web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Opozita, në krizë ekzistenciale”/ Spaho: Berisha po mban Ramën në pushtet

8 Korrik 2026, 08:55, Politikë CNA
“Opozita, në krizë ekzistenciale”/ Spaho: Berisha po mban
Edmond Spaho

Ish-nënkryetari dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka artikuluar kritika të forta ndaj drejtimit të opozitës, duke e cilësuar PD-në si një forcë politike që ka humbur besimin e qytetarëve dhe aftësinë për të përfaqësuar interesat e tyre.

Sipas Spahos, Partia Demokratike mbajti një qëndrim të paqartë në raport me protestat, duke mbështetur fillimisht investimin dhe më pas, kur kuptoi se po mbetej jashtë zhvillimeve politike, u rreshtua në krah të protestuesve.

Gjatë një interviste, Spaho theksoi se problemi më i madh i PD-së është se nuk arrin më të prekë "nervin e qytetarit", pasi, sipas tij, është bërë e pabesueshme për publikun.

Në vijim, Spaho akuzoi Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj Sali Berishën se, për shkak të dobësisë së saj, po kontribuon indirekt në qëndrimin e kryeministrit Edi Rama në pushtet.

“PD është e dyzuar, fillimisht e mbështeti investimin, më pas kur e pa që do të ngelej në periferinë e zhvillimeve politike të vendit u detyrua që të dalë në krah të protestës. Sot ja ku e keni rezultatin, protestat janë si foltoret e Berishës. Opozita është në një krizë ekzistenciale. PD ka një problem shumë të madh, nuk e prek dot më nervin e qytetarit, është bërë e pabesueshme për qytetarin. Nga ‘Rithemelimi’ e deri më sot nuk ka mbajtur asgjë nga ato që ka thënë. Njerëzit nuk janë më naivë. Nëse ka kontributor që mban sot Ramën në pushtet, është PD, sepse është e pazonja. O duhet të ikim ne ose kryetari i PD-së”, tha Spaho./ CNA





Lajmet e fundit nga