web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Inceneratori i Tiranës/ Projekti që u kthye në skandal ndërkombëtar

14 Mars 2026, 12:28, Aktualitet CNA

Skandali i inceneratorit të Tiranës është një nga aferat më të mëdha të korrupsionit në Shqipëri në tri dekadat e fundit dhe ndër çështjet më të rëndësishme të debatit publik. Një aferë që mori edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Bëhet fjalë për një investim që u ka marrë shqiptarëve rreth 130 milionë euro, por absurdi qëndron në faktin se ky incenerator nuk ekziston. Në më shumë se 5 vite nga firmosja e kontratës, Tirana ka ende një mal me plehra dhe 130 milionë euro për të cilat askush nuk di të japë përgjigje se ku kanë shkuar.

Çështja mori përmasa edhe më të mëdha pas hetimeve të nisura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku janë përfshirë nën akuzë dhjetëra persona, por kryesorët e kësaj afere shijojnë paratë në arrati dhe paguajnë studio ligjore për mbrojtje me paratë që burim kanë taksat e shqiptarëve që paguan dhjetëra miliona euro një grup të strukturuar kriminal.

Në qendër të hetimeve kanë qenë edhe disa nga kompanitë që përfituan kontratat, zyrtarë të qeverisë, si dhe persona të lidhur me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, si drejtues dhe bashkëpronarë të kësaj afere.

Projekti i inceneratorit të Tiranës u prezantua si një zgjidhje moderne për menaxhimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane të kryeqytetit, që synonte të uljen e ndotjes nga landfillet.

Inceneratori i Tiranës/ Projekti që u kthye në skandal

Por me kalimin e kohës dolën në pah jo vetëm dyshime serioze për mënyrën se si u dhanë kontratat, por u faktua se nuk kishim të bënim me një kompani holandeze me eksperiencë, ku fshiheshin Zoto dhe Mërtiri me lidhje të forta me Partinë Socialiste dhe qeverinë.

Më tej u zbuluan kostot e fshehura që ngritën dyshime për një skemë korruptive të projektit, shteti duhet t’i paguante qindra miliona euro për një periudhë prej disa dekadash për përpunimin e mbetjeve një kompanie offshore pa asnjë eksperiencë të vërtetë në përpunimin e mbetjeve.

Inceneratori i Tiranës/ Projekti që u kthye në skandal

Dy emrat kyç, Veliaj dhe Prençi

Çështja e inceneratorit të Tiranës është e lidhur me disa emra konkretë, zyrtarë të nivelit të lartë, por edhe prokurorë, ndërsa hetimet kanë përfshirë edhe ish-zyrtarë të tjerë dhe administratorë kompanish.

Erion Veliaj, kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, ndodhet prej më shumë se një viti në qelitë e burgut të Durrësit, me 13 akuza për 5 vepra të rënda penale dhe asnjëra prej tyre për aferën e inceneratorit të Tiranës, që nuk ekziston, pavarësisht se bashkia e kryeqytetit është përgjegjësi kryesor i këtij skandali, ajo e kërkoi, sipas Veliajt, ajo duhet ta monitoronte dhe në territorin e saj do ta zhvillonte aktivitetin.

Inceneratori i Tiranës/ Projekti që u kthye në skandal
Erion Veliaj i kthen përgjigje Alqi Bllakos dhe Lefter Kokës, ku bie dakord me çmimin 29 euro/ton për mbetje.

Zbatimi i projektit, kostot e tij dhe roli i Bashkisë Tiranë, nga fillimi deri në fund mbeten ende të pahetuara deri në fund penalisht. Nga ana tjetër çështja zvarritet duke ngritur dyshime për parashkrimin e disa veprave penale dhe dyshimet bëjnë që gjithçka të duket e qëllimshme dhe e mirëkoordinuar.

Dritan Prençi, prokuror i Prokurorisë së Posaçme, është përmendur në qindra raste edhe në raportime mediatike për neglizhencë lidhur me çështjen e aferës së inceneratorit të Tiranës, pasi ‘fle gjumë’ mbi këtë dosje.

Prençi prej 5 vitesh nuk vepron dhe përfundon ende çështjen e inceneratorit ku Bashkia e Tiranës ka një rol thelbësor, por ai nuk e shikon, aq shumë është përpjekur sa Erion Veliaj kur u mor në pyetje nga ky prokuror doli i qeshur, i lumtur dhe me mbështetje të fortë ndaj SPAK-ut. Kur shkoi tek Altin Dumani dhe Ols Dado, doli i nxirë.

Për inceneratorin e Tiranës janë paguar dhe vazhdojnë të paguhen sipas kontratës 10 milionë euro në vit nga qeveria dhe Bashkia Tiranë, pa folur për të ardhurat e tjera apo problemin e pazgjidhur të dherave në Tiranë që po hidhen lumenjve dhe rrugëve.

Janë 130 milionë euro të ardhura për kompaninë deri në momentin e sekuestrimit nga SPAK-u dhe dhjetëra të tjera që vazhdojnë të paguhen. Por Dritan Prençi vazhdon dhe bën sehir teksa paguhen këto miliona euro dhe ende nuk ka gjetur asnjë qindarkë, se ku shkuan paratë e taksave të shqiptarëve dhe cili është roli i Erion Veliajt dhe Bashkisë Tiranë. 

Afera e inceneratorëve është kthyer në një simbol të debatit për korrupsionin, transparencën dhe menaxhimin e fondeve publike në Shqipëri, por edhe se si mund të dështohen hetimet nga një prokuror për një çështje të tillë, ndërkohë në dosje të tjera hetimore i njëjti individ “shkëlqen”.

Inceneratori i Tiranës/ Projekti që u kthye në skandal

Dy standarde nga i njëjti prokuror, që Mërtiri dhe Zoto duhet t’i vendosin një monument në landfillin e Sharrës, pikërisht aty ku vendosën instalacionin e suportuar nga Ajola Xoxa./CNA





Lajmet e fundit nga