web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Masat për mbarëvajtjen e samitit të NATO-s në Ankara/ Turqia arreston mbi 200 persona

23 Qershor 2026, 14:02, Kosova & Bota CNA

Masat për mbarëvajtjen e samitit të NATO-s në Ankara/ Turqia

Forcat e sigurisë në Turqi kanë arrestuar më shumë se 200 persona të dyshuar për lidhje me grupin ekstremist ISIS dhe organizata të tjera që autoritetet turke i konsiderojnë terroriste, njoftuan prokurorët.

Masat e shtuara të sigurisë vijnë në prag të samitit vjetor të NATO-s, i cili do të mbahet më 7-8 korrik në Ankara. Në takim pritet të marrin pjesë presidenti amerikan Donald Trump dhe liderët e 31 shteteve të tjera anëtare të aleancës.

Sipas Prokurorisë së Ankarasë, janë lëshuar 241 urdhër-arreste dhe deri tani janë ndaluar 209 persona, ndërsa operacionet policore vazhdojnë.

Nga të arrestuarit: 56 dyshohen si anëtarë të ISIS DHE 35 dyshohen si pjesëtarë të Partisë/Frontit Revolucionar për Çlirimin e Popullit (DHKP-C), një organizatë komuniste e shpallur terroriste nga Turqia dhe e njohur për sulme të mëparshme.

Mediat turke raportuan gjithashtu për një operacion të veçantë kundër DHKP-C, të koordinuar nga prokurorët në Stamboll, ku u arrestuan 24 persona në tetë provinca të vendit.

Turqia përballet prej vitesh me kërcënime të dhunshme nga grupe të ndryshme radikale dhe disidente, ndërsa qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdo?an zhvillon rregullisht operacione të gjera sigurie. Vetëm muajin e kaluar, autoritetet turke arrestuan 324 persona të dyshuar për lidhje me ISIS në një operacion mbarëkombëtar.

Për samitin e NATO-s, autoritetet në Ankara kanë njoftuar masa të rrepta sigurie:

- Ndalimin e protestave dhe tubimeve publike nga 28 qershori deri në përfundim të samitit;
- Kufizime në qarkullimin në rrugët që çojnë drejt aeroporteve;
- Izolimin e zonave përreth vendit ku do të zhvillohet samiti dhe hoteleve ku do të qëndrojnë delegacionet zyrtare.

Autoritetet thonë se këto masa synojnë garantimin e sigurisë së liderëve botërorë dhe mbarëvajtjen e samitit të NATO-s në kryeqytetin turk. /CNA





Lajmet e fundit nga