web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kryengritja kundër gardheve!

22 Qershor 2026, 09:51, Opinione Mentor Kikia

Kryengritja kundër gardheve!

Pamjet e rrokullisjes së një kontejneri në Gjirin e Kakomesë, janë “emblematike”.

Ai shërbente si mjedis pune për një kompani që kishte vënë gardhin dhe traun prej 20 vjetësh, duke mos lejuar vizitorët të zbresin në plazh.

Historia e Kakomesë, përplasja për pronat, projektet turistike etj., është e vjetër dhe më duket se është edhe i pari në operacionin “kap e rretho” në bregdet.

Përtej faktit se ai kontejner do të mbetet aty derisa natyra ta dekompozojë përmes mjeteve të veta, rebelimi në vetvete nuk më krijon asnjë lloj ndjesie pozitiviteti.

“Kryengritjet fshatare”, morën frymëzim nga rrëzimi i gardhit në Zvërnec dhe protestat në Tiranë. E rrëzuan edhe atë në Rrjoll, pastaj dolën në Librazhd banorët e një fshati që i kishin marrë ujin e s’mund të mbeteshin pas ata në Nivicë.

Kudo ka pasur reagime lokale. Në Roskovec kundër ndërtimit të TEC-it në mes të fshatit, në Vlorë kundër marrjes së lumit për ta dërguar në Palasë, në Veri kundër devijimit të rrjedhave të lumjenve e përrenjve për të ndërtuar HEC-e, në Ersekë kundër marrjes së kullotës së zonës për të bërë park fotovoltaik, në Thumanë kundër detyrimit për të kaluar me çdo kusht nga trau i rrugës me pagesë, etj., etj.

Çfarë i bashkon këto “rebelime”?

Brutaliteti i sjelljes së të fortit, me para e pushtet, kundër qytetarëve të pamundur. Mbi të gjitha, një shtet që i ka mbajtur anën e të fortit. Banori lokal është shpërfillur, nuk është konsideruar fare. Interesat e një sipërmarrësi që bën biznes me mjedisin natyror, kanë dalë mbi jetën e banorëve që janë ngulur në ato vendbanime për shkak të një lumi, një përroi, një burimi, një kullote, një pylli.

Nuk është negociuar me ta, thjeshtë i forti, me ndihmën e shtetit, ka vënë gardhin, si simbol i pushtetit të forcës, parasë dhe korrupsionit.

Ndaj këta njerëz u ngritën, duke shkulur gardhe, shtylla, hunj e duke përmbysur zyrat.

Ky është mllefi i atij që nuk është përfillur kurrë, që vetëm i kanë marrë votën e i kanë treguar gishtin.

Ndaj, çdokush që merret me politikë apo ka një çelës zyre pushteti, duhet ta lexojë këtë revoltë, për të kuptuar se pushteti nuk është i atij që e ushtron, por i atyre që të emërojnë aty për të shërbyer./ CNA





21:21 Opinione Lutfi Dervishi

Republika e ortakëve

Një mik më dërgoi një mesazh që më bëri të mendohem gjatë: ...

15:39 Opinione Agim Xhafka

"MAGJISTARI" I RADIOS

Ende nuk e besoj që Agron Çobani nuk jeton më. Se pati aq ...

Lajmet e fundit nga