LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Masakra e Tiananmenit/ Si Pekini iu kundërvu vullnetit të popullit për demokraci

4 Qershor 2020, 07:09, Blog CNA
Masakra e Tiananmenit/ Si Pekini iu kundërvu vullnetit të popullit

Nga Ben Westcott ?CNN?

* Kur agoi 4 qershori 1989, populli kinez u zgjua në një vend që kishte ndryshuar rrënjësisht brenda natës. Për 7 javë me radhë, u duk sikur Kina ishte në prag të një ndryshimi të madh shoqëror. Por vetëm brenda një nate, ëndrrat e qindra mijëra studentëve dhe punëtorëve protestues u shtypën brutalisht nga ushtria.

Për rreth një dekadë, ekonomia e Kinës komuniste kishte hedhur hapa të vazhdueshme drejt hapjes, dhe kishte lejuar një numër të kufizuar sipërmarrjesh të lira në vendin komunist, pas viteve të një kontrolli të rreptë shtetëror nën kryetarin legjendar Mao Ce Dun.

Me ndryshimin e udhëheqjes, lideri i ri, Tenj Hsio Pin, donte ta shihte Kinën të përparonte duke përqafuar një liberalizim të tregut. Por kur protestat në shkallë të gjerë në Pekin kërkuan liri më të mëdha sociale, siç është ajo e fjalës dhe madje edhe demokraci, Ten do të tregohej shumë më pak entuziast.

Protestat nisën në prillin e vitit 1989, të nxitura nga vdekja e ish-drejtuesit të Partisë Komuniste Kineze Hu Jaobang në moshën 73-vjeçare. I konsideruar nga publiku si një kampion i masave liberale, Hu ishte rrëzuar nga pushteti dy vjet më parë, dhe vdekja e tij më 15 prill u shoqërua me një zi në mbarë vendin.

Tri ditë më vonë, mijëra studentë të pikëlluar marshuan nëpër Pekin, duke kërkuar një qeveri më demokratike për nder të Hu. Protestuesit pushtuan Sheshin Tiananmen, hapësirën më të madhe publike në qendër të Pekinit, e cila gjendet përballë Qytetit të Ndaluar, ish-shtëpisë së perandorëve kinezë dhe Sallës së Madhe të Popullit.

Përgjatë një muaj e gjysmë në vijim, numri i studentëve dhe punëtorëve protestues u rrit vazhdimisht. Një miting më datën 19 maj 1989, mblodhi në shesh rreth 1.2 milion njerëz, duke e detyruar kreun e atëhershëm të Partisë Komuniste, Zhao Zijang të takohet me një përfaqësi të protestuesve, duke iu lutur t?i japin fund protestave.

Ai e filloi fjalimin e tij duke thënë:?Studentë, ne erdhën shumë vonë. Na vjen keq!?. Një lider i lëvizjes studentore, lexoi një listë kërkesash të studentëve që po zhvillonin një protestë paqësore duke u ulur në shesh përpara Sallës së Madhe të Popullit në Pekin.

Por kërkesat u injoruan nga qeveria, dhe kryeministri Li Peng vendosi po atë ditë ligjin ushtarak në qytet. Kamionët plot më ushtarë nisën të mbërrijnë në Pekin pak orë më vonë, por protestat nuk u ndalën. Më 30 maj, në qendër të sheshit Tienanmen, protestuesit ndërtuan një statujë 10 metra të lartë të quajtur Perendesha e Demokracisë, për të forcuar moralin në radhët e turmës së madhe të protestuesve.

Në fund, qeveria komuniste reagoi me shpejtësi. Pas një dy javë të tensionuara, natën e 3 qershorit, kolona trupash të armatosura hynë në Pekin me qëllim spastrimin e sheshit Tienanmen me çfarëdolloj mënyre të nevojshme. Të bllokuar nga civilët në rrugë, të cilët po përpiqeshin të mbronin studentët, trupat hapën zjarr.

Studentët, punëtorët dhe qytetarët e tjerë të zakonshëm kundërsulmuan, duke i vënë flakën disa automjeteve ushtarake. Dëshmitarët treguan histori të tmerrshme të tankeve që shkelnin mbi trupat e protestuesve të paarmatosur, dhe ushtarëve që qëllonin me armë mbi turmën pa bërë asnjë dallim.

Qeveria kineze nuk bëri asnjëherë publike ndonjë numër zyrtar të viktimave, por grupet e të drejtave të njeriut vlerësojnë se bëhet fjalë për qindra në mos mijëra të vdekur. Shumë nga drejtuesit e protestës u burgosën, disa prej të cilëve nuk do të liroheshin për më shumë se një dekadë.

Që atëhere qeveria komuniste ka punuar shumë për të ndaluar çdo lloj kujtese të masakrës nga historia dhe mediat kineze, duke e parë atë si një kërcënim të madh për legjitimitetin e regjimit të saj diktatorial. Dhe kjo praktikë deri më tani duket se ka funksionuar. Edhe sot në 31 vjetorin e asaj ngjarje, në Kinë nuk pritet të ketë asnjë përkujtim publik të asaj masakre./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga