Omicron më pak riskues së Delta/ Alimehmeti nxjerr të dhënat e studimit

17 Janar 2022, 19:23, Lifestyle CNA
Omicron më pak riskues së Delta/ Alimehmeti nxjerr të dhënat

Në çdo shtet studimesh tregojnë se varianti Omicron i SARS-CoV-2 është më pak i rëndë se sa varianti Delta.

Që në muajin Nëntor 2021, kur u zbulua varianti Omicron, nuk u vunë re pamje katastrofike në Afrikën e Jugut, siç ndodhi në Indi në muajt Shkurt-Mars 2021 kur u zbulua varianti Delta. Ky vëzhgim kaq i thjeshtë tregonte qartë që në fillim që kemi të bëjmë me një variant goxha më të lehtë, por kuantifikimi i saktë i riskut për forma të rënda ishte ende i papërcaktuar mirë.

Studimet e Para

Studimet e para të rëndesës së Omicron në krahasim me Deltën erdhën patjetër pikërisht nga Afrika e Jugut. 

Në provincën Gauteng, me popullatë rreth 15.5 milionë banorë, risku për shtrim në spital ishte 65% më i ulët gjatë valës Omicron dhe, për më tepër, pacientët e shtruar kishin një risk 73% më të ulët për të patur formë të rëndë të sëmundje në krahasim me valën Delta (Jassat et al. 2021).

Rrjeti i spitaleve Netcare në Afrikën e Jugut, i cili përbëhet nga 49 spitale me mbi 10.000 shtretër, konfirmoi gjetjet e mësipërme dhe tregoi se, në krahasim me variantin Delta, varianti Omicron shoqërohej me risk 78% më të ulët për shtrim në spital, risk 95% më të ulët për nevojë për oksigjenoterapi, risk 86% më të ulët për shtrim në terapi intensive, risk 97% më të ulët për ventilim mekanik dhe risk 98% më të ulët për humbje të jetës. Gjithashtu qëndrimi në spital ishtë më i shkurtër me variantin Omicron, koha mediane 3 ditë, ndërsa varianti Delta kishte një kohë mediane 7 ditë (Maslo et al. 2021).

Limitimet

Megjithatë, të dhënat e Afrikës së Jugut duhet të konfirmoheshin në Europë apo Amerikë, për shkak se ka ndryshime të mëdha ndërmjet këtyre vendeve, si p.sh.: stina (Afrika e Jugut është në stinën e verës, ndërkohë që Europa është në dimër), popullata me karakteristika gjenetike dhe demografike të ndryshme, shkalla e vaksinimit shumë e ulët në Afrikë të Jugut dhe e lartë në Europë, si edhe shkalla e kalimit të sëmundjes në mënyrë natyrore shumë e lartë në Afrikë të Jugut (rreth 70%-80%), ndërkohë që në Europë jemi shumë poshtë në përqindjet e konvaleshtëve të shëruar nga variante të mëparshme të SARS-CoV-2.

Konfirmimet e Gjetjeve në Europë, Kanada dhe SHBA

Konfirmimi i parë në Europë erdhi nga Skocia:

Universiteti i Edinburgut studioi të dhënat e të gjithë Skocisë (rreth 5.4 milionë banorë) që tregoi ulje me 67% të riskut për shtrim në spital të variantit Omicron në krahasim me variantin Delta. Studiuesit vunë re gjithashtu se, në krahasim me të pavaksinuarit, të vaksinuarit me dozën e tretë kishin 81% më pak risk për t?u shtruar në spital (Sheikh et al. 2021). 

Më pas, në Angli:

Ekipi i Imperial College London gjeti se risku i shtrimit në spital me Omicron ishte 40-45% më i ulët në krahasim me variantin Delta, ndërsa të reinfektuarit kishin 69% më pak risk për t?u shtruar në spital në krahasim me të infektuarit për herë të parë me Omicron. Të dhënat për mbrojtjen e ofruar nga vaksinimi janë më johomogjene për shkak të skemave të ndryshme të vaksinimit dhe kohës së ndryshme të kaluar pas vaksinës së fundit, duke ofruar një ulje të riskut ndaj shtrimit në spital nga 63% deri në 74% në rastet e infektuara me Omicron >14 ditë pas dozës së dytë AstraZeneca apo Pfizer (Ferguson et al. 2021).

Përtej oqeanit, në Kanada:

Instituti i Shëndetit Publik të Ontarios krahasoi të infektuarit me variantin Omicron me të infektuarit me variantin Delta duke përdorur metodologjinë e çiftimit sipas gjinisë, moshës, gjendjes së vaksinimit, rajonit dhe datës së fillimit të sëmundjes. Rezultatet konfirmuan gjetjet në Afrikë dhe Europë dhe u vlerësua se risku i shtrimit në spital nga varianti Omicron është 65% më i ulët në krahasim me variantin Delta, ndërsa risku i shtrimit në terapi intensive dhe i humbjes së jetës ishte 83% më i ulët në krahasim me variantin Delta (Ulloa et al. 2022, fig.1.).

Fig.1. Shtrimet në spital ose % e vdekjes për Deltan (jeshile) dhe Omicronin (e kuqe).

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të veçojmë dy studime të ndryshme: 

Universiteti Case Western Reserve në Cleveland, krahasoi infektimet për herë të parë gjatë valës Omicron me infektimet për herë të parë gjatë valës Delta dhe gjeti se: varianti Omicron shoqërohej me risk 70% më të ulët për t?u paraqitur në urgjencë, risk 56% më të ulët për t?u shtruar në spital, risk 67% më të ulët për t?u shtruar në terapi intensive, risk 84% më të ulët për ventilim mekanik. Në mënyrë të veçantë, rezultoi se për moshat 0 deri në 5 vjeç, risku për t?u paraqitur në urgjencë ishte 81% më i ulët ndërsa risku i shtrimit në spital ishte 64% më i ulët gjatë valës Omicron.

Kujdes, gjatë valës Omicron, shumica dërrmuese patjetër janë raste Omicron, por nuk përjashtohet një përqindje e konsiderueshme rastesh me Delta që mund të kenë nënvlerësuar vlerën e reduktimin e riskut spitalor të Omicronit dhe ky reduktim mund të jetë edhe më i lartë (Wang et al. 2022).

Universiteti i Kalifornisë në bashkëpunim me Kaiser Permanente studioi të dhënat e popullatës së shërbyer nga Kaiser Permanente Southern California (rreth 4.7 milionë banorë). Pas studimit të rreth 52.000 rasteve me Omicron dhe rreth 17.000 rasteve me Delta, rezultoi se rastet me variantin Omicron kishin risk 53% më të ulët për t?u shtruar në spital, risk 74% më të ulët për t?u shtruar në terapi intensive dhe risk 91% më të ulët për humbur jetën në krahasim me pacientët me variantin Delta (Lewnard et al. 2022).

Për t?u rikthyer në Europë, në Gjermani:

Instituti Robert Koch (RKI ? Robert Koch Institut) raporton se që nga mesi i Nëntorit 2021 e deri më sot janë raportuar 155.634 raste të konfirmuara me Omicron, nga të cilat 3.028 (1.95%) kanë qenë reinfektime, ndërsa pjesa tjetër janë infektime për herë të parë. Deri më sot, prej tyre janë shtruar në spital 1.443 persona (0.9%) dhe kanë humbur jetën 67 persona (0.0004% e totalit të rasteve), ose 4.6% e rasteve të shtruar në spital me Omicron (Robert Koch Institut. Tägliche Übersicht zu Omikron-Fällen nga 14 Janar 2022). 

Këto të dhëna flasin direkt për riskun ekuivalent ose më të ulët të vdekshmërisë spitalore që paraqet Omicron në krahasim me gripin, pasi po në Gjermani në sezonin 2017-2018, ndër 1.560 pacientë të shtruar me grip, humbën jetën 105 pacientë (6.7%) (Rößler et al. 2021).

Kujdes, Omicron ka sëmundshmëri dhe vdekshmëri qartësisht të lidhur me moshën e madhe. Sipas RKI, ndër 67 humbjet e jetës nga Omicron deri më sot, 45 humbje jete (67.2%) janë në moshat ?80 vjeç, 17 humbje jete (25.4%) janë në moshat 60-79 vjeç. Për moshat më të reja problematika është shumë më e ulët: gjithsej 3 humbje jete ndër 51.794 raste në moshat 35-59 vjeç (ose 1 humbje jete ndër afro 17.000 raste), 2 humbje jete ndër 69.774 raste në moshat 15-34 vjeç (ose 1 humbje jete ndër afro 35.000 raste) dhe asnjë humbje jete ndër 20.527 raste me Omicron në moshat 0-14 vjeç (Robert Koch Institut. Tägliche Übersicht zu Omikron-Fällen nga 14 Janar 2022).

Përfundimi

Si përfundim, Omicron duket qartë që është më pak riskues në krahasim me variantin Delta në jetë reale dhe kjo është demonstruar në mënyrë eksperimentale edhe te brejtësit (Diamond et al. 2021) dhe Universiteti i Hong Kongut ka treguar se një nga arsyet e formës klinike më të lehtë është fakti që varianti Omicron replikohet rreth 70-fish më shumë në grykë dhe në gojë në krahasim me variantin Delta, duke e bërë më të transmetueshëm, por shumohet rreth 10-fish më pak në mushkëri në krahasim me variantin origjinal Wuhan-Hu1, duke e bërë më pak riskues për forma të rënda (Chan et al. 2021).

Lajmet e fundit nga