web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse nuk i tolerojmë kritikat që na bëhen nga të tjerët?

25 Qershor 2023, 23:00, Kuriozitete CNA

Pse nuk i tolerojmë kritikat që na bëhen nga të tjerët?

Një shprehje thotë se “gjuha vret më shumë sesa shpata”, pikërisht për të treguar fuqinë e madhe dëmtuese që ka një kritikë. Dhe në fakt, sa nga ne kujtojnë më shumë pikat që duhet të përmirësojmë, sesa ato për të cilat u vlerësuam nga eprori në punë apo profesori në shkollë?

Dhe pavarësisht moshës madhore, sa na ne vuajnë ende kur kujtojnë një përshtypje të keqe të lënë në shkollën fillore? Nuk është një rastësi që kujtimet e dhimbshme, lënë ende mbresa tek ne. Kjo gjë ndodh sepse stimujt negativë, prodhojnë një reagim shumë më të fortë në korteksin cerebral sesa ato pozitive ose neutrale.

“Kur shohim një fytyrë të zemëruar, edhe nëse ndodh vetëm për një fraksion sekonde, transmeton një sinjal alarmi në amigdalë, një zonë e trurit tonë, që aktivizon mekanizmin e lashtë “lufto ose ik”-thotë psikologu amerikan Rik Hansen.

Meqë amigdala është vigjilente, përvojat dhe ngjarjet negative ruhen menjëherë në kujtesë, ndërsa ato pozitive regjistrohen nga truri për disa sekonda, përpara se të modifikohen. Sipas studimeve shkencore, që nga mosha 8-14 muajsh, foshnjat reagojnë më shpejt ndaj imazhit të një fytyre të zemëruar sesa ndaj një fytyre të lumtur.

Dhe kjo ndodh sepse aftësia për të pasur parasysh kërcënimet e drejtpërdrejta, por edhe lajmet potencialisht të këqija, ka qenë dikur vendimtare për paraardhësit tanë. Të ishte pak më i kujdesshëm, do të thoshte të ishte në gjendje të kaloje gjenet e tua tek pasardhësit.

Ndaj në fillim të historisë njerëzore, mënyra jonë e të lexuarit të realitetit ishte e strukturuar sipas të ashtuquajturit “paragjykim i negativitetit”, pra prirjes për t'i dhënë më shumë peshë ngjarjeve negative sesa atyre pozitive, qoftë edhe thjesht hipotetike.

Por kur kritikat janë të tepërta, dhe mbi të gjitha kur na godasin në momentet kur jemi të pambrojtur, dhimbja që na shkaktojnë na “mpin”, duke e kompromentuar aftësinë tonë për të qenë empatikë. Studiuesit në Universitetin Binghemton në Nju Jork, SHBA, matën aktivitetin e trurit të fëmijëve të moshës 7-11 vjeç, dhe zbuluan se fëmijët e prindërve shumë kritikë treguan më pak vëmendje ndaj shprehjeve të fytyrës së bashkëbiseduesve të tyre, sesa fëmijët e prindërve më pak kritikë.

Ndoshta sepse për t’u mbrojtur nga emocionet që janë shkatërruese për ta, njerëzit hiper-kritikë bëhen më pak të ndjeshëm ndaj sinjaleve negative, por përfundojnë duke regjistruar edhe shprehje më pak pozitive. Ndaj ata priren pa dashje të mendojnë se të tjerët nuk i kuptojnë, ndërsa mund të jenë në fakt ata që nuk perceptojnë tek të tjerët shenja të një afërsie emocionale.

Siç e tregon edhe rasti i prindërve të rreptë, është e qartë se kritika është edhe më e dhimbshme nëse na thuhet nga dikush që e duam. Komentet negative nga njerëzit tanë më të dashur, kanë një ndikim më të madh se sa ato nga të panjohurit, sepse ne kemi pritshmëri se si duhet të sillen ata ndaj nesh, dhe në rast kritikash ndihemi të “tradhtuar”.

Pikërisht për shkak se i kushtojmë më shumë rëndësi, komentet negative nga njerëzit më të afërt, mund të çojnë ndonjëherë në një pakënaqësi që nuk shuhet. Xhon Gotman, profesor i psikologjisë në Universitetin e Uashingtonit, kreu një studim me më shumë se 3000 çifte, në të cilin ai ishte në gjendje të parashikonte se cilët do të divorcoheshin, me një saktësi 93.6 për qind.

Sipas tij, një ndër faktorët më të rëndësishëm për ta çuar një çift drejt divorcit është pikërisht shkalla e kritikave:tek çiftet që qëndrojnë bashkë edhe pas grindjeve, raporti midis komenteve pozitive dhe negative është 5 me 1, ndërsa tek çiftet që ndahen, ky raport është 0.8 me 1.

Kur dy partnerët udhëzohen nga një ndërmjetës familjar të ndryshojnë mënyrën e tyre të të shprehurit, reduktimi i kritikave e redukton shumë më tepër konfliktin sesa rritja e vëmendjes. Me pak fjalë, një gjest apo një frazë dashamirëse ka më pak ndikim në anën tjetër sesa një gjykim negativ.

Përkundrazi, kritikat nga partneri lëndojnë aq shumë sa që siç e tregon një studim i vitit 2014, dëmton edhe sistemin imunitar, duke reduktuar aftësinë për të reaguar ndaj viruseve dhe tumoreve. Megjithatë, ekziston një dallim midis mënyrës se si burrat dhe gratë reagojnë ndaj komenteve negative.

Gratë kanë shumë më shumë gjasa t’i mbajnë përbrenda ndjenjat dhe të ndjejnë trishtim ose depresion, ndërsa burrat priren t’i nxjerrin jashtë ato (në formën e mallkimeve apo zemërimit), thotë Timoti J.Bono, ekspert në “Shkencën e Lumturisë” në Universitetin e Sent Luis në SHBA.

E njëjta gjë vlen edhe për rezultatet e provimeve në shkollë:femrat i vuajnë më shumë rezultatet negative, duke ia atribuar mungesës së inteligjencës apo angazhimit; ndërsa meshkujt ia atribuojnë shpeshherë rastësisë. Dhe kështu, siç e ka treguar ekonomistja e Universitetit të Harvardit, Klaudia Goldin, meshkujt priren të diplomohen në ekonomi pavarësisht nga notat që marrin në fillim, ndërsa femrat kanë më pak gjasa të vazhdojnë nëse nuk marrin notën maksimale.

Kritikat kanë pasoja edhe shkatërruese kur vijnë në sasi të mëdha, siç ndodh në rrjetet sociale. Aq sa shumë njerëz të famshëm, ndoshta të adhuruar nga miliona fansa, kanë shpallur shpesh qëllimin e tyre për të braktisur Twitter-in dhe Instagramin. Aktori Timote Shalamet dhe këngëtaret Billi Ajlish dhe Selena Gomez mbyllën kohët e fundit llogaritë e tyre në rrjetet sociale, sepse u kishte ardhur në majë të hundës nga reagimet “toksike”.

Por Xhon Tiernej dhe Roi Baumajster, bashkautorë të librit “Fuqia e së keqes:Si të kontrollojmë paragjykimet e negativitetit”, kanë një shpjegim për këtë dukuri:njerëzit nuk dinë të përballen me negativitetin në shkallën gjigante të mediave sociale, sepse truri ynë ka evoluar për të dëgjuar paralajmërimet e një komuniteti të vogël gjuetarësh-mbledhësish, dhe jo shumë njerëzve të panjohur.

Prandaj, të gjithë njerëzit që kontrollojnë shpesh komentet në mediat sociale duken veçanërisht të cenueshëm, dhe më të ekspozuarit janë adoleshentët. Sipas një studimi të fundit të publikuar në “JAMA Pediatrics”, vizitat e përsëritura (më shumë se 15 herë në ditë) në mediat sociale tek fëmijët 12-13 vjeç, shkaktojnë ndryshime mbi mënyrën se si zhvillohet truri i tyre gjatë tre viteve të ardhshme “duke i bërë ata të mbi-ndjeshëm ndaj reagimeve nga bashkëmoshatarët e tyre”.

Ekspertët sugjerojnë një sërë teknikash për të minimizuar ndikimin e kritikave në jetën tonë, si për shembull ta shohësh kritikën më shumë si një shenjë treguese të personalitetit të fajtorit (apo të dikujt që po kalon një ditë të keqe) sesa të kufizimeve tona. Ose mund të mbani një “Ditar Mirënjohjeje”, për t’i kujtuar vetes gjërat për të cilat duhet të jemi mirënjohës.

Po ashtu ndihmon përpjekja për t’iu drejtuar vetes me dashamirësi, në vend se të vetë-fajësohesh. Pra në vend se ta quani veten idiot pse nuk e keni kryer një detyrë në mënyrën më të mirë të mundshme, duhet të mësoheni të thoni:”Këtë herë mësova diçka nga gabimet e mia, dhe herën tjetër gjërat do të shkojnë më mirë”.

Një këshillë tjetër është të ndërpritet rrjedha e mendimeve negative, duke u marrë me sport apo dëgjuar muzikë qetësuese. Por nëse duhet të kritikojmë një tjetër, idealja do të ishte të përdornim “Rregullin e Sanduiçit”:niseni duke thënë diçka të mirë, më pas shtoni një kritikë, siç bëni me mbushjen e një sanduiçi dhe përfundojeni me një vlerësim pozitiv.

Gjithsesi për të gjithë sugjerimi është jeni të kujdesshëm, sepse siç tha dikur shkrimtari anglez Somerset Mougam “Njerëzit ju kërkojnë kritika, por në të vërtetë ata duan vetëm lëvdata!”./ Pershtatur nga CNA

 





Lajmet e fundit nga