web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A ekzistojnë alienët dhe çfarë po fsheh qeveria amerikane

1 Korrik 2023, 21:00, Kuriozitete Sean Thomas

A ekzistojnë alienët dhe çfarë po fsheh qeveria amerikane

Ndërsa kryeqendrat e famshme të superfuqive botërore vazhdojnë të lulëzojnë, Uashingtoni duket disi zhgënjyes në pamje. Një urbanizim në një stil madhështor synon t’i ngjajë bulevardeve të Parisit, parqeve të mëdha të Londrës, por në realitet stili i zymtë post-modern/neoklasik e bën atë të duket si Tashkenti.

E megjithatë Uashingtoni është çdo gjë tjetër veçse jo i mërzitshëm. Ai bart një pompozitet të vazhdueshëm dhe gjatë viteve të fundit, muajve, madje edhe ditëve prej andej ka dalë një histori mbi të cilën ka shumë debate. E kam fjalën për UFO-t ose siç do t’i referohej Pentagoni që ndodhet në periferi të Uashingtonit, UAP (Fenomene Ajrore të Paidentifikuara, ose Fenomene Anormale të Paidentifikuara).

Arsyeja pse Pentagoni i ka riemërtuar UFO-t është sepse ata mendojnë se ky term është stigmatizuar si i dyshimtë, duke bërë të duket si i çmendur cilindo që flet për to. Dhe në përgjithësi Pentagoni dhe Uashingtoni në përgjithësi, janë vërtet të prirur të flasin për UFO-t.

Kreu i CIA-s në kohën e presidentit Obama, Xhon Brenan deklaroi në vitin 2021:

“Disa nga fenomenet që do të shohim, vazhdojnë të jenë të pashpjegueshme dhe në fakt mund të jenë diçka që ne nuk e kuptojmë ende, dhe mund të përfshijnë një lloj aktiviteti, për të cilin disa mund të thonë se përbën një formë të ndryshme jete”.

Po atë vit, Xhon Ratklif, drejtori i Inteligjencës Kombëtare në kohën e presidentit Donald Trump tha:

“Ka shumë më tepër pamje sesa ato që janë bërë publike. Disa prej tyre janë de-klasifikuar. Dhe kur flasim për pamjet, e kemi fjalën për objekte që janë parë nga pilotët

e Marinës apo të Forcave Ajrore, ose që janë kapur nga imazhet satelitore, duke u përfshirë në veprime që janë të vështira për t’u shpjeguar. Pra në lëvizje që janë të vështira për t’u përsëritur dhe për të cilat ne njerëzit nuk kemi teknologji. Apo që udhëtojnë me shpejtësi që e tejkalojnë atë të zërit por pa shkaktua asnjë bum zanor”.

Ish-drejtori i CIA-s Xhejms Uzlej i pyetur në vitin 2021 mbi UFO-t u shpreh:

“Njerëzit kanë raportuar sjellje shumë të çuditshme nga avionët. Dhe mund të jetë diçka e vërtetë që është një ndryshim i jashtëzakonshëm dhe për ndonjë arsye të paparalajmëruar. Ose mund të jetë një grup kompleks mjetesh i asaj që po ndodh në botën e kibernetikës. Unë nuk e di me saktësi. Por nuk jam aq skeptik sa disa vite më parë”.

Marko Rubio, senator republikan i Floridas, deklaroi po dy vite më parë mbi këtë çështje:

“Ka disa mjete që fluturojnë në hapësirën tonë ajrore, të cilat ne nuk e dimë se çfarë janë. E sigurt është se nuk janë tonat. Prandaj ne duhet ta dimë se çfarë janë, sidomos nëse i përkasin kundërshtarit tonë që paska hedhur një hap teknologjik të jashtëzakonshëm”.

Bill Nelson, kreu aktual i NASA-s u shpreh po në vitin 2021:

“E kush jam unë që të them se planeti Tokë është vendndodhja e vetme me një formë jete që është e civilizuar dhe e organizuar në një formë si e jona?”.

Lista e deklaratave të tilla nga njerëz me peshë është shumë më e gjatë sesa kjo.

Dhe nuk janë vetëm zyryarët e lartë të mbrojtjes dhe politikanët e njohur (nga të dyja partitë) që thonë gjëra të çuditshme. Vitet e fundit, Pentagoni ka ngritur ekipe speciale për të hetuar çështjen e UFO-ve, Kongresi ka mbajtur seanca dëgjimore zyrtare mbi to, Pentagoni ka de-klasifikuar “videot e UFO-ve”, ndërsa mediat kryesore amerikane, nga “New York Times” tek “Washington Post” apo televizioni “CBS”, kanë diskutuar gjatë mbi këto fenomene.

Në këtë debat janë përfshirë edhe presidentët amerikanë. Xhimi Karter është një besimtar i shpallur i alienëve. Bill Klinton dërgoi një ekip të posaçëm për të hetuar në Zonën 51 në Nju Meksiko (një bazë e supozuar e aktivitetit të UFO-ve dhe një vend i supozuar i “anijeve kozmike aliene”).

Por ndërhyrja më e habitshme erdhi nga Barak Obama gjatë emisionit “The Late Late Show” të Xhejms Korden në vitin 2021. Pas batutave të zakonshme mbi “burrat e vegjël të gjelbër”, Obama pushoi papritmas së qeshuri dhe tha: “Tani e them me seriozitet se ka foto dhe video të objekteve në qiell, të cilat ne nuk e dimë saktësisht se çfarë janë. Nuk mund të shpjegojmë se si lëvizin dhe as trajektoren e tyre. Ato nuk kishin një model lehtësisht të shpjegueshëm”.

Dhe kohët e fundit kemi parë një zhvillim të ri të bujshëm: informatorin Dejvid Grush.

Një oficer i inteligjencës amerikane me përvojë, i zgjuar, i artikuluar dhe shumë i respektuar, me një CV mbresëlënëse, dhe në një rast i dërguar në një ekp të ri që “studionte UAP”, Grush dha kohët e fundit dorëheqjen duke bërë disa pretendime të jashtëzakonshme.

Ai i ka bërë ato nën betim në Kongres, me mbështetjen e kolegëve. Sipas njërit prej tyre, ushtria amerikane zotëron një anije të rrëzuar “aliene” (Grush nuk përdor termin “jashtëtokësor” por “inteligjencë jo-njerëzore” ose NHI).

Po sipas Grush anijet NHI - ose pilotët e tyre - kanë plagosur dhe madje kanë vrarë njerëz në të kaluarën. Të paktën një anije është në posedim privat. Po ashtu alienët mund të mos banojnë përtej sistemit tonë diellor. Përkundrazi pretendohet se ata ekzistojnë në një dimension paralel me tonin, pikërisht këtu në Tokë.

Anijet e tyre duket se kanë aftësinë për të përkulur hapësirën dhe kohën. Ato duken më të mëdha nga jashtë sesa nga brenda. Hetuesit që hyjnë brenda tyre kanë pësuar efekte të çuditshme negative. Pavarësisht kësaj, qeveria amerikane është në një lloj marrëveshjeje me disa nga NHI-të e huaja.

Grush ka pohuar gjithashtu se një UFO që u rrëzua në Italinë fashiste, u mor nga Musolini dhe iu dorëzua SHBA-së në fund të Luftës së Dytë Botërore, nën mbikëqyrjen e Vatikanit. Ai nuk ka prova të dorës së parë për asnjë nga këto, ai thjesht i ka dëgjuar ato nga të tjerët që punonin në Pentagon.

Duket si komploti i një romani vërtet të tmerrshëm të Den Braun, i shkruar kur ai ishte 9-vjeç. A ka dijeni Papa për UFO-t? A ekzistojnë ata në Dimensionin e Pestë? A ekzistojnë ata në formën e hardhucave që flasin si njerëzit? Reagimi kryesor ndaj deklaratës së Grush është se ai është i çmendur.

E megjithatë ai nuk duket i tillë. Pra, ai duhet të jetë duke gënjyen. Por nëse ai gënjen, pse e bën në këtë formë? Nëse ai dëshiron t’i bindë njerëzit se po thotë të vërtetën, pse bën pretendime të tilla të bujshme, për shembull përfshirjen e Vatikanit? Apo armëpushimin e qeverisë amerikane me marsianët?

Ndoshta e bën gjithë këtë për para. Por çfarë parash? Ai rrezikon të tallet në mbarë botën, karriera e tij me siguri që ka mbaruar, shumë njerëz e kanë vënë në dyshim gjendjen e tij mendore dhe nëse e bën atë për para, ka vënë në rrezik të gjithë reputacionin e tij profesional për të shitur ndoshta një libër dhe për të fituar disa dollarë në faqet e internetit periferike që merren me UFO-t.

Të vetmet shpjegime të tjera, janë se ai është manipuluar për t’i besuar këto gjëra. Por si ka ndodhur kjo? Përmes drogës? Shpëlarjes së trurit? Ose ai po thotë të vërtetën siç e sheh, pavarësisht nëse ka të drejtë apo gabim. Provat aktuale mbi ekzistencën e UFO-ve janë të pakta, madje edhe patetike.

Unë mendoj se 5 janë shpjegime e mundshme për këtë çështje. Së pari establishmenti në SHBA, është i përfshirë në një komplot kompleks ndërpartiak për të nervozuar dhe frikësuar kundërshtarët e Amerikës, sidomos kinezët. Ndoshta ata duan t’i bindin ata se Amerika zotëron teknologjinë e avancuar të alienëve dhe se ajo e ka inxhinieruar atë për dekada të tëra.

Së dyti, institucionet amerikane kanë një teknologji të re të jashtëzakonshme ushtarake - diçka vërtet mahnitëse, si avionët anti-gravitet dhe duan t’i fshehin nga të gjithë të tjerët. Amerikanët por edhe kinezët.

Së treti establishmenti amerikan është çmendur kolektivisht, ose vuan nga halucinacione masive, që rrjedhin nga disa individë mendjemëdhenj (një proces i njohur në psikologji si “infektim”).

Së katërti, ushtria dhe elita amerikane beson sinqerisht se ne po vizitohemi nga inteligjenca jo njerëzore, por e kanë gabim. Dhe së pesti, ushtria dhe elita amerikane beson sinqerisht se ne po vizitohemi nga inteligjenca jo njerëzore, dhe ata kanë të drejtë.

Cila nga këto hipoteza është e saktë? Sipas meje që të gjithë problemet por bartin edhe paralajmërime të mëdha. Thjesht mendoni për ndonjërin prej tyre dhe do ta kuptoni arsyen. Gjithsesi, i gjithë ky fenomen i veçantë ka nevojë për zbërthim. Dhe nëse përgjigja përfundimtare rezulton të jetë opsioni i pestë - që sado i çuditshëm, nuk mund të hidhet poshtë plotësisht - atëherë mund të kemi nevojë edhe për disa lutje./ “The Spectator” - Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga