LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

PERSONAZH- Histori frymëzuese/ Italiani që shëtiti gjithë botën me një Vespa viziton Shkodrën

25 Gusht 2021, 12:42, Kulturë CNA
PERSONAZH- Histori frymëzuese/ Italiani që shëtiti gjithë

Ky është Ilario Lavarra. Italiani është 39 vjeç dhe ka shëtitur 102 shtete të botës me një motor të vogël Vespa të vitit 1968.

Ilario bëhet kështu personi i dytë në botë i cili ka përshkuar kaq shumë shtete të botës me një Vespa. Sëfundmi Ilario ka mbërritur edhe në Shqipëri në turin e tij rreth botës me dashurinë e përjetshme, Vespan. Pas Tiranës 39 vjeçari ka zgjedhur Shkodrën për të qëndruar pak ditë.

Ilario në katër vitet e fundit nuk është ndalur aspak duke përshkuar përveç shteteve të Europës edhe Afrikën, Azinë ndërsa 10 vite më parë përshkoi 21 shtete të Amerikës.

Që 16 vjeç kam drejtuar motorrin dhe motorri im i parë ka qenë një 50 kubikësh. Sot jam 39 vjeç, pra kam 23 vite me motorr. Nuk jam mërzitur asnjëherë absolutisht, normalisht që ka lodhje. Në 4 vitet e fundit jam duke bërë një udhëtim të madh me rreth 130 mijë kilometra kam përshkuar 79 shtete. Para 10 viteve kam bërë edhe një udhëtim tjetër dhe kam përshkuar 23 shtete në Amerikë, pra në total deri tani kam shkelur në 102 shtete të ndryshme të botës“.

Ndër vendet e bukura por edhe të çudtishme është Argjentina që më ka pëlqyer shumë, Afrika e Jugut është një mrekulli sepse kam udhëtuar mes kafshëve dhe në vende komplet të virgjëra dhe të pavizituara nga pjesa më e madhe e botës.

Azia Qëndrore po ashtu është e bukur, Himalajet, sheh fushën poshtë dhe malet deri në 5 mijë metër të larta. Taxhikistani është një prej vendeve më të bukura por edhe Arabia Saudite.

Jeta në Taxhikistan është shumë e vështirë sepse janë ende shumë vite mbrapa nga bota. Jetojnë shumë larg nga njëri-tjetri të shpërndarë në male. Atje jetojnë ende si para 200 viteve“, tregon ai.

Vështirësitë janë gjithnjë të pranishme kur përshkon botën me një motor Vespa 53 vjeçar. Kam patur momente të vështira gjatë këtij udhëtimi 4-vjeçar, kam patur edhe probleme shëndetësore, kam kaluar tifon, kam kaluar malarjen.

Në Afrikë infektimi nga malarja më ka ardhur nga mushkonjat sepse është shumë mundshme për të ndodhur një gjë e tillë.

Nuk është hera e parë që u sëmura sepse ka patur raste kur kam ngrënë gjëra të gabuara dhe kam patur probleme. Më ka munguar Italia, më ka munguar ish e dashura ime, kam menduar shpesh ta braktisë udhëtimin por në fund nuk e kam bërë asnjëherë”, shprehet Ilario.

Kjo foto është udhëtimi i Ilarios në një rrugë prej 100 km të gjatë e mbushur me ujë që u desh ta bënte në këmbë duke tërhequr edhe motorrin.

Kjo tabelë tregon se hienat janë të pranishme por Ilario rrezikoi në udhëtimin e tij.

Apo edhe prania e këtij elefanti në një udhëtim tjetër.

Nata më e rrezikshme është kur Ilario ndodhej në Afrikë dhe tre luanë i shkuan për vizitë në mes të natës tek çadra ku po flinte.

Një natë kur isha duke fjetur kisha hapur çadrën dhe kisha vendosur motorrin afër. Ndodhesha në Afrikë. Duke udhëtuar gjithmonë me motorr nuk mund të kapësh gjithmonë hotelet në oraret e duhura dhe kisha sistemuar tendën time në mes të hiçit. Në orën tre të natës isha duke fjetur dhe dëgjova zhurma të çuditshme jashtë. U zgjova dhe dëgjova atë zhurmën dhe kafshimin që ka luani. Hapa pak çadrën kur shoh tre luanë që po luanin aty jashtë me bagazhet e mia“, thotë aventurieri.

Nigeria është një prej atyre vendeve që thonë se është i rrezikshëm. Në fakt Nigeria e Veriut është e rrezikshme por unë kam qëndruar në pjesën jugore të Nigerisë që është komplet e qetë dhe pa probleme dhe më pas kam kaluar në Kamerun.

Kisha idenë se Kameruni ishte i qetë dhe pa probleme por në fakt më doli e kundërta, një vend në luftë dhe me probleme dhe ishte e kundërta Kameruni në krahasim me përshtypjen që kisha ndërsa Nigeria më surprizoi për mirë.

Në Kamerun kam kaluar në zona për 150 km që ishte komplet nën kontrollin e rrebelëve dhe kam bërë kujdes sepse më kanë thënë se rrebelët bëjnë sulme dhe vrasin njerëz. Gjithmonë kur je në udhëtim të tillë nuk e di kurrë nëse do kthehesh apo jo“, rrëfen ai.

Italiani që po bën realitet ëndrrën e tij për të shëtitur botën me një motor, thotë se defektet e Vespës i riparon vetë. Nuk kam patur probleme shumë të mëdhaja me motorr kur kam udhëtuar. Nuk bën shumë defekte edhe pse ky motorr ka 53 vite. Gjitha defektet i bëj vetë dhe mekaniku më i mirë i motorrit është ai që e nis vetë.

 

Aty iu desh të qëndronte për 8 muaj.

Shpresoj që të vijoj udhëtimin gjatë këtij viti. Vitin që kaloi isha i bllokuar nga Pandemia dhe kam udhëtuar në shumë pak vende sepse kufijtë janë mbyllur dhe shpresoj që këtë vit të vijoj pa ndërprerje. Kur shpërtheu COVIDI unë isha në Iran dhe po udhëtoja për Pakistan dhe aty u bllokua çdo gjë dhe për 8 muaj u desh që të jetoja në Iran. Pastaj munda të marr një vizë të veçantë nga Turqia dhe aty qëndrova edhe 8 muaj të tjerë“, tregon Ilario.

Italiani ndodhet për herë të parë në Shqipëri ndërsa qyteti që i pëlqeu më shumë është Shkodra ku kaloi tre ditë me grupin e Vespave ndërsa bënë një udhëtim të gjithë bashkë nga qendra deri në Shirokë.

Kam kohë që kam dashur që ta vizitoj Shqipërinë. Kam dëgjuar shumë për këtë vend. Në Itali kam shumë miq shqiptar por është hera e parë që ndodhem në Shqipëri. Pashë njerëz shumë mikëpritës, shumë të dashur dhe po më pëlqejnë shumë. Qyteti i Shkodrës ishte një surprizë. Një vend me shumë kulturë, me peisazhe, pamje të bukura dhe mu duk si qershia mbi tortë, vendi më i bukur në Shqipëri“, shprehet Ilario.

Prej katër vitesh nuk ka shkelur në Itali ndërsa tregon se çfarë i mungon më shumë. “Kam katër vite që nuk kam shkelur në Itali. Ajo që më mungon janë lazanjet që gatuan nëna ime”, thotë italiani i cili pas katër vitesh shijoi një pjatë me makarona në një restorant në Shkodër.

Italiani që shkeli 102 shtete në total thotë se bota është më e bukur se nga çfarë shfaqet në media ndërsa i fton të gjithë që të udhëtojnë.

?Bota është shumë më e bukur se sa reklamat në media. Shumë njerëz më kanë thënë pse ke udhëtuar në Afrikë apo vende që janë shumë të rrezikshme ose të paktën duken të tilla nga jashtë dhe gjithve u them udhëtoni dhe shihini gjërat me syrin tuaj sepse është shumë ndryshe nga ajo që shihni në tv.

Politika sidomos ka ndikuar për të krijuar përshtypje të gabuara për vende dhe popuj dhe vetëm duke udhëtuar sheh se asnjë popullsi nuk është e keqe, janë thjeshtë politikat që ndikojnë. Gjithë popujt ku kam shkuar më kanë dashur dhe nuk më kanë krijuar probleme. Kudo njerëzit janë të dashur?, thotë ai.

I pyetur se çfarë do të bëjë pasi të vizitojë të gjithë shtetet e botës Ilario e ka një përgjigje. “Mendoj të bëj një udhëtim drejt hënës”.

Ilario Lavarra i cili ka marrë famë në shumë shtete të botës për udhëtimet e tij të bukura por edhe interesante në vendet më të çuditshme nuk ka asnjë plan afatgjatë.

Italiani thjesht jeton momentin dhe shijon pafund udhëtimet e tij të gjata, bukuritë natyrore në vende të pashkelura apo edhe kulturat e historitë e pafundme të popujve. Përveçse një frymëzim për të gjithë italiani me eksperiencën e përjetuar është më shumë se një libër./ CNA.al

Lajmet e fundit nga