LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si e shpjegon shkenca dukurinë Déjà vu?

4 Qershor 2023, 21:00, Kuriozitete CNA

Si e shpjegon shkenca dukurinë Déjà vu?

Ju jeni duke ecur diku ku nuk keni qenë kurrë më parë, dhe befas ndjeni sikur keni shëtitur në të njëjtën rrugë tashmë. Në këtë rast jeni duke përjetuar fenomenin e njohur Déjà vu. Por çfarë është Déjà vu, dhe pse shfaqet kjo ndjenjë e çuditshme?

Déjà vu është një shprehje franceze që do të thotë “e parë tashmë”, e cila u përdor për herë të parë në vitin 1876 nga filozofi francez Emil Boirak në një letër drejtuar redaktorit të librit të tij, dhe më vonë në librin e tij me titull “Psikologjia e së ardhmes”.

Déjà vu është pra ndjenja se diçka që një person po përjeton aktualisht, ka ndodhur tashmë në të kaluarën. Sipas librit “Psikologjia e të mësuarit dhe motivimi” (Elsevier, 2010), ekspertët i referohen këtij fenomeni si një iluzion kujtese që përfshin familjaritetin dhe mosnjohjen.

Iluzioni që dikton përshtypjen e një personi se një përvojë është e njohur është i pasaktë. Rreth 2/3 e njerëzve raportojnë se kanë një përjetuar Déjà vu, thuhet në libër, dhe frekuenca e episodeve të raportuara zvogëlohet me kalimin e viteve.

Disa njerëz raportojnë se përjetojnë Déjà vu në një shkallë aq të shpeshtë që është shqetësuese për ta. Raste të tilla mund të shkaktohen nga abuzimi me substancat narkotike, migrena dhe ankthi, si dhe depersonalizimi-derealizmi, një gjendje mendore ku një person ndihet i shkëputur nga trupi ose mjedisi i tij.

Megjithatë, epilepsia e lobit të përkohshëm në tru mendohet të jetë shkaku më i zakonshëm i Déjà vu-ve të tilla të shpeshta. Shkencëtarët sugjerojnë se të paktën gjatë krizës epileptike, episodet e Déjà vu mund të lindin nga krizat në lobin temporal të trurit apo nga mos-funksionimi në rajonet e trurit të përfshira në ruajtjen dhe rikthimin e kujtesës, si hipokampusi dhe parahipokampusi. 

Megjithatë, duke qenë se Déjà vu përjetohet edhe nga individë pa epilepsi apo sëmundje të tjera, duhet të ketë shpjegime të tjera se përse ndodh kjo përvojë e çuditshme. “Një mekanizëm i mundshëm është teoria e bazuar tek kujtesa, e cila fokusohet në rolin e njohjes tek Dejà vu”-tha për Live Science dr.Oha Susmita, neuropsikiatre në Allo Health.

Kjo teori sugjeron që “Déjà vu lind kur një situatë aktuale, i ngjan shumë një eksperience të hasur më parë, por të harruar”- thotë Susmita. “Situata e re, mund të ketë ngjashmëri me një ngjarje të kaluar, duke çuar në lindjen e një ndjenje familjariteti pa një kujtesë shoqëruese të detajeve specifike”-shton ajo.

Sipas ekspertes, Déjà vu mund të shkaktohet nga përpjekja e trurit tonë për të kuptuar këto ngjashmëri të perceptuara dhe për të krijuar një ndjenjë njohjeje, edhe nëse nuk mund të kujtojmë me vetëdije përvojën origjinale.

Shkencëtarët janë përpjekur të rikrijojnë Déjà vu në laborator, por kanë hasur vështirësi që të identifikojnë stimujt që mund ta ngjallin këtë ndjenjë. Gjithsesi ata kanë disa mënyra për ta kapërcyer këtë sfidë. Për shembull në vitin 2010, studiuesit e Universitetit të Lidsit në Angli, raportuan se përdornin hipnozën për të nxitur Déjà vu tek vullnetarët e studimit të tyre.

Në një studim të botuar në vitin 2012 në revistën “Consciousness and Cognition”, Ana Kleri, profesoreshë e psikologjisë njohëse në Universitetin Shtetëror të Kolorados, SHBA, dhe ekipi i saj përdorën realitetin virtual (VR), për të shqyrtuar hipotezën se njerëzit mund të përjetojnë një Déja vu kur ndeshen me mjedise që janë të ngjashme me ato që kanë përjetuara në të kaluarën, me kushtin që të mos e kujtojnë atë përvojë të kaluar.

Kjo quhet “hipoteza e familjaritetit Gestalt”, e ndërtuar mbi renditjen e sendeve në një mjedis. Në eksperimentin e tyre, Kleri dhe ekipi i saj u përpoqën të shkaktonin Déjà vu tek pjesëmarrësit, duke i detyruar ata të përjetonin skena të ndryshme me një kufje VR.

Disa skena kishin të njëjtin plan urbanistik, gjë që do të thotë se muret dhe mobiljet e tyre ishin vendosur në të njëjtat vende. Ekipi zbuloi se njerëzit kishin më shumë gjasa të raportonin ndjenjat e Déjà vu-së, kur e gjenin veten në mjedise që kishin një dekor të ngjashëm me skenat që kishin parë në të kaluarën, por që nuk i kujtonin në mënyrë specifike. 

Një teori tjetër, sugjeron se Déjà vu shkaktohet nga hendeku perceptues, ose perceptimi i ndarë, sipas “psikologjisë së të mësuarit dhe motivimit”. Perceptimi i ndarë ndodh kur në një moment të caktuar, truri përpunon dy herë të njëjtat sinjale shqisore.

Në procesin fillestar, sinjali është i shkurtër dhe kalon shpeshherë pa u vënë re në mendjen tonë të ndërgjegjshme. Gjatë procesit të dytë, që pason pothuajse menjëherë, krijohen ndjenja familjariteti (Déjà vu) për shkak të sinjalit të parë, i cili nuk mund të kujtohet.

Në vitin 2016, Akira O’Konor, lektor në shkollën e psikologjisë dhe neuroshkencës në Universitetin e Shën Endrju në Skoci, paraqiti një studim që sugjeroi se dukuria e Dejà vu, shkaktohet nga truri që korrigjon gabimet e kujtesës.

O’Konor dhe ekipi i tij përdorën teknikën e skanimit të trurit të imazheve magnetike me rezonancë funksionale (fMRI) për të kontrolluar se cilat pjesë të trurit janë aktive, kur dukuria shkaktohet enkas në laborator. Nga rezultati i studimit të tyre, rezultoi se aktiv nuk ishte hipokampusi, një rajon kyç i trurit përgjegjës për rikthimin e kujtesës, por korteksi medial paraballor, një rajon i përfshirë në zgjidhjen e konflikteve midis asaj që kujtojmë se përjetuam dhe asaj që kemi përjetuar në të vërtetë.

Sipas O’Konor, ky rajon i trurit lëshon një sinjal kur ndodh një mospërputhje e tillë, dhe kjo mund të shpjegojë arsyen pse Dejà vu-ja është më e zakonshme tek të rinjtë sesa tek të moshuarit. Kur plaket një person, Dejà vu nuk është aq i shpeshtë sepse “sistemi i përgjithshëm i kontrollit është në rënie”- thotë ai, duke e bërë të vështirë dallimin e kujtimeve të rreme.    

Deri më sot nuk ekziston asnjë teori shkencore e pranuar botërisht, që shpjegon mekanizmin që qëndron pas dukurisë së Déjà vu. “Duhet më shumë kërkime për ta shpjeguar këtë ndjesi misterioze. Është e rëndësishme të theksohet se Dejà vu është një përvojë e zakonshme, dhe ajo nuk konsiderohet shenjë e ndonjë gjendjeje mjekësore apo psikologjike”- thotë Susmita./ Pershtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga