Inceneratorët, vjedhja e shekullit/ "SPAK-u të hetojë grupin kriminal"

31 Maj 2022, 14:03, Denoncim CNA
Inceneratorët, vjedhja e shekullit/ "SPAK-u të hetojë grupin
Foto ilustruese

Nënkryetarja e LSI-së për Tiranën, Brisida Shehaj, në një prononcim për CNA.al ka vijuar të denoncojë koncesionin e inceneratorëve, ndërsa ka hedhur akuza se janë të përfshirë zyrtarë të lartë.

Duke u ndalur te hetimet e SPAK-ut për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, ajo theksoi se janë të mangëta.

Shehaj deklaroi se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, pasi sipas saj shteti është përdorur në shumë hallka si pronë private e disa individëve.

Në mars të vitit 2021 LSI-ja, bëri dy kallëzime për procedurat e ndjekura për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit. Më pas në tetor të vitit 2021 dorëzoi kallëzimin për procedurat e ndjekura për inceneratorin e Tiranës.

Në dhjetor të vitit 2021, SPAK-u kërkoi arrestimin e z.Lefter Koka për procedurat e ndjekura në Elbasan dhe z.Alqi Bllako për procedurat e Fierit.

Të gjitha këto janë veprime të mangëta nga prokuroria e SPAK-ut pasi ka shumë kundërshti në veprimet e ndërmarra.

Sot që flasim ne si LSI kemi bërë publike shumë dokumente të cilat flasin për një grup të strukturuar kriminal pasi shteti është përdorur në shumë hallka si pronë private e disa individëve.

Flasim për dhjetëra miliona euro të përfituara nga Klodian Zoto në disa institucione si OSHE, Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës, AZHBR etj.”-tha Shehaj.

Më tej, ajo hodhi akuza edhe ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, por edhe ndaj drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe.

Po publikisht kemi nxjerrë fakte se si Erion Veliaj ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me inceneratorin e Tiranës ku përfitues ishte dhe Blendi Gonxhja me kompaninë e zotëruar nga bashkëshortja.

Nga i gjithë dokumentacioni i dërguar në SPAK, ajo që ne shohim është një hetim i cekët dhe aspak i thelluar, sot që flasim ende nuk kemi asnjë të arresutar nga administratorët fiktivë të kompanive të cilat kanë qarkulluar të gjitha paratë e përfituara nga zyrtarët.”-tha Brisida Shehaj për CNA.al.

Po ashtu, Brisida Shehaj theksoi se SPAK-u nuk ka ndërmarrë ende asnjë veprim për Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.

Sipas Shehajt, Agaçi ka qenë në dijeni të shkeljeve për procedurat e inceneratorit të Elbasanit.

Sot ende nuk kemi asnjë veprim të ndërmarrë nga SPAK-u për Engjëll Agaçin, i cili ishte vënë në dijeni nga drejtuesi i APP që Ministria e Mjedisit po kryente shkelje ligjore për procedurat e Elbasanit.

Sot ende nuk kemi asnjë veprim për kryebashkiakun e Tiranës i cili ka firmosur një angazhim financiar pa marrë miriatimin paraprak të Këshillit Bashkiak apo veprime për Taulant Tushen, i cili sipas procesverbaleve të grupit të punës kundërshton kategorikisht të zbatojë procedurat ligjore edhe pse kjo i kërkohet nga disa anëtarë të grupit të punës.” - tha Shehaj.

Më tej, ajo shtoi se “Ka pa fund fakte të cilat janë në dispozicion të SPAK-ut, që kjo skemë abuzimi të hetohej shumë lehtësisht pasi këta individë në bashkëpunim me institucionet shtetërore janë tallur me fondet publike pasi ata as nuk janë munduar hiç të fshehin këto veprime pasi kanë pasur garanci po nga instancat shtetërore.

Këto veprime të mangëta të SPAK-ut me keqardhje e them se po faktojnë pikërisht këtë gjë.

Sot kemi individë që dënohen me 6 vite për 300 euro korrupsion e ndërkohë kemi zyrtarë të lartë të dënuar 1 vit për 28 milionë euro abuzim.” - u shpreh Shehaj.

Gjithashtu Shehaj paralajmëroi se LSI, së shpejti do të publikojë të tjera dokumente, që sipas saj tregojnë asetet në Maltë, kompani ne shtet të tjera, e deri te përfitimet që kanë marrë duke përdorur si “CV”, inceneratorët në Shqipëri.

“Por ne sigurisht që nuk demotivohemi nga këto veprime, LSI shumë shpejt do të bëjë publike dhe të tjera dokumente që tregojnë se si shteti ishte vënë në dispozicion të këtyre individëve, do të bëjë publike asete të tyre në Maltë, do të bëjmë publike dhe kompani të hapura në vende të tjera apo dhe procedura të tjera të përfituara nga këta individë, duke përdorur si 'CV' pikërisht inceneratorët në Shqipëri.

Shqiptarët meritojne drejtësi, ne meritojmë të dimë kush janë këta individë, kush fshihet pas tyre, kush i përfiton fondet publike e ne do të presim që drejtësia e re të bëjë detyrën e nëse nuk e bëjnë ata do e bëjmë ne si opozitë.

Asnjë kërcënim apo intimidim nuk do të ndalojë punën time apo të ekipit të shkëlqyer të LSI, për drejtësi të pavarur në këtë vend.” -deklaroi Brisida Shehaj, për CNA.al.

 

Lajmet e fundit nga