Connect with Us

Harold Shipman, historia e tmerrshme e mjekut britanik që vrau për kënaqësi 250 nga pacientët e tij

Blog

Harold Shipman, historia e tmerrshme e mjekut britanik që vrau për kënaqësi 250 nga pacientët e tij

Publikuar

-

Supozohet se mjekët u japin njerëzve mbështetje kur janë më të brishtë nga ana shëndetësore, por dr.Harold Shipman e përdori pozicionin e tij për të përfituar nga pacientët e tij, duke u bërë kështu një nga vrasësit serialë më mizorë në historinë e Britanisë së Madhe.

Duke shfrytëzuar besimin e tyre, në fillim Shipman do t’i diagnostikonte pacientët e tij me sëmundje që nuk i kishin, dhe më pas do t’u injektonte një dozë vdekjeprurëse diamorfine. Ndoshta 250 njerëz nuk e dinin se vizita e tyre në zyrën e Harold Shipmanit, do të ishte edhe e fundit.

Harold Shipman lindi në Notinghem të Anglisë në vitin 1946. Ai ishte një student premtues në shkollë dhe shkëlqente në sport, sidomos në regbi. Por rrjedha e jetës së tij ndryshoi kur ishte vetëm 17 vjeç. Atë vit, nëna e tij Vera, me të cilën Shipman ishte mjaft i lidhur, u diagnostikua me tumor në mushkëri.
Gjatë kohës që dergjej në spital në ditët e saj të fundit të jetës, Shipman vuri re se si mjeku ia lehtësonte vuajtjet duke i dhënë morfinë. Më vonë, ekspertët do të spekulonin se ai ishte momenti që frymëzoi vrasjet e tij sadiste dhe mënyrën e veprimit.

Pas vdekjes së nënës së tij, Shipman do të martohej me Primrouz Okstobi gjatë kohës që studionte për mjekësi në Shkollën Mjekësore të Universitetit së Lidsit. Çifti pati 4 fëmijë, dhe parë nga jashtë jeta e Shipman ishte nëse normale. Ai u diplomua në vitin 1970 dhe filloi punë si mjek në një zonë rurale, por shumë shpejt u bë një mjek i përgjithshëm në një qendër mjekësore në Jorkshajërin Perëndimor.
Pikërisht atje, në vitin 1976 Shipman pati për herë të parë probleme me ligjin. Mjeku i ri u kap duke falsifikuar receta për Demerol, një opioid që përdoret zakonisht për të trajtuar dhimbjet të forta. Shipman e përdorte vetë dhe ishte bërë i ndërvarur prej tij.

Ai u gjobit, u pushua nga puna, dhe iu kërkua të ndiqte një terapi rehabilitimi në një klinikë në Jork. Harold Shipman e mori veten shpejt dhe u rikthye të punonte si mjek, këtë herë në Qendrën Mjekësore Donibruk në Hajd në vitin 1977. Ai do t’i kalonte atje 15 vitet e ardhshme të karrierës së tij, para se të hapte vetë një klinikë private në vitin 1993.

Ai ndërtoi reputacionin e një mjeku të mirë dhe të dobishëm. Shipman vrau pacientin e tij të parë në marsin e vitit 1975. Ajo ishte70 vjeçarja Eva Lions, dhe ngjarja ndodhi një ditë para ditëlindjes së saj. Shipman posedonte mjaftueshëm diamorfinë për të vrarë qindra njerëz, edhe pse askush nuk ishte në dijeni të varësisë së tij deri një viti më pas.

Megjithëse u pushua nga puna atë vit për falsifikim të recetave, ai nuk u largua nga
Këshilli i Përgjithshëm Mjekësor, organi rregullator i mjekëve. Ai mori vetëm një letër paralajmëruese. Sipas hetuesve, Shipman do të ndalonte dhe rifillonte vrasjet që kryente shumë herë gjatë dekadave të tij në këtë profesion.

Por metoda e tij e vrasjes mbeti gjithmonë e njëjtë. Ai do të vinte në shënjestër më të brishtët. Viktima e tij më e moshuar ishte 93 vjeçarja Ana Kuper, dhe më i riu 41 vjeçari Piter Luis. Shipman do t’u injektonte viktimave një dozë vdekjeprurëse diamorfine, dhe do t’i shikonte ata të vdisnin aty, ose do t’i dërgonte në shtëpi që të vdisnin.

LEXO EDHE:  Pastrimi i parave rrit çmimet e pronave në Ballkanin Perëndimor

Besohet se ai vrau 71 pacientë vetëm gjatë kohës që punonte si praktikant në Donibruk, dhe pjesën tjetër kur punonte në mënyrë të pavarur. Nga viktimat e tij, 171 ishin femra dhe 44 ishin meshkuj. Por në vitin 1998, shumë njerëz në Hajd nisën të dyshonin mbi numrin e lartë të pacientëve të Shipman që po vdisnin. Të dhënat tregonin se shkalla e vdekshmërisë së pacientëve të tij ishte pothuajse 10 herë më e lartë se në zona të tjera.

Ata i raportuan shqetësimet e tyre tek autoritetet shëndetësore lokale, të cilat më pas njoftuan policinë. Ai moment mund të ishte fundi i mizorive të Shipman, por nuk ndodhi kështu. Hetimi policor nuk arriti të kryejë kontrollet më themelore, përfshirë faktin se Shipman kishte një rekord penal. Nëse policia do të kishte pyetur Këshillin e Përgjithshëm Mjekësor,se çfarë kishte në dosjen e tij, ata do ta kishin zbuluar se Harold kishte falsifikuar në të kaluarën recetat e ilaçeve. Ndërkohë,Shipman gjithashtu kishte mbuluar gjurmët e tij duke shtuar sëmundje të rreme në kartelat mjekësore të viktimave të tij.

Prandaj hetimi nuk gjeti ndonjë gjë të dyshimtë, dhe mjeku ishte i lirë të vazhdonte të vriste. Krimet e Shipman u zbuluan vetëm kur ai gaboi dhe u përpoq të falsifikonte testamentin e njërës prej viktimave të tij, 81vjeçares Ketlin Grandi, një ish-kryetare e bashkisë së qytetit Hajd. Kur Shipman i injektoi një dozë vdekjeprurëse diamorfine, ai përdori makinën e shkrimit për të shkruar një testament tjetër jashtë vullnetit, duke i lënë të gjithë pasurinë mjekut Shipman. Grandi u varros ndërsa vajza e saj, Angela Udraf, u njoftua për testamentin nga avokatët e së ndjerës. Ajo dyshoi menjëherë se ishte bërë një lojë e pistë dhe shkoi të denonconte në polici. “E gjitha ajo situatë ishte e pabesueshme. Mendimi që nëna ime t’ia linte gjithçka me testament mjekut të saj ishte i pakonceptueshëm”- do të shprehej ajo. Trupi i Grandi u zhvarros në gusht të vitit 1998 dhe diamorfina u gjet në indet e saj muskulore.


Shipman u arrestua më 7 shtator të po atij viti. Gjatë 2 muajve të ardhshëm, u zhvarrosën trupat e 11 viktimave të tjera. Një ekspert policie kontrolloi kompjuterin e punës së Shipman dhe zbuloi se ai kishte bërë shënime të rreme, për të mbështetur shkaqet e rreme të vdekjes që jepte në certifikatat e vdekjes së viktimave të tij.

Pastaj, policia arriti të verifikojë edhe 14 raste të tjera kur Shipman u kishte injektuar pacientëve doza vdekjeprurëse të diamorfinës. Zyrtarisht policia mundi ta akuzonte Shipman vetëm për 15 vrasje. Por është vlerësuar se numri i vrasjeve të tij është diku midis 250 dhe 450. Shipman u dënua në vitin 2000, me burgim të përjetshëm. Një ditë para ditëlindjes së tij të 58-të, më13 janar të vitit 2004, Shipman u gjet i vetëvarur në qelinë e tij. Shumë ekspertë kanë ngritur pyetjen pse vrau aq shumë njerëz ky mjek.

Disa thonë se ai mund të ketë qenë duke marrë hak për vdekjen e nënës së tij. Disa mendojnë se ai u injektoi të moshuarve diamorfinë si një mënyrë e gabuar e ofrimit të dhembshurisë. Të tjerë sugjerojnë se mjeku vuante nga Kompleksi i Zotit, dhe thjesht duhej të provonte se ai mund ta merrte jetën, ashtu siç dhe ta shpëtonte atë./Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Edhe një vonesë tjetër në procesin e integrimit do të destabilizonte të gjithë Ballkanin

Publikuar

-

Nga

“The Straits Times”

Me mefshtësinë e tij në procesin e zgjerimit, Bashkimi Evropian rrezikon që ta humbasë Ballkanin tek Rusia dhe Kina, duke u lënë shumë hapësirë këtyre të fundit,dhe duke rritur tensionet në rajonin më të paqëndrueshëm të kontinentit.

Përpjekjet për të mbrojtur stabilitetin në Ballkan po sabotohen nga bisedimet e bllokuara të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut. Gjatë 16 viteve të kaluara, ish-Republika Jugosllave bëri të gjithë sa iu kërkuan për ta provuar veten të denjë për fillimin e negociatave, por sërish është lënë në pritje.

Së bashku me Maqedoninë e Veriut, 5 kombe të tjera të Ballkanit janë kandidate për t’u anëtarësuar në union:Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Por me BE-në që bie nga kriza në krizë, ritmi i zgjerimit është ngadalësuar që nga koha kur u anëtarësua Kroacia në vitin 2013.

Kjo ka krijuar një mundësi të artë për forcat rivale, duke përfshirë Rusinë, Kinën, Turqinë dhe Arabinë Saudite, që të forcojnë ndikimin e tyre. Gadishulli i trazuar, që ka qenë prej kohësh një fushëbeteje gjeopolitike, është sërish i mbushur me tensione.

Janë ringjallur pretendimet territoriale, ndarjet etnike po thellohen, dhe disa politikanë po diskutojnë hapur nevojën për ndryshimin e kufijve. Ashtu si në pjesën tjetër të Evropës Lindore, plani i BE-së ka synuar forcimin e stabilitetit në rajon, duke ruajtur perspektivën e anëtarësimit për vendet që ndërtojnë institucione demokratike, luftojnë korrupsionin dhe hapin ekonominë.

“BE-ja ka humbur shumë nga besueshmëria e saj në Maqedoninë e Veriut”- thotë Valentin Inzko, diplomat austriak që sapo përfundoi mandatin e tij 12-vjeçar si Përfaqësues i Lartë për Bosnje Hercegovinën, një post kyç për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes së paqes së vitit 1995.

“Më e keqja është lejimi i një vakuumi, pasi të tjerët do të nxitojnë që ta mbushin atë”-thekson ai. Edhe një vonesë tjetër në procesin e integrimit do të destabilizonte të gjithë Ballkanin, rajon ku ngritja e udhëheqësve nacionalistë ka shkaktuar tensionet në nivelin më të lartë që nga fundi i luftërave të përgjakshme që përfunduan më pak se një brez më parë.

Me Slloveninë që merr presidencën e radhës së BE-së më 1 korrik, diplomatët evropianë mund të kenë një shans për të shënuar një farë progresi. “Çështja maqedonase është një provë serioze për besueshmërinë e BE-së, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”- thotë Dushko Arsovski, zëdhënës i qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev në Maqedoninë e Veriut.

Problemet janë në rritje. Me mbështetjen e heshtur të Rusisë, ka një lëvizje në rritje nga serbët e Bosnjës për t’u shkëputur nga federata e Bosnje e Hercegovinës. Mali i Zi u përball me një përpjekje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016, e cila synonte të parandalonte anëtarësimin e saj në NATO.

Në Maqedoninë e Veriut marrëveshja për të ndryshuar emrin e vendit, u prit me shumë kundërshtime, për të cilat Shtetet e Bashkuara bënë fajtore Rusinë.“Ka shumë gjëra mbi të cilat duhet shqetësuar”-shprehet Peter Galbreit, ambasadori i parë i SHBA-së në Kroacinë e sapo-pavarur, që luajti një rol kryesor në dhënien fund të luftërave në Kroaci dhe Bosnje Hercegovinë.

LEXO EDHE:  Kufijtë më të pazakontë në botë/ “Mini-Gjibraltarët” e Spanjës, dhe qyteti gjerman që nuk është në BE

LEXO EDHE:  Oto Skorzeni, si komandoja e preferuar e Hitlerit, u bë një nga agjentët kryesorë të Mossadit izraelit

Në vitet 1990, kur rajoni u zhyt me shpejtësi në luftë, SHBA-ja ndërhyri. Por tani “ky është një problem evropian dhe kërkon një udhëheqje evropiane” shprehet Gelbreit. Aleati më i madh i Rusisë në rajon, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, po e promovon veten si bashkues të të gjithë serbëve, duke i bërë jehonë retorikës së ish-shefit të tij Sllobodan Millosheviç.

Ndërsa Vuçiç është zotuar që të respektojë kufijtë aktuale, një nga njerëzit e tij deklaroi muajin e kaluar se vizioni i të gjithë serbëve për të jetuar në një shtet “tani është i pandalshëm”.

Në negociatat e saj me Beogradin, synimi kryesor i BE-së ka qenë që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Por ky hap cilësohet si i tepruar nga kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, që muajin e kaluar e cilësoi si hipokrizi këmbënguljen mbi shenjtërinë e kufijve nga ata që e njohën Kosovën si shtet.“Ata kanë hapur Kutinë e Pandorës, e cila është shumë e vështirë që të mbyllet”- tha ajo.

Qasja e BE-së ka qenë shumë dritëshkurtër, mendon dr.Eidën Hehir, profesor në Universitetin Uestminster në Angli.“Ekziston përshtypja se Serbia mund ta destabilizojë Ballkanin. Por nëse i injoroni vendet e tjera dhe fokusoheni tek Serbia, bëni një gabim të madh, pasi të gjitha vendet e tij mund të gjenerojnë destabilitet”- thotë Hehir.

Si shenjë e tensioneve që po vlojnë, rajoni u trondit nga zërat rreth një dokumenti jozyrtar të BE-së mbi rishikimin e kufijve përgjatë vijave etnike, kryesisht në Bosnje. Dokumenti përmendte gjithashtu një bashkim të mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës.

Brukseli nuk pranoi të komentonte mbi këtë çështje. Përparimi i Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit po mbahet peng nga fqinja e saj Bullgaria që është anëtare e BE-së, për një mosmarrëveshje mbi emrin dhe origjinën e gjuhës dhe historinë e përbashkët të dy kombeve.

Kundërshtimi i Sofies është emblemë e një procesi të ndërlikuar të vendimmarrjes në BE, dhe i një morie rregullash mbi zgjerimin, të cilat u japin anëtarëve aktualë të drejtën e vetos mbi procedurat. Disa vende, sidomos ato perëndimore, ngurrojnë që të ecin përpara për të pranuar vende të reja, pas probleme me raundet e fundit të zgjerimit, nga shqetësimet e korrupsionit, tek skandalet e pastrimit të parave dhe sfidat ndaj shtetit ligjor.

Vendet aspirante kanë bërë pak përparim në zbutjen e këtyre shqetësimeve. Edhe pse Maqedonia e Veriut ishte e vetmja republikë që i shpëtoi luftimeve të përgjakshme gjatë rënies së Jugosllavisë, ajo kishte pjesën e saj të tensioneve etnike.

Përplasjet midis shqiptarëve, të cilët përbëjnë më shumë se një të katërtën e popullsisë prej 2 milionë banorësh dhe maqedonasve, arritën kulmin me një kryengritje 9-mujore në vitin 2001. Që atëherë është arritur një marrëveshje për ndarjen e pushtetit,dhe në vitin 2019 u zgjidh një mosmarrëveshje e vjetër me Greqinë mbi emrin e saj, gjë që i garantoi anëtarësimin në NATO.

“Mbetja jashtë familjes evropiane, do të çonte në izolim dhe rritje të intolerancës etnike”-thotë gazetarja Majda Atanasovska nga Shkupi. Por elementët që nxisin destabilitet janë

edhe vonesat e BE-së që po kërcënojnë të dëmtojnë qeverinë aktuale, e cila e ka bazuar besueshmërinë e saj në përparimin e vendit drejt anëtarësimit në union./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Sealand, “shteti”më i vogël dhe më i çuditshëm në botë

Publikuar

-

Nga

Ai quhet ndonjëherë si shteti më i vogël në botë, por nuk është i njohur kurrë zyrtarisht si i tillë. Me një sipërfaqe rreth 4.000 metra katrorë, pra më pak se sa madhësia e një fushe futbolli – Sealand pretendon të jetë shteti më i vogël në botë.

Një fortesë detare në brigjet e Anglisë, Sealand u përdor dikur nga Flota Mbretërore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por në vitin 1967, britaniku Padi Bejts vendosi qëta pronësonte për vete dhe ta shpallte atë një shtet sovran. Gjatë 50 viteve të fundit, familja e tij e ka drejtuar si të ishte një vend i vërtetë, edhe pse nuk është njohur kurrë zyrtarisht si i tillë.

Sot, Sealand ka kushtetutën, flamurin e vet, madje edhe moton e vet zyrtare “E Mare, Libertas”, që do të thotë “Deti është liri!”.Në 5 dekadat e ekzistencës së tij, ky mikro-shtet ka parë vdekje mbretërore, pengmarrje, mosmarrëveshje territoriale dhe madje edhe beteja midis helikopterëve.

Në vitin 1965, ish-majori i ushtrisë britanike Padi Bejts ngriti “Radio Essex”, një stacion radiofonik i palicencuar që transmetonte nga një fortesë e braktisur e Luftës së Dytë Botërore e quajtur “Knock John”.Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Britania kishte ndërtuar një numër fortesash të tilla për të zmbrapsur çdo sulm të papritur gjerman.

Por pasi mbaroi lufta, këto fortesa dolën jashtë përdorimit. Dhe në këto kushte u bënë vendi i radiove pirate si ajo që kishte krijuar Bejts, që ishte ndër ata që e përbuznin monotoninë e BBC. Kur qeveria britanike u përpoq që ta mbyllte radion e palicencuar, Bejts e zhvendosi atë nga “Knock John” në “Fort Roughs Tower”, që ndodhej jashtë ujërave territoriale Britanike.

Në prag të Krishtlindjes së vitit 1966, Bejts i lindi ideja ta quajë fortesën“Sealand”, dhe t’ia dhuronte gruas së tij Xhoan.

Kur autoritetet britanike ia bënë edhe më të vështirë aktivitetin,Bejts hoqi dorë nga karriera e tij si radiofonist. Por ai nuk u largua nga“Fort Roughs Tower”. Më 2 shtator 1967, me rastin e ditëlindjes së gruas, a ie quajti fortesën “Principata e Sealand”.

Dhe shumë shpejt, ajo dhe dy fëmijët e tyre u bënë bashkë në “vendin” më të vogël në botë. Krijimi i një territori të pavarur pranë Anglisë, i bezdisi në fillim autoritetet. Ato e përshkruan Selandin me errësirë si “Kuba në brigjet lindore të Anglisë”.

Në vitin 1968, ushtria britanike dërgoi helikopterë dhe anije për të shkatërruar disa kulla

të vjetra ushtarake që ndodheshin pranë Sealand. Familja Bejts e pa këtë aktivitet si një kërcënim për mënyrën e tyre të re të jetës në fortesë. Djali i Padit, Princi Majkëll Bejts,

qëlloi disa herë në ajër në formë paralajmërimi.

Flota britanike u largua, por Padi dhe i biri u thirrën në Angli për t’u përgjigjur për veprimet e tyre. Por meqë Sealand ndodhej jashtë ujërave territoriale Britanike, burrat u lanë të lirë. Familja Bejtes e konsideroi atë akt si njohje de fakto të Sealand si një vend i pavarur. Por qeveria britanike nuk ishte dakord. Në vitet 1970, rreth 50 njerëz shkuan të jetonin në të ashtuquajturin vendi më i vogël në botë. Ata ishin kryesisht miq të familjes Bejts.

LEXO EDHE:  Oto Skorzeni, si komandoja e preferuar e Hitlerit, u bë një nga agjentët kryesorë të Mossadit izraelit

LEXO EDHE:  Manastirliu dhe Gjonaj në burgun e grave/ Mamografi falas për gratë që vuajnë dënimin

Në atë kohë familja Bejts ndërmori disa hapa për ta bërë fortesën sa më mikpritëse për qytetarët e saj. Për shembull, ata instaluan një gjenerator me erë në majën e platformës, që siguronte energji elektrike për ngrohëset në 10 dhomat brenda Sealand.

Në 10 dhomat përfshihej një kuzhinë, një dhomë ndenje dhe një kishëz. Sa i përket dhomave të gjumit, shumica e qytetarëve flinin brenda këmbëve cilindrike por pa dritare të fortesës – kryesisht nën nivelin e detit.

Një varkë do t’u çonte ushqim, pije, gazeta dhe produkte të tjera. Sidoqoftë, qytetarët ishin gjithnjë të kujdesshëm, pasi orari i anijes mund të ishte pak i paparashikueshëm.“Ndonjëherë prisnim për muaj më radhe që anija të sillte furnizime”- thotë Majkëll.

Në vitet 1970, në Sealand pati një “grusht shteti” nga një gjerman që pretendonte se ishte “kryeministri”.Në vitin 1978, Aleksandër Ashenbah shkoi në Sealand me helikopter me një grup mercenarësh në kohën kur Padi Bejts nuk ndodhej aty.

Ata morën peng Princin Majkëll. “Ata ishin në thelb terroristë, më mbyllën në një

dhomë më më mbajtën aty për 4 ditë pa ushqim dhe ujë”- kujton Princi Majkëll. Në kundërpërgjigje, babai i tij ndërmori një kundërsulm, që solli largimin e shumicës së gjermanëve.

Por qytetarët e Sealand vendosën të mbajnë peng njërin prej tyre. Në ato kushte ambasadori gjerman në Britani, u detyrua të shkonte me helikopter në Sealand, në mënyrë që të negocionte lirimin e bashkëkombasit. Sealand e cilësoi atë si një tjetër shenjë se shteti i tyre po merrej më në fund seriozisht nga të tjerët.

“Duke negociuar me ne, ata na njohën de fakto si shtet”- thotë Princi Majkëll. Por ekzistenca e Sealand nuk ishte ende tërësisht e sigurt. Në vitet 1980, Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit, i zgjeroi ujërat territoriale britanike duke përfshirë fortesën prej çeliku. Londra e mohoi prerë legjitimitetin Sealand.

Familja themeluese e Sealand është ende aktive. Princi Majkëll e drejton Sealand nga shtëpia e tij kontinentale në Essex. Ai ati vdiq në vitin 2012, ndërsa e ëma në vitin 2016. Vitet e fundit, Sealand ka hasur disa telashe. Në vitet 1990, familjes Bejts iu desh të anulonte pasaportat e Sealand, pasi ato ishin duke u përdorur për mashtrime.

Ndërsa në vitin 2006, një zjarr në Sealand shkatërroi plotësisht gjeneratorin kryesor të energjisë. Në vitin 2007, Sealand u nxor për pak kohë në shitje. Por qytetarët e Sealand, kanë shpikur disa mënyra kreative për të mbështetur ekzistencën e mikro-shtetit.

Për shembull, kushdo që dëshiron të bëhet një aristokrat i Sealand mund ta bëjë këtë në këmbim të një pagese. Sot aty banojnë pak njerëz me kohë të plotë. Përveç punonjësve, gazetarëve dhe miqve të ngushtë të familjes Bejts, shumë pak njerëz do të kenë ndonjëherë mundësinë të vizitojnë Sealand. Por të gjithë ata që e kanë vizituar thonë se është vendi më i veçantë në botë./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pesë kohët dhe vendet më të këqija për të jetuar gjatë historisë njerëzore

Publikuar

-

Nga

Në pamje të parë, historia njerëzore mund të duket si një katalog katastrofash dhe tragjedish, dhe mbase kjo do të thotë diçka për njerëzimin. Qoftë si rezultat i luftës, urisë, sëmundjes apo një kombinim i të triave, përgjatë historisë ka pasur shumë raste, kur jeta ishte shumë me e rëndë nga sa na duket sot, në periudhën e pandemisë së Covid-19.

Evropa gjatë pandemisë së “Vdekjes së Zezë”

Jeta në Evropën Mesjetare ishte tashmë shumë e vështirë. Por ardhja e 12 anijeve tregtare gjenoveze në tetorin e vitit 1347, solli me vete udhëtarët mikroskopikë (bakteret), që do të shkaktonin një mbretërim të vdekjes dhe terrorit, i cili zhduku deri 60 për qind të popullsisë së Evropës.

E njohur gjerësisht si një nga shpërthimet epidemike më shkatërruese në historinë e njerëzimit, pandemia e murtajës, e njohur më shumë si Vdekja e Zezë, shkaktoi vdekjen  e deri 200 milion njerëzve në Evropë dhe Azi, para se të largohej duke e reduktuar me 22 për qind popullsinë e botës.

Sa për t’i vënë gjërat në perspektivë, ndikimi i asaj humbje ishte aq domethënës, sa që popullsisë së botës do t’i duheshin mbi 300 vjet për të arritur popullatën e saj para murtajës.

Ndërsa njerëzit po përpiqeshin të kuptonin se çfarë po e shkaktonte atë pandemi, shumë prej tyre kthyen kokën nga qielli në kërkim të një përgjigje, duke besuar se sëmundja ishte shkaktuar nga forca astrologjike, apo se ishte një ndëshkim hyjnor nga Zoti.

Njerëzit u bënë edhe më mosbesues ndaj njëri-tjetrit, pasi nuk mund ta dinin se kush mund

të infektohej. Të sëmurët shpesh braktiseshin ose izoloheshin në shtëpitë e tyre. Arat u lanë të papunuara, pasi nuk kishte asnjë njeri të gjallë ose të gatshëm për t’i punuar ato. Tek e fundit, pse të punosh sot, kur mund të vdesësh nesër?

Kina gjatë pushtimit mongol

Kinezët kishin ndërhyrë prej kohësh në punët e fiseve mongole, duke inkurajuar rivalitete dhe luftë midis fiseve të tyre, në një përpjekje për t’i mbajtur ata të përçarë dhe të dobët. Temuzhin, njeriu që do të bëhej Xhengiz Khan (udhëheqësi i madh), nuk i harroi këto ndërhyrje, kur filloi të bashkonte të gjitha fiset mongole nën udhëheqjen e tij të vetme.

Kur në vitin 1205 filloi pushtimi mongol, ishin njerëzit e zakonshëm ata që paguan koston më të lartë. Një pushtim i nisur nga iniciuar nga Xhengiz Khan, u vazhdua nga djali i tij Ogedei Khan, dhe u përfundua nga nipi i tij Kublai Khan, duke prodhuar një fushatë 74-vjeçare, e cila ishte e pabesueshme në brutalitetin e saj dhe shkallën e saj masive.

Gjatë asaj kohe shumë qytete kineze u rrënuan, teksa u rrëzuan perandoritë e lashta, që mendoheshin se ishin të pathyeshme. Vlerësimet në lidhje me numrin e njerëzve të vrarë nga ai pushtim ndryshojnë shumë. Por besohet se popullsia e Kinës u përgjysmua, nga 120 milion njerëz para pushtimit, në vetëm 60 milion pas tij.

Dy Amerikat gjatë periudhës së kolonizimit

 

Para ekspeditës së Kristofor Kolombit në vitin 1492, në Amerikë banonin 10 deri në100 milion njerëz. Ndërsa numri i saktë mbetet i panjohur, e sigurt është se kontakti me kolonët evropianë solli një rënie masive të popullsisë vendase. Para se të vinin evropianët, amerikanët vendas ishin izoluar nga pjesa tjetër e botës. Ata nuk ishin ekspozuar kurrë ndaj sëmundjeve, që tanimë ishin të zakonshme në botën e vjetër.

LEXO EDHE:  Pastrimi i parave rrit çmimet e pronave në Ballkanin Perëndimor

LEXO EDHE:  Pastrimi i parave rrit çmimet e pronave në Ballkanin Perëndimor

Menjëherë sapo ranë në kontakt me kolonët evropianë, epidemitë e sëmundjeve të tilla si lija u përhapën në të gjithë kontinentin, duke vrarë një numër të madh njerëzish. Me shumë pak njerëz të mbetur gjallë për të kryer detyra thelbësore, furnizimet ushqimore të fiseve u zvogëluan, duke i bërë ata më të prekshëm nga epidemitë e ardhshme. Madje disa burime sugjerojnë se deri 90 për qind e popullsisë amerikane vendase, vdiq si rezultat i sëmundjeve, brenda një shekulli nga mbërritja e evropianëve.

Kina gjatë “Hapit të Madh Përpara”

Në fund të viteve 1950, udhëheqësi komunist i Kinës, Mao Ce Dun, hartoi një plan ekonomik dhe social që synonte të sillte modernizimin e shpejtë të vendit. Por në vend se ta shndërronte vendin në një parajsë moderne, plani i tij e shndërroi Kinën në një makth katastrofik, që do t’i merrte jetën mbi 55 milion njerëzve në vetëm 4 vjet.

Ai vendosi anulimin e pronës private, dhe deri në fundin e vitit 1958, u ngritën mbi 25.000 komuna, ku secila kishte mesatarisht 5000 familje. Njerëzit u detyruan që të prodhonin grurë, që do të eksportohej dhe shkëmbehej me valutë të fortë.

Çdo gjë ishte në pronësi të komunës, dhe çdo aspekt i jetës së individit kontrollohej

nga komuna ku bënte pjesë. Zakonet antike si funeralet dhe dasmat u konsideruan kundërrevolucionare dhe u ndaluan. Edhe ideja e lirisë personale, u bë një kujtim i zbehtë

në sistemin e vendosur nga Partia Komuniste.

Rezultatet ishin katastrofike. Miliona fermerë të aftë u zhvendosën nga bujqësia në industri, duke sjellë kalbjen e të korrave. E kombinuar kjo me fatkeqësitë natyrore si përmbytjet, dhe një tufë shkatërruese karkalecesh, ai plan shkaktoi një uri masive që vrau miliona njerëz.

Evropa gjatë gjysmës së parë të shekullit XX-të

 

Brenda 30 viteve, u zhvilluan dy luftëra botërore, dhe në të gjithë globin u kryen gjenocide dhe vrasje masive në emër të ideologjive politike, të cilat shkatërruan jetët e qindra miliona njerëzve. Lufta e parë Botërore ishte lufta e parë vërtet moderne, dhe teknologjia që përparonte me shpejtësi u përdor në masë, me pasoja vdekjeprurëse të papara më herët.

Edhe nëse të rinjtë nuk ishin pjesë e 28 milion viktimave ushtarake, ata ishin ende në rrezik të madh kur mbaroi lufta në vitin 1918, vit kur dhe nisi pandemia e Gripit Spanjoll. Deri në dhjetor 1920, kjo sëmundje veçanërisht vdekjeprurëse dhe agresive e gripit vrau deri në 100 milion njerëz, ose 5 për qind të popullsisë totale të botës.

Ata që arritën t’i mbijetonin luftës dhe pandemisë, do të vuanin gjatë viteve 1930 pasojat e një krize të madhe ekonomike, të njohur si Depresioni i Madh. Rënia e madhe të ardhurave dhe papunësia e lartë, mbollën “farën” e konfliktit më shkatërrues të të gjitha kohërave: Luftës së Dytë Botërore, që shkaktoi mbi 50 milionë të vdekur. Lufta e shndërroi në gërmadha pjesën më të madhe të Evropës./CNA.al

LEXO TE PLOTE