LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kush e zbuloi në të vërtetë Amerikën?

12 Shtator 2022, 13:36, Kuriozitete CNA

Kush e zbuloi në të vërtetë Amerikën?

Zakonisht thuhet se Kristofor Kolombi ishte europiani i parë që e zbuloi Amerikën e Veriut. Ky pretendim është paraqitur si një fakt deri vonë, kur u zbulua se në fakt Kolombi nuk ishte i pari që e eksploroi Amerikën. Dokumentet e lashta thonë që ishin vikingët, dhe më konkretisht një viking i quajtur Lief Erikson, ai që e zbuloi i pari Amerikën.

Lief Erikson ishte djali i Erik Red, themeluesi i parë i një vendbanimi në Grenlandë, dhe gjithashtu një i afërm i largët i Nadod, një eksplorues tjetër i njohur që ishte i pari që e zbuloi Islandën. Prandaj mund të themi që eksplorimi ishte një trashëgimi familjare.

Pasi u rrit në Grenlandë, në moshën 29-vjeçare Lief vendosi të ndiqte gjurmët e të parëve të tij. Ai dëgjoi mbi tokën e panjohur në perëndim të Grenlandës nga tregtari Bjarni Herjolfson, që pretendonte se gjatë njërës prej udhëtimeve të tij kishte ndryshuar kursin dhe e kishte parë atë tokë nga distanca, por pa zbarkuar atje.

Me këtë informacion, Erikson ia bleu anijen Bjarnit, mblodhi rreth 35 njerëz për të krijuar ekuipazhin e tij, dhe u nis drejt vendit të përshkruar nga Bjarni. Në fillim edhe i ati mendoi të shkonte bashkë me të në ekspeditë. Por ai u rrëzua aksidentalisht nga kali gjatë rrugës për në anije, ngjarje që ai e perceptoi si një ogur të keq, prandaj edhe qëndroi në shtëpi.

Pa ndihmën e një eksperti siç ishte i ati, dhe pa shumë përvojë në mesin e marinarëve të ekuipazhit, Erikson nisi udhëtimin sipas rrugës së përshkruar nga tregtari. Në fillim ai zbarkoi në një pjesë veriore të Kanadasë, për të cilën sot historianët supozojnë se ishte Gjiri i Labradorit.

Ai do të udhëtonte dhe për 2 ditë për të mbërritur në një pjesë shumë më të ngrohtë të kontinentit dhe që kishte një sasi të bollshme të peshkut salmon. Dimri po afrohej, ndaj Erikson vendosi të ngrinte një kamp buzë detit për të qëndruar për pjesën tjetër të vitit.

Ai e ndau ekuipazhin e tij në dy pjesë. Njëri do të qëndron në kamp, dhe tjetri do të vazhdonte eksplorimin. Këta të fundit zbuluan shumë hardhi dhe rrush në brendësi të tokës, prandaj e pagëzuar “Vinland” tokën e sapozbuluar.

Erikson do ta kalonte gjithë dimrin atje dhe do të rikthehej në Grenlandë me një furnizim të bollshëm me rrush dhe lëndë drusore për të treguar suksesin e tij. Por duket se jo shumë njerëz e njohin këtë histori. Kjo ngjarje e rëndësishme duket se u harrua përgjatë historisë me largimin gradual të Vikingëve nga tokat e reja me kalimin e shekujve.

Këto territore nuk do të eksploroheshin sërish nga asnjë eksplorues i dokumentuar deri në kalimin e oqeanit Atlantik nga Kolombi në vitin 1492, ku ai do të zbulonte Karaibet, ndërsa përpiqej që të gjente një rrugë të re për të shkuar në Kinë përmes detit.

Kjo e ka shtyrë Kolombin në qendër të vëmendjes si europianin e parë që e zbuloi Amerikën, gjë që nuk është e vërtetë, siç e kemi parë nga historia e Lief Erikson. Megjithatë, ekzistojnë mite të një murgu irlandez të quajtur Shën Brendan, që në fillim të shekullit VI lundroi përmes Atlantikut me një varkë tradicionale irlandeze, me korniza druri të veshur me lëkurë kafshësh.

Edhe pse deri më sot nuk është gjetur asnjë provë për këtë, Tim Serevin mendon se ky udhëtim ka të ngjarë të ketë ndodhur. Madje ai e kreu vetë një lundrim të tillë për ta vërtetuar se kjo gjë ishte e mundur. Nga kjo, ne mund të mësojmë shumë gjëra mbi dezinformimin dhe popullaritetin.

Vetëm për shkak se Kristofor Kolombi ishte më popullor se Shën Brendan dhe Erikson, ai vlerësohet sot gjerësisht nga shumica e njerëzve si njeriu që zbuloi Amerikat. Por duke parë paksa më thellë, ne shohim se kjo është jo vetëm e rreme, por edhe mashtruese, pasi informacioni mbi ekzistencën e një kontinenti në perëndim të Spanjës ishte i disponueshëm, por kryesisht në teori dhe përmes legjendave.

Ky rast na mëson që të mos i marrim gjërat siç i shohim, por të shohim më thellë dhe të zbulojmë se çfarë ka ndodhur, detajet më të imta, dhe mbi të gjitha të vërtetën.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga