LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kush janë fituesit e çmimeve Nobel në 2023-shin?

2 Janar 2024, 10:30, Kulturë CNA

Kush janë fituesit e çmimeve Nobel në 2023-shin?

Çmimi Nobel në Fizikë 2023

Kush janë fituesit e çmimeve Nobel në 2023-shin?

Çmimi Nobel në fizikë për vitin 2023 u fitua nga tre shkencëtarë, të cilët arritën të zhvillojnë një teknikë për të kuptuar lëvizjet jashtëzakonisht të shpejta të elektroneve, që më parë mendoheshin të pamundura për t'u ndjekur.

Fituesit janë Pierre Agostini i Universitetit Shtetëror të Ohajos në SHBA, Ferenc Krausz i Institutit të Optikës Kuantike ‘Max Planck’ dhe Universitetit ‘Ludwig Maximilian’ në Mynih të Gjermanisë, si dhe Anne L'Huillier nga Universiteti Lund në Suedi.

Me eksperimentet e tyre "ata i ofruan njerëzimit mjete të reja për të eksploruar botën e elektroneve brenda atomeve dhe molekulave", thanë përfaqësuesit e Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, e cila shpalli fituesit e çmimit në Stokholm.

Fituesit e Çmimit Nobel për Kimi

Kush janë fituesit e çmimeve Nobel në 2023-shin?

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave ka shpallur 3 shkencëtarë fituesit e çmimit Nobel për Kimi. Fituesit janë: Mundzi G. Bawendi, Louis I. Bruce dhe Alexei Ekimov.

“Çmimi Nobel i vitit 2023 për Kimi shkon për zbulimin dhe zhvillimin e pikave kuantike, nanogrimcave që janë aq të vogla sa madhësia e tyre përcakton vetitë e tyre”, theksoi akademia.

Nanogrimcat dhe pikat kuantike përdoren në dritat LED dhe ekranet televizive dhe mund të përdoren gjithashtu për të udhëhequr kirurgët në heqjen e indeve kanceroze, ndër të tjera.

Çmimi Nobel në Fiziologji dhe Mjekësi

Kush janë fituesit e çmimeve Nobel në 2023-shin?

Çmimi Nobel në Fiziologji ose Mjekësi për vitin 2023 u është dhënë shkencëtarëve Katalin Kariko dhe Drew Weissman, të cilët krijuan teknologjinë mRNA, e cila u përdor për krijimin e vaksinave të COVID-it.

Teknologjia ishte në fazat eksperimentale përpara pandemisë, por tani është përdorur për miliona njerëz në mbarë botën për t'i mbrojtur ata nga COVID-19.

E njëjta teknologji mRNA po hulumtohet për sëmundje të tjera, përfshirë kancerin. Komiteti i Çmimit Nobel tha: “Laureatët kontribuuan në zhvillimin e vaksinave gjatë një prej kërcënimeve më të mëdha për shëndetin e njeriut në kohët moderne”.

Vaksinat trajnojnë sistemin imunitar për të njohur dhe luftuar viruset ose bakteret. Gjatë pandemisë së COVID-it, vaksinat Moderna dhe Pfizer/BioNTech bazoheshin në teknologjinë mRNA. Teknologjia mRNA i udhëzon qelizat në trup të prodhojnë proteina specifike. mRNA në thelb përdor trupin tonë dhe proceset biologjike për të trajtuar sëmundjet dhe për të parandaluar infeksionet.

Çmimi Nobel në Letërsi për vitin 2023

Kush janë fituesit e çmimeve Nobel në 2023-shin?

Jon Fosse është fituesi i Çmimit Nobel për Letërsinë për vitin 2023 “për dramat dhe prozën e tij novatore që i japin zë të pathënës”.

Fosse, i lindur në vitin 1959, konsiderohet gjerësisht një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të kohës sonë. Për gati 40 vjet ai ka shkruar romane, drama, poema, tregime, ese dhe libra për fëmijë.

Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 50 gjuhë dhe dramat e tij janë vënë në skenë mbi një mijë herë në mbarë botën. Paçka se kishte shprehur shpesh skepticizëm për teatrin, ai ka shkruar dramën e tij të parë në vitin 1992, duke e përshkruar më vonë këtë si zbulimin më të madh në jetën e tij artistike.

Ai shkroi drama me një ritëm të furishëm gjatë këtyre viteve, duke u shfaqur shpejt në skenat më të rëndësishme norvegjeze. Dhe pas vetëm disa vitesh dramat e tij u shfaqën edhe jashtë vendit.

Sot, dramat e Jon Fosse janë luajtur në të gjithë botën. Ai ka shkruar më shumë se 30, duke përfshirë “Namnet”, “Vinter”, “Ein sommars dag”, “Draum om hausten” dhe “Dødsvariasjonar”. Edhe pse është më i njohur si dramaturg, Fosse ka shkruar edhe në zhanre të tjera në një nivel jashtëzakonisht të lartë.

Përveç shkrimeve të tij, Fosse ka përkthyer shumë vepra, si në prozë ashtu edhe duke krijuar versionet e tij të reja të një numri dramash. Puna më e gjatë e Fosse është “Septologjia” (2019–‘21), të cilën e filloi gjatë një pushimi nga dramaturg dhe pasi u konvertua në katolicizëm në vitin 2013.

Fosse e ka quajtur metodën e tij të të shkruarit të Septologjisë si një “prozë e ngadaltë”: një stil i ndryshimit të niveleve, skenave, dhe reflektimet, e kundërta e dramës me ritme të shpejta. Shtatë pjesët e tij janë botuar në tre vëllime. Është një rrëfim sugjestionues, madhështor për natyrën e artit dhe Zotit, për alkoolizmin, miqësinë, dashurinë dhe kalimin e kohës.

“Septologjia” është përkthyer në mbi 20 gjuhë dhe është vlerësuar nga kritika në mbarë botën.

Çmimi Nobel për Paqe në vitin 2023

Kush janë fituesit e çmimeve Nobel në 2023-shin?

Narges Mohammadi, e cila ka fituar Çmimin Nobel për Paqe 2023, ka qenë prej vitesh një figurë e shquar e të drejtave të njeriut në Iran.

Ajo u nderua me çmimin për luftën e saj kundër shtypjes së grave në vend, me kreun e komitetit të Nobelit që e quajti atë një “luftëtare për lirinë”. Ajo gjithashtu ka bërë fushatë të palodhur për heqjen e dënimit me vdekje në Iran, i cili ka një nga normat më të larta të ekzekutimit në botë.

Pavarësisht se ka qenë pothuajse vazhdimisht në burg që nga viti 2010, zonja Mohammadi ka arritur të publikojë abuzime edhe nga brenda burgut.

Zonja Mohammadi, 51 vjeçe, është arrestuar 13 herë, është dënuar pesë herë dhe është dënuar me gjithsej 31 vjet burg. Aktualisht ajo ndodhet në burg për “përhapje propagande”.

Në dhënien e çmimit të zonjës Mohammadi, kreu i komitetit të Nobelit vuri në dukje se ajo luftoi për gratë kundër diskriminimit dhe shtypjes sistematike.

Pavarësisht burgosjes së saj, zonja Mohammadi nuk ka heshtur. Vitin e kaluar, në një letër nga burgu Evin në Teheran, ajo detajoi se si gratë e ndaluara në protestat antiqeveritare që më pas po përfshinin vendin po abuzoheshin seksualisht dhe fizikisht.

Çmimi Nobel në Ekonomi për vitin 2023

Kush janë fituesit e çmimeve Nobel në 2023-shin?

Amerikania, profesoreshë në Universitetin e Harvardit, Claudia Goldin, fitoi çmimin Nobel për Ekonominë për vitin 2023, “për ndërtimin e bazës së të dhënave që mundëson analizimin e rezultateve të tregut të punës së grave në shekuj”, tha Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.

Falë kërkimit novator të Claudia Goldin, ne tani dimë shumë më tepër për faktorët themelorë dhe cilat barriera mund të kenë nevojë të adresohen në të ardhmen.

Hulumtimi i Goldin zbulon shkaqet e ndryshimit, si dhe burimet kryesore të hendekut të mbetur gjinor.

“Në nivel global, rreth 50 për qind e grave marrin pjesë në tregun e punës në krahasim me 80 për qind të burrave, por gratë fitojnë më pak dhe kanë më pak gjasa të arrijnë majat e karrierës”, tha kryetari i Komitetit për Çmimin në Shkenca Ekonomike, Jakob Svensson.

Goldin është gruaja e tretë që fiton një çmim Nobel në Ekonomi që nga viti 1969 kur u dha për herë të parë. Në vitin 2009, e fitoi Elinor Ostrom dhe Esther Duflo në 2019.

Çmimi prestigjioz, i quajtur zyrtarisht “Sveriges Riksbank Prize” në Shkencat Ekonomike në kujtim të Alfred Nobel është i fundit i çmimeve Nobel të këtij viti dhe vlen 11 milionë korona suedeze.

Ndryshe nga çmimet e tjera, çmimi i ekonomisë nuk u vendos në testamentin e Alfred Nobelit të vitit 1895, por nga Banka Qendrore suedeze në kujtim të tij. Fituesi i parë u zgjodh në vitin 1969.

Vitin e kaluar, çmimi u nda mes tre ekonomistëve amerikanë, ish-kreut të Rezervës Federale të SHBA-së, Ben Bernanke, Douglas Diamond dhe Philip Dybvig, të cilët “kanë përmirësuar ndjeshëm të kuptuarit tonë për rolin e bankave në ekonomi, veçanërisht gjatë krizave financiare, si dhe mënyrën e rregullimit të tregjeve financiare./ CNA

20:44 Kulturë Bashkim Zahaj

Ju kujtohet teatri?

Ju kujtohet? Ju kujtohet teatri? Kur mbushej holli ng...

Lajmet e fundit nga