike, ndryshe nga Fidel Kreka, ajo ka një diplomim të dyshimtë pasi është raportuar se masteri i saj dhe disa mbrojtje titujsh kanë problematika për shkak të gjuhës angleze, por e lëmë mënjanë këtë pjesë. Kjo zonjë vjen nga jeta universitare, në rast se do të ishte në listën e hapur një gjë është e sigurt që nuk do të kishte fituar kurrë.

Emri tjetër është Bledjon Nallbati. Ashtu si Ledina që nuk i thotë asgjë Qarkut të Korçës, Bledjon Nallbati nuk i thotë më asgjë Devollit.

E pamë dhe duke u rrahur në rrugë, në parlament. Çfarë mund t’u thotë Qarkut të Korçës dhe votuesve? A mund t’u japë shpresë një individ i tillë, me lidhje të errëta me botën e krimit?

Pjesa e listës së mbyllur në Qarkun e Korçës ishte mjaft problematike dhe aspak shpresëdhënëse pasi ne analizuam shifrat më sipër duke parë listën e kupton se cilat janë pasojat e saj.

Pas Fidel Krekës që e përmendëm më sipër vjen Kristiano Koçibelli, një djalë i ri, shpresëdhënës në politikë, mori rreth 5200 vota, nuk arriti dot të fitonte, por pati një të vërtetë. Tha se ishte një garë e pabarabartë dhe i drejtoi gishtin Ledina Aliollit se kishte ndikuar në këtë proces zgjedhor duke mbajtur anën e kandidatit Fidel Kreka.

Në fakt, fitorja e këtij të fundit i dedikohet dhe Ledinës, por po të shohësh këtë të fundit nuk dihet kush e voton pasi vetëm ka humbur sistematikisht. Mund të ketë vetëm një pjesë të vogël militantësh, por të pavlera në kuptimin e totalit elektoral për të sjellë një fitore të mundshme të PD-së.

Më pas Andrea Mano, që siç e theksuam më lart, prej 20 vjetësh kandidon për t’u bërë deputet dhe nuk ia doli dot.

Emri tjetër është Jorida Mazelliu, një vajzë nga Devolli, në një territor të kontrolluar nga Bledjon Nallbati që e ka kthyer në çifligun e tij që mori rreth 4700 vota dhe asgjë më shumë sesa kaq.

Nuk mundi të shkonte përtej. Po t’i shikosh votat e zonjave dhe kandidatëve të PD-së në krahasim me socialistët janë shumë herë më pak.

Janë dy emra në Pogradec, Gentian Çala dhe Genti Çela, njëri që vinte nga LSI dhe tjetri kreu i PD-së. Nuk mundën dot të thyenin Pogradecin dhe ta ngrinin në votat e duhura, shkuan në jo më shumë se 3 mijë deri në 3500 vota.

Një fenomen elektoral ka qenë edhe zoti Edmond Spaho, i cili kandidonte për të 20 e kusur vite radhazi në Qarkun e Korçës, ku në listë të mbyllur, ku në listë të hapur, në zonë të drejtpërdrejtë mazhoritare. Spaho nuk arrin dot më shumë se 2500 vota dhe tërhiqet nga politika. Një dështim total për këtë të fundit.

Enton Çaçani në Kolonjë në një zonë të vogël merr vetëm 1300 vota.

Brunilda Prifti dhe Elsuida Vila, dy kandidate femra në listë, të cilat janë në fund të saj me një grusht votash.

ÇFARË TREGOJNË FENOMENET ELEKTORALE DHE EMRAT E VENDOSUR NË LISTË?

Në total, po ta shikojmë fenomenet elektorale dhe emrat e vendosura në listë votat që ata kanë tregojnë jo pak. Dhe, më e turpshmja është se në Korçë kur në PD kishte rënë e gjithë zia në gjithë Shqipërinë për humbjen, aty në Korçë festohej se po dilte një kandidat fitues në listën e hapur.

A thua se halli i Korçës ishte një kandidat apo një kandidate, një emër apo një individ.

Por kjo tregon dhe një fenomen tjetër. Përçarjen e brendshme, mungesën e kompaktësisë të strukturave, mungesën e koordinimit në organizim, mungesën e daljes si një trupë e fortë elektorale përballë socialistëve, por qartazi duket se ka qenë një strukturë e copëtuar të cilën rrugës socialistët e kanë çmontuar me çdo lloj skeme të tyre përfshirë dhe ato që pretendojnë demokratët. Rezultati është kokëfortë.

Mjafton të krahasojmë çfarë kanë bërë socialistët dhe çfarë kanë bërë demokratët, dhe çfarë gjendet në kuti. Socialistët kanë ruajtur votat e tyre dhe kanë rreth 5% më pak se në 2021 demokratët kanë rreth 15% më pak se në vitin 2021 dhe votat e tyre dhe struktura është shpartalluar në funksion të të gjithë asaj liste që përmendëm më sipër, e cila më shumë sesa betejë me kundërshtarin, pati një betejë brenda llojit që është dhe një nga faktorët kryesorë të këtij rezultati dhe analizës që bëhet për Qarkun e Korçës./CNA





Lajmet e fundit nga