LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sa mund të nxehet Toka dhe çfarë do të ndodhë më pas?

24 Korrik 2023, 19:04, Kuriozitete CNA

Sa mund të nxehet Toka dhe çfarë do të ndodhë më

Nëse duket sikur moti është “çmendur” kohët e fundit, duke u bërë në përgjithësi shumë më i ngrohtë, kjo gjë po ndodh për shkak të fenomenit të ndryshimit të klimës në nivel global. Pra temperatura mesatare e sipërfaqes së Tokës është në rritje të vazhdueshme, kryesisht për shkak të refuzimit të palëkundur të njerëzimit për të ndalur mbushjen e atmosferës me emetimet e gazeve serrave që e bllokojnë nxehtësinë.

Dhe kjo pavarësisht se këtë na e ka kërkuar gjatë dekadave të fundit gati çdo shkencëtar i kësaj fushe. Shkenca është shumë e qartë mbi këtë çështje. Aktiviteti njerëzor po e shkakton fenomenin. Ndërsa ka një numër të madh njerëzish që refuzojnë ta besojnë atë, kjo qasje nuk e bën atë më pak të vërtetë.

Për ata që janë vazhdimisht të shqetësuar për këtë çështje lindin disa pyetje themelore:Sa serioze mund të bëhet rritja e temperaturave dhe sa shpejt do të ndodhë kjo? Cilat do të jenë efektet e ndryshimeve klimatike globale, dhe si do të ndikojnë ato tek ne?

Dhe më e rëndësishmja, çfarë mund të bëhet për ta adresuar këtë problem? Sipas një analize nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, një organ i Kombeve të Bashkuara, temperatura mesatare e sipërfaqes së Tokës është rritur me rreth 1 gradë Celsius që nga koha e Revolucioni Industrial.

Sigurisht kjo është një mesatare globale. Sepse në disa pjesë të botës, temperaturat mesatare janë rritur edhe më shumë, dhe efektet kanë filluar tashmë që të ndjehen. Marrëveshja e Parisit për Klimën e vitit 2015 midis vendeve anëtare të OKB, për të kufizuar emetimet e gazeve serrë në atmosferë, synon ta mbajë këtë rritje nën 1.5 gradë

Sepse përtej këtij niveli, disa ndryshime mund të jenë të pakthyeshme. Ia vlen të shtrohet pyetja:Sa mund të nxehet Toka, nëse do të vazhdojmë të pompojmë në atmosferë gazrat serrë pa asnjë kufizim,? Mjerisht nuk ka kufi të sipërm. Por ekziston një pikë në të cilën Toka do të bëhej plotësisht e pabanueshme:kur temperatura të jetë rreth 12 gradë mbi nivelet para-industriale.

Dhe ky nuk është një skenar hipotetik, sepse Toka ka përjetuar në të kaluarën 5 shfarosje të mëdha. Më e keqja ndodhi 252 milionë vjet më parë, kur një kombinim i faktorëve mjedisorë, përfshirë çlirimin e tepërt të karbonit dhe metanit në atmosferë, solli rritjen mbi 5 gradë të temperaturës mesatare globale, duke zhdukur mbi 90 për qind të të gjitha specieve në Tokë.

Nga ana tjetër fenomenet natyrore të motit mund të sjellin një dëm të konsiderueshme, edhe pse mund të jetë i përkohshëm. Midis tyre ai që ngjall më shumë shqetësim është El Niño, ngrohja periodike e temperaturave të sipërfaqes së deteve, e cila mund të ketë efekte drastike dhe të paparashikueshme si në motin lokal, ashtu edhe në klimën e përgjithshme globale.

Faza e tij e fundit parashikohej të mbërrinte në fund të këtij viti. Gjatë episodit të mëparshëm - midis viteve 2014 dhe 2016 - Toka regjistroi vitin e saj më të nxehtë ndonjëherë. Më 3 korrik 2023, u regjistrua zyrtarisht dita më e nxehtë e vërejtur ndonjëherë në historinë njerëzore.

Dhe shkencëtarët paralajmëruan se ky është vetëm fillimi. Rritja e temperaturave të detit mund të zhdukë plotësisht që shkëmbinjtë koralorë. Një atmosferë më e ngrohtë do të bëjë që ngjarjet ekstreme të motit - si uraganet tepër të fuqishme - të jenë edhe më të zakonshëm.

Nëse ngrohja vazhdon përtej mesatares globale prej 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, efektet e saj do të bëhen më të theksuara. Edhe pse kjo nuk ka gjasa të ndodhë brenda kohës që jemi gjallë ne të rriturit, fëmijët dhe sidomos nipërit dhe mbesat do të trashëgojnë një ndryshim rrënjësor dhe një botë shumë armiqësore.

Sipas raportit të OKB-së, një rritje e temperaturës mesatare globale prej 2.5 gradë mund të ndodhë deri në vitin 2100. Kjo do të shkaktonte vdekjen e mijërave njerëzve për shkak të valëve të shpeshta të të nxehtit ekstrem, kërcënimit mbarëbotëror të përmbytjeve katastrofike, më shumë epidemi apo pandemi të sëmundjeve vdekjeprurëse, një rritje të madhe në zonat e prekura nga pasiguria e ushqimit dhe ujit, dhe një kolaps të pjesshëm ose të plotë të ekosistemeve të tëra.

Me një ngrohje globale mbi 3 gradë Celsius, do të përjetonim llojin e valëve të të nxehtit ekstrem që sot ndodhin një herë në një brez, dhe janë të afta të vrasin mijëra njerëz, të ndodhin nesër 30 herë më shpesh. Dhe infrastruktura jonë për përballimin e të nxehtit ekstrem dhe menaxhimit të ujërave, do të bëhet e padobishme.

Bujqësia do të vuajë shumë dhe bagëtitë do të ngordhin në mase, duke çuar në epidemi gjithëpërfshirëse të kequshqyerjes dhe urisë. Zjarret do të jenë të shfrenuara dhe një pjesë e madhe e zonave bregdetare do të zhduken për shkak të rritjes së nivelit të oqeaneve, dhe kjo do të sjellë zhvendosjen e milionave njerëzve.

Nëse temperaturat mesatare globale arrijnë në 4 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, Toka do të fillojë të duket si një  peizazh i tmerrshëm ferri distopian, që edhe Hollivudi do ta kishte vështirësi ta imagjinonte. Në vitin 2014, Banka Botërore publikoi një raport që përshkruan këtë skenar të mundshëm.

Gati të gjitha qytetet bregdetare të botës do të humbasin nën ujërat e deteve, mungesa e ushqimit dhe e ujit do të jetë e zakonshme dhe sëmundjet e reja e të tmerrshme do të zhdukin një numër të madh të popullsisë. Ato rajone të botës që nuk do të piqen nga valët e të nxehtit, do të jenë nën kërcënimin e të vazhdueshëm nga stuhitë e mëdha dhe përmbytjet e pamëshirshme.

Oqeanet do të bëhen acide, duke çuar në humbjen e mijëra llojeve specie detare. Me pak fjalë një Ferr në tokë. Megjithatë ka disa lajme të mira:Teknologjia dhe njohuritë për të shmangur pasojat e ndryshimeve klimatike, pjesërisht apo edhe plotësisht, ekzistojnë tashmë.

Heqja dorë nga karburantet fosile në favor të energjisë së rinovueshme, projektet e reja të ndërtimit dhe ato industriale me fokus efikasitetin e energjisë, kalimi nga makinat me naftë dhe benzinë tek ato elektrike, dhe reduktimi i prerjes së pyjeve, janë disa nga masat që kërkohen. Natyrisht, çështja është nëse qeveritë e botës do të ndërmarrin veprimet e nevojshme dhe nëse korporatat energjetike që përfitojnë nga status quo-ja aktuale mund të detyrohen të ndryshojnë kursin./ Pershtatur nga CNA

Marrë me shkurtime

Lajmet e fundit nga