web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Franca përballet me valë të fortë të të nxehtit/ Mbyllet një reaktor bërthamor, shtohen masat e sigurisë

9 Korrik 2026, 15:53, Kosova & Bota CNA

Franca përballet me valë të fortë të të nxehtit/

Franca po përballet me një valë të fortë të nxehti, e cila sipas Shërbimit Meteorologjik francez pritet të zgjasë të paktën deri më 14 korrik. Temperaturat gjatë së enjtes parashikohet të arrijnë deri në 40°C në Nantë dhe Bordo, ndërsa në Paris, Lion, Klermon-Feran, Limoges dhe Tuluzë do të luhaten nga 35 deri në 38°C.

Për shkak të temperaturave të larta, autoritetet franceze njoftuan mbylljen e një reaktori në centralin bërthamor, rreth 90 kilometra larg Tuluzës. Vendimi u mor pasi temperaturat në lumin Garonne janë rritur ndjeshëm dhe pritet të arrijnë 28°C të premten, duke ndikuar në funksionimin e sigurt të centralit.

Ndërkohë, një raport i Senatit francez thekson se vendi duhet të rishikojë strategjinë e tij për klimën dhe diplomacinë klimatike.

Raporti propozon hartimin e një strategjie kombëtare pesëvjeçare, e cila do të përcaktojë prioritetet gjeografike, ekonomike, diplomatike dhe shkencore të Francës në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Gjithashtu, rekomandohet zhvillimi i debateve parlamentare para konferencave vjetore të OKB-së për klimën (COP).

Senati kërkon gjithashtu që Franca të bashkëpunojë më ngushtë me partnerët evropianë për të krijuar aleanca që mbështesin objektiva ambiciozë në mbrojtjen e klimës, pa pritur arritjen e një konsensusi të gjerë ndërkombëtar.

Për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret dhe temperaturave ekstreme, autoritetet lokale kanë vendosur masa shtesë sigurie në disa rajone të vendit. Janë ndaluar përdorimi i fishekzjarreve, shitja e alkoolit dhe organizimi i disa aktiviteteve festive, në prag të festës kombëtare të Francës më 14 korrik dhe aktiviteteve të tjera publike. /CNA





Lajmet e fundit nga