LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“NJOLLA TË MURRME”/ NGA DRAMË NË TRAGJEDI

7 Janar 2024, 13:45, Kulturë Mitro Çela
“NJOLLA TË MURRME”/ NGA DRAMË NË TRAGJEDI
Mitro Çela

Kur isha i ri, kisha komshi Robert Ndrenikën. Më tha një ditë:

 -Po vjen me mua sot në teatër?

Rrallë i bie  fati njeriut, të shohë edhe një kryevepër si “Pamje nga ura”; edhe të luajtur nga një artist i madh, si Piro Mani.

1.

Zura vend në lozhë. U fikën dritat. Edi Karbone -personaxhi-dukej sikur ishte “gatuar” nga autori, Artur Miler për Piro Manin.

Pushim mes akteve. Në llozhën qëndrore ishte ulur kryeministri: Mehmet Shehu. Nuk lëvizte as qerpikët...

Në vesh dikush më peshpëriti. Ishte profesori im i letërsisë, shkrimtari Filip Ndocaj:

-Sot po shohim një kryevepër. Por nuk ka rëndësi si luan Piro Mani.

Vlerë kanë duartrokitjet e kryeministrit.

Ra sipari. Dolën aktorët në skenë. Spektatorët të ngrirë. Prisnin sinjal nga llozha. Me bisht të syrit shihja shokun Mehmet.  Dyllë i verdhë. U ngrit në këmbë. Vështroi sallën.  Zgjati duart... U mendua...Pastaj i rrahu dy -tre herë.  Si në komandë salla shpërtheu.

2.

Falë Ndrenikës zura miqësi me Kadri Roshin, Timo Fllokon, Ndriçim Xhepën, Vangjush Furxhi, Piro Mani etj.

Në vjeshtën e vitit 1969 mora “dy gisht leter” nga  Vangjush Furxhi:

-Mitro! Kemi festival në Tiranë.

Të pres!

Brenda zarfit një fletë palosje.

Dramë  :”Njolla të murrme”. Autor:  Minush Jero.

Regjizor: Mihal Luarasi.

Në role Edi Luarasi, Vangjel Furxhi etj.

U futa në teatër. Në llozhë Mehmet Shehu me Ramiz Alinë. Ra sipari. Kryeministri i bëri duart “gjak”. Ishte çudi për një kryeministër nursës.  Pas shfaqes, mblodhi  aktorët. I përqafoi dhe tha një metaforë:

-Gol i artë, në minutën e 90-të.

Me këtë metaforë, juria i dha çmimin e parë dramës. Regjizorit. Aktores.

3.

Pas disa ditësh u dha përsëri drama. Në llozhë u ul  shoku Enver. I ftuar nga kryeministri. Ra sipari. Shoku Enver përplasi duart. Ftohtë.  U largua. Pa takuar njeri...

Në shtëpi lexoi dramën. Rrudhi buzët dhe tha vetëm një frazë:

-Vepër desidente!

...Mbledhje e Byrosë Politike.

Drama dhe autori ne “gijotinë”.

Për aktorët: goditje me pambuk...

Në vitet ‘70-të në skenë doli Todi Lubonja. Liberal.

Mik i Ramiz Alisë. Ftoi në Korçë Minush Jeron. Folën. Thurën plane; këshilla dhe Mirushi shkroi një dramë të re.

“Të pamposhturit”. As mish e as peshk.  Drama u vu në skenë. Nuk bleu njeri bileta.  Salla u mbush me konviktorë. Dhe autori u rehabilitua.

4.

Todi Lubonja, Fadil Paçrami dhe Ramiz Alia shkuan më tej. E kthyen teatrin në “ring” mes regjizorëve.

Lanë te zhvillohen dy shkolla: Mihallaq Luarasi,  i shkolles Breht. Normale. Student në Hungari.

Kujtim Spahivogli i shkollës Stanisllavski.  Normale. Student në Bashkimin Sovjetik.

-Le të lulëzojnë 100 lule,- thoshte Ramiz Alia me humor.-Duke bëre ironi me një nga teoritë e Mao Ce Dunit.

...Dy vjet në von. Festivali i 11-të në RTSH. ???

Kaq u desh :

Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Mihal Luarasi, Minush Jero, Sherif Merdani etj- në burg.

Kujtim Spahivogli në fshat.  Sheri Mita në Berat. Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo në edukim...

Vetëm Ramiz Alisë nuk i “hyri gjëmb në këmbë.”

 

5.

Po më von? U shkruan disa drama. Pa vlerë. Bajate. Spektatorët braktisëm teatrin.

Po unë?

Rreth viteve ‘75-së, u vu në skenë drama “Furnalta”. Në shtyp shkruhej: Kryevepër!

-E po shyqyr!-Mendova duke blerë biletën-Ja vlen t’i kthehem teatrit.

Rrugës takova Robert Ndrenikën.

-Nuk e kam parë. Shko ti dhe më thuaj...

...Buzëqeshi...

E pashë.

Nuk ishte art.

Propogandë.

Nga ajo natë, për 20 vjet nuk shkela në teatër!

Shënimi i parë.

EDI LUARASI

Lindi në Tiranë, në vitin 1940.

Në vitet ‘50-73 ishte një nga femrat më të famshme në Shqipëri. Seksi. Rebele. Moderne. Estravagante.

E nisi karierën si kengëtare. Në skenën e estradës këndoi me motrën. Dhe “Motrat Mirdita”- në Tiranë - si “Motrat Kesler” në Gjermani e Itali.

La këngën për teatrin. Një ditë u fut në hollin e hotel “Dajti”. Pa një djalë. E tërhoqi bukuria? Jo. Mënyra si kishte lidhur shallin.

Ishte Mihallaq Luarasi. Sa ishte kthyer nga Budapesti. Ishte regjizor.

Kur Edi e kishte harruar, Mihallaqi shkoi ne estradë. E ftoi Edin të luante në skenë?...Disa herë...Ai e nxiti të vazhdoi shkollë për aktore.Një ditë ajo e ftoi në shtëpi. E ëma e pyeti:

-Je i zoti ta bësh zap Edin?!Martesa. Dy fëmijë: djalë e vajzë.

Dhe erdhi lumturia në qiellin e 7-të. Viti 1969. Festival i teatrove kombëtar në Tiranë.

Kujton Edi:

-Kryeministri, Mehmet Shehu e pëlqeu dramën “Njolkat e murme”. Shtroi një darkë për trupën e teatrit në Shtëpinë e Oficerëve. Vendi im? Në krah të Mehmet Sheut! Më zunë ethet.

-Çfarë ke?-Më pyeti ministri i Shëndetësisë Llambi Ziçishti.-Ishte aty. Ruante nga helmimi kryeministrin?!

-Nuk mund të rri pa pirë cingare?

-Mos! Po të pa shoku Mehmet duke pirë, ta shuan cingaren në lule të ballit?!

Zgurdullova sytë...

Pas 4 viteve burri im u dënua me 8 vite burg. Pas 12 viteve: kryeministri vrau veten. Ministri Llambi Ziçishti u pushkatua?!

Ironi e fatit?!

...Burri në burg. Edi në shtëpi. Me dy fëmijë. Punonte në rrobaqepsinë ushtarake. Pak para.

(Herë pas here i vinte një zarf.  Pa adresë. Brenda asnjë shënim. Vetëm lekë. Enigmë. Në vitin 2000 krejt rastësisht më thotë Bebi Kristidhi:

 

-Zarfet i dërgoja unë! Me frikë, zarfin e hidhja në një kuti poste larg shtëpisë. )

Gjeti një makinë. Qepte me “lepurin në bark” në shtëpi. Puna private ishte herezi.

Nga puna “makina u lodh”. Ju këput një vegël. Gjeti një usta. E rregulloi.

-Sa lekë?

-Nuk dua para. Kur të luash në teatër dua dy bileta falas.

Profecia e ustait u bë realitet.

Në vitin 1992 Edi Luarasi u kthye në teatër...

Shënimi i dytë.

Regjizori: Mihallaq Luarasi.

U godit si me “pambuk” nga partia si regjizor.

Por lideri luante. Priste që regjizori të gabonte. Ishte i sigurtë. Dhe i erdhi dita.

Dhjetor 1971. Festivali i 11 në RTSH.

Festival ndryshe. Këngë pa parti. Këngëtarë që imitonin në skenë Adriano Çelentanon. Bitellsat. Rafaela Kara.

Rinia në sallë: në delir!

Shoku Enver me Nexhminë në Pogradec. Pushime dimërore.

Në telefon Pranvera, vajza e Enverit:

-Babi! Në Tiranë po bëhet nami!

Partia bëri strategjinë. Populli thuri letra kundër festivalit. E para u shkrua nga kooperative bujqësore e Krutjes. Pastaj nga e gjithë Shqipëria.

Mihallaqi u arretua. Në dhjetor 1973 gjyqi. Pas burgut - bojaxhi.

Viti 1992. Përsëri regjizor. Mik me Presidentin e Hungarisë-A. Goncz ( 1990-2000). Në vitin 1997, kur në Shqipëri mbretëronte kallashi, Presidenti e ftoi regjizorin të jetonte në Budapest. Familjarisht ndënjën shumë muaj.

Vdiq në vitin 2017.

Shënimi i tretë.

Autori.

Minush Jero.

Punonte aktor në Durrës. Shkëlqeu dhe u rrëzua në Korçë.

Në vitin 1973 dramaturgu u dënua me 8 vjet burg. Nga burgu punëtor në fabrikën e gomës-Durrës.

Në vitin 1993 takohet në Durrës me regjizorin francez Domenic Dolenie. Ai vuri në skenë, në Paris, dramën e tij.

Vdes në vitin 2006. ...

I harruar.../ CNA

20:44 Kulturë Bashkim Zahaj

Ju kujtohet teatri?

Ju kujtohet? Ju kujtohet teatri? Kur mbushej holli ng...

Lajmet e fundit nga