web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kush janë 8 qytetet më të rrezikshme në botë

25 Qershor 2023, 20:30, Kuriozitete CNA

Kush janë 8 qytetet më të rrezikshme në botë

Ne të gjithë ndjekim ritmin tonë në jetë. Disave u pëlqen ngutja dhe nxitimi i një qyteti të madh, me turmat e njerëzve kudo që hedh sytë. Dhe disa të tjerëve u pëlqen një fshat të bukur dhe i qetë ku mund të pushojnë dhe t’i marrin gjërat lehtë. Për ata që bëjnë pjesë në grupin e parë kemi një udhëzues për disa nga qytetet më të rrezikshme në botë, pasi përmbajnë nivelet më të larta të vrasjeve, kriminalitetit në përgjithësi, ndotjes mjedisore dhe fatkeqësive natyrore.

Tijuana, Meksikë

Tijuana konsiderohet si kryeqyteti i vrasjeve në botë, me një normë 138 vrasje për 100.000 banorë çdo vit. Rritja e dhunës midis karteleve rivale të drogës është shkaku kryesor i vrasjeve në këtë qytet. Tijuana ndodhet në kufirin Meksikë-SHBA, dhe aty banojnë afro 2 milionë njerëz. Qyteti është i larmishëm dhe me rritje të shpejtë, duke tërhequr mesatarisht rreth 80.000 emigrantë çdo vit.

Legazpi, Filipine

Shumë qytete janë ndërtuar shumë pranë vullkaneve aktive. Kjo u ofron disa përfitime si opsioni për të shfrytëzuar energjinë gjeotermale. Por disavantazhet mund të jenë shumë më të mëdha. Qyteti Legazpi në Filipine është një shembull i tillë. Ai ndodhet rrëzë malit Majon, një vullkan shumë aktiv sidomos gjatë dekadës së fundit.

Vetëm kohët e fundit, mbi 16.000 njerëz u detyruan të evakuohen kur shpërtheu vullkani. Për shkak të rreziqeve që paraqet vullkani, së fundmi janë shpallur plane për të ndërtuar një qendër të madhe evakuimi në rastin e shpërthimeve të ardhshme. Por edhe me një vullkan aktiv në pragun e tyre, në këtë qytet banojnë mbi 200.000 njerëz.

Pripiat, Ukrainë

Mbi 37 vjet që nga katastrofa bërthamore e Çernobilit, qyteti fantazmë i Pripiat është ende zona më radioaktive në botë. Në fakt, rrezatimi depërtoi aq shumë sa duhet të kalojnë të paktën 20.000 vjet para se dikush të mund të jetojë përsëri në këtë zonë. Para katastrofës, në Pripiat jetonin gati 50.000 njerëz.

Shumica e të rriturve punonin në termocentralin bërthamor. Pas shpërthimit dhe rrjedhjes së rrezatimit u zhvendosën në qytetin e ndërtuar enkas për ta Slavutiç, 45 km larg Pripiatit. Vitet e fundit në qytet kishin filluar të zhvilloheshin ture turistike, kjo derisa nisi lufta.

Lahore, Pakistan

Kur prisni shumicën e pemëve për të ndërtuar rrugë të reja, me synim shtimin e përdorimit të makinave, atëherë rezultati është dëshpërues. Lahore kryeson sot rregullisht listat si qyteti më i ndotur në botë, me një cilësi ajri që është e rrezikshme për shëndetin e njeriut. Shkarkimet nga industria e rëndë, pluhuri nga kantieret e ndërtimit dhe prodhimi i energjisë që ende mbështeten tek djegia e lëndëve djegëse fosile, ndikojnë në problemin e madh që ka ky qytet me ndotjen.

Oklahoma, SHBA

Rreth 37 milionë njerëz jetojnë në Oklahoma City, edhe me vetëdijen se ai është shumë i rrezikuar të goditet nga një tornado. Qyteti ndodhet pranë qendrës së “rrugës së tornadove”, një zonë në SHBA ku ka më shumë gjasa të ndodhin tornadot më të fortë. Maji është muaji që regjistron edhe më shumë tornado, me një mesatare prej mbi 24 stuhish që ndodhin çdo vit që nga viti 1950. Pavarësisht nga rreziqet, në këtë qytet nuk ka strehimore publike për tornadot, kjo sepse rrugët mund të bllokohen shpejt nëse afrohet stuhia. Për këtë arsye, shumica e njerëzve ndërtojnë strehimoret e tyre private për t’u mbrojtur nga rreziku.

Xhakarta, Indonezi

Gati gjysma e qytetit gjendet nën nivelin e detit, gjë që e bën pjesën më të madhe të gjysmës veriore të qytetit shumë të ndjeshme ndaj përmbytjeve. Një sistem i dobët i kanalizimeve dhe i infrastrukturës nuk mund të përballojë vëllime të mëdha uji. Banorët po mësohen me përmbytjet e përvitshme, që po bëhen gjithmonë e më të shpeshta.

Studimet kanë treguar se Xhakarta në fakt po fundoset nga 5-10 cm në vit, duke nxitur propozimin e zgjidhjeve drastike për këtë problem. Disa nga këto përfshijnë ndërtimin e një muri gjigant në vijën bregdetare që do të ketë formën e një zogu dhe do të jetë 32 km i gjatë dhe 2.4 metra i lartë. Shpresohet që kjo do të mbrojë 10 milionë banorët e Xhakartës nga rreziqet e përmbytjeve.

Tokio, Japoni

Ndodhet në “Unazën e Zjarrit të Paqësorit”, një zonë e madhe me gjatësi 40.000 km dhe që përfshin 452 vullkane. 90 për qind e të gjithë tërmeteve në botë ndodhin në këtë rajon. Për këtë arsye, Tokio përjeton pothuajse çdo ditë një lloj aktiviteti sizmik.

Tërmetet janë aq të zakonshme në Tokio saqë zakonisht injorohen nga vendasit, edhe pse çdo shkolle i kërkohet të kryejë 2 stërvitje për tërmetet çdo vit në rast se godet një tërmet i madh.

Si qyteti më i populluar në botë (14 milionë njerëz vetëm në pjesën e qytetit), një tërmet i fuqishëm këtu do të ishte me pasoja katastrofike.

Terezina, Brazil

Është qyteti më i nxehtë i Brazilit, me një temperaturë mesatare në verë prej 36 gradë Celsius, dhe që rrallë bie nën 20 gradë. Këto kushte të nxehta dhe me një nivel të lartë lagështie, e bëjnë këtë qytet vendin ku bien më shumë rrufe në botë. Qyteti ndodhet në një zonë të Brazilit të njohur si “rrafshnalta e rrufeve të shpejta” (chapada do corisco), një rajon me shkallën e tretë më të lartë të goditjeve të rrufeve në vit në botë. Po ashtu krimi është problem edhe në këtë qytet. Ai u rendit i 50 në botë për numrin e vrasjeve në vitin 2017./ Pershtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga