LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Invazioni rus në Ukrainë, kambanë alarmi për sigurinë kombëtare

23 Mars 2022, 19:26, Opinione CNA

Nga Ekrem Spahiu 

Aventura ruse në Ukrainë tregoi se jo vetëm dy shtetet në konflikt, por e gjithë bota ndodhet përpara rreziqesh sigurie. Janë rreziqe ku koha nuk pret: SHBA dhe fuqitë e tjera demokratike bërthamore ridimensionuan menjëherë masat për të përballuar konfrontimin e një natyre të re të kërcënimit bërthamor, ku shteti agresor që zotëron këto armë dhe që kërkon të revizionojë rendin botëror përmes forcës ushtarake e përdori këtë armë si masë çinkurajimi për t?i shpëtuar ndëshkimit konvencional nga bota demokratike.

E gjithë Europa dhe SHBA po ridimensionojnë politikat kombëtare dhe të sigurisë.
Invazioni barbar i Rusisë në Ukrainë dhe dhimbja që shkaktojnë të vrarët dhe viktimat e pafajshëm; shkatërrimet; largimi si refugjatë i milionave qytetarëve, fëmijëve e grave për të shpëtuar kokën dhe kampet e pritjes së tyre në vende të ndryshme; ngritja drastike e çmimeve; kriza ekonomike që po pason këto zhvillime; e të tjera, natyrshëm kanë rritur ndjeshmërinë e opinionit publik, politik e diplomatik në të gjithë botën.

Ky reagim publik u pasqyrua në qëndrimin, ndoshta unik, të asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku rezoluta e 193 shteteve që dënon këtë invazion dhe që kërkon tërheqjen e menjëhershme të forcave pushtuese ruse, u votua kundër vetëm nga katër regjimet më të urryera që sundojnë Bjellorusinë, Korenë e Veriut, Eritrenë dhe Sirinë.

Sidoqoftë, ky invazion, i kryer pa asnjë shkak dhe në thyerje flagrante të të drejtave themelore të shteteve e kombeve për përzgjedhjet e tyre politike dhe të sigurisë e po ashtu në tentativë për të shkatërruar arkitekturën e gjithëpranuar të sigurisë ndërkombëtare, ridimensionoi si mënyrën e mbështetjes dhe ndihmave ndaj një vendi që cënohet në këtë mënyrë, por edhe diplomacinë si instrument themelor i zgjidhjes së konflikeve.

Lufta në Ukrainë, ridimensionoi gjithashtu fuqinë dhe efektivitetin e sanksioneve si instrumente ndëshkues në botën moderne e globaliste që jetojmë.
Ndoshta mësimin më të madh e kemi Gjermaninë, e cila, nën optikën e rreziqeve që projekton agresioni rus në Ukrainë dhe jo vetëm, bëri një ndryshim radikal në kursin e politikës së jashtme dhe të sigurisë, duke njoftuar eksportin e armëve në Ukrainë, rritjen dramatike të shpenzimeve të mbrojtjes me njëqind miliardë euro dhe mbështetjen e Gjermanisë për sanksione të ashpra kundër Rusisë, e cila është furnizuesi kryesor i Gjermanisë me gaz dhe qymyr, masa këto që u mbështetën në masë dërmuese edhe nga opinioni publik gjerman.

Serbia, e përkundur nga bindja se Rusia është garante e interesave serbe përgjithësisht dhe në Kosovë posaçërisht, do ta dëshironte shumë një sukses rus në Ukrainë, ngase i vinte përshtat dhe si mbështetje ndaj Serbisë për ruajtjen e balancës së forcave në rajon.
Këtë pretekst, ?garancinë ndaj Ukrainës ruse? përdori edhe Rusia. Autokratët e tipit Putin kanë axhendë të ndryshme nga ajo e arkitekturës botërore të sigurisë. Nuk e kanë për gjë që ?garancinë? ta kthejnë në një justifikim lufte.

Prandaj edhe invazioni rus në Ukrainë nuk mund të mbetet thjesht një çështje solidariteti me popullin ukrainas.
Parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë që i kërkon qeverisë të nisë negociatat për anëtarësimin e shtetit të Kosovës në NATO, Bashkimin Europian, Këshillin e Europës dhe organizma të tjera ndërkombëtare.
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, tashmë antar i NATO-s, është shprehur për mbështetjen e antarësimit të Kosovës në NATO.
Për më tepër akoma, Presidenti i Turqisë Erdo?an, u shpreh kohët e fundit se mbështet procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe u angazhua se do të ndërmarrë edhe hapat e duhura për këtë qëllim.

Po Shqipëria? Vendi ynë, e ka detyrim kushtetues “të veprojë në mbështetje të prosperitetit të gjithë kombit, të aspiratës shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar”.
Prandaj është urgjente që Kuvendi i Shqipërisë të dalë me një rezulutë të mbështetur nga të gjithë deputetët e spektrit politik, për antarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO.

Partitë politike jo vetëm që nuk duhet ta përvetësojnë antarësimin e Shqipëris në BE si fitore politike të njerës apo tjetrës parti, por si fitore të Shqipërisë. Prandaj është urgjente që Kuvendi i Shqipërisë, të adresojë një kërkesë të unifikuar për shpejtimin e procedurave të antarsimit të Shqipërisë në BE. ?Ping-pongu? që luajnë qeveritë e disa vendeve të BE, të cilët venë në dyshim kapacitetet europiane të Shqipërisë, është e patolerueshme që ta luajnë edhe politikanët shqiptarë.

Ndërkohë, zhvillimet në Ukrainë duhet të bëhen një kambanë alarmi për të ridimensionuar çështjet e sigurisë së vendit. Në këtë kuadër, është e domosdoshme të rishikohen kapacitetet reaguese në rast kërcënimi të sigurisë kombëtare. Për më tepër, këto kapacitete duhen parë jo thjesht si çështje buxheti mbrojtjeje (që ka vend për t?u rishikuar), por në radhë të parë si çështje e sigurisë ekonomike, e sigurisë energjetike, etj. Është momenti që të rishikohet, i gjithë sistemi i menaxhimit të burimeve energjetike, duke ia kthyer këto burime sigurisë kombëtare dhe jo firmave me adresa të dyshimta ndaj kësaj sigurie./CNA.al

15:09 Opinione

PD e së nesërmes

Nga Ermal MulosmaniPas numërimit të kutisë së fundit të Dibr...

Lajmet e fundit nga