LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Bashkëshortit i falin prona në Dhërmi/ Xhaçka thyen heshtjen

23 Qershor 2022, 12:08, Politikë CNA
Bashkëshortit i falin prona në Dhërmi/ Xhaçka thyen
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka reaguar për akuzat se bashkëshorti i saj është cilësuar si investitor strategjik dhe ka përfituar prona në Dhërmi.

Xhaçka tha në Parlament se as ajo, as bashkëshorti, as qeveria dhe as kryeministri Edi Rama nuk kanë shkelur asnjë ligj.

Sipas saj, bashkëshorti nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe asnjë metër truall pronë publike për ndërtimin e hotelit me 5 yje.

Deklarata e Xhaçkës:

U bë një kohë shumë e gjatë që kjo çështje ngrihet nga deputeti Shehaj, herë si deputet i PD së bashkuar, e herë si deputet i gjysma PD-së ku bën sot pjesë, por nuk e kisha besuar kurrë që kjo furtunë e radhës në gotë do të arrinte një ditë të meritonte kaq shumë vëmendje.

Dhe më vjen keq për kolegun që është marrë me këtë punë shumë gjatë, që do t’i jap një përgjigje shumë të shkurtër sepse sinqerisht kjo është një çështje për të cilën s’ke çfarë thua më gjatë.

Përgjigja e shkurtër është që jo, nuk kam shkelur asnjë ligj as unë, as bashkëshorti im, as qeveria, as kryeministri e askush. Nuk jam në konflikt interesi as unë e askush. Këtë e dinë mirë edhe kolegët e opozitës, edhe kolegu që i ka hipur kësaj furtune në gotë si ta kishte kalë beteje. Ose nëse nuk e dinë, do të bënin mirë të merrnin një jurist t’ua shpjegonte sepse është turp të jesh në këtë parlament, të pretendosh që përfaqëson interesat e një pjese të elektoratit e të bësh oponencën e qeverisë, e të mos kuptosh as ligjet për të cilat flet. Që unë nuk jam në konflikt interesi, këtë nuk e them vetëm unë sepse po ta thosha vetëm unë do të ishte fjala e deputetit Shehaj përballë fjalës time. Këtë e thotë ligji, e ka thënë Gjykata Kushtetuese, e ka thënë ILDKPI. Dhe një përfaqësues serioz i popullit e aq më shumë një parti në këtë kuvend minimumi duhet të kishte bërë detyrat e shtëpisë përpara se t’ju merrte qytetarëve, por edhe kolegëve kohën e vëmendjen. Dhe për të bërë detyrat e shtëpisë do t’i mjaftonte të kërkonte në arkivat e partisë së tij, për raste të ngjashme kur të tjerë përpara tij kanë ngritur furtuna në gotë për të cilat ka folur Gjykata Kushtetuese e cila në asnjë moment nuk i ka ndaluar familjarëve të deputetëve apo ministrave të merren me biznes. Im shoq merret me biznes që në vitin 1991. Edhe im shoq, si z. Shehaj e ka nisur biznesin si emigrant në Itali, për ta vazhduar më pas në Shqipëri. Dhe pas 30 vitesh në biznes, është angazhuar sot për të bërë një investim serioz, një hotel me 5 yje në Jug. Tani, qytetarët kur dëgjojnë z. Shehaj që ulërit për statusin e investitorit strategjik, e konfliktin e interesit apo përfitime abuzive nga publikja natyrshëm ju lind e drejta të mendojnë që këtu po bëhet nami. Që këtu po falen prona e fonde e po shkelet ligji e kushedi çfarë tjetër.

Por në fakt, ky investim është një investim privat, në një truall privat, nga investitor privat. Nuk është përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe asnjë metër truall pronë publike për ndërtimin e këtij hoteli me 5 yje. Çdo qindarkë e këtij investimi është produkt i punës 30 vjeçare si një biznesmen i suksesshëm të papërfshirë në tendera apo prokurime apo asgjë tjetër që ka të bëjë me përfitimin e fondeve publike! E dini se çfarë ka përfituar konkretisht? Se jam e sigurt që nuk e dinë as shumë nga kolegët e PD. Si investitor strategjik, ka fituar të drejtën për të pasur prioritet në lidhjen e kontratës së përvitshme me bashkinë për marrjen me qira të plazhit përpara hotelit.

Një kontratë me kohëzgjatje 1 vjeçare, që duhet rinovuar çdo vit pranë bashkisë, dhe që do ta marrë njësoj si plot 1463 subjekte të tjera që shërbejnë në industrinë e turizmit nga Velipoja deri në Ksamil, me të njëjtat tarifa si të 1463 subjektet e tjera. Me pak fjalë, si investitor strategjik, që po investon miliona, që do të punësojë me dhjetëra punonjës, që do të sjellë turistë e do të prodhojë ekonomi e të ardhura për atë zonë e më gjerë, ka përfituar të drejtën të vërë shezllonet në plazh. Ka përfituar të drejtën, sigurinë juridike, që në plazhin përpara hotelit me 5 yje, për të cilin do të duhet të lidhë kontratë qiraje çdo vit, të paguajë tarifa çdo vit, dhe të cilën do t’ua vërë në dispozicion klientëve pa tarifë, siç ndodh në të gjithë botën, nuk do të mbijë ndonjë diskotekë a beach bar i radhës, nuk do të zhvendoset ndonjë i fortë i zonës dhe nuk do të ndodhin ato abuzime sporadike që ndodhin me administratorët lokalë që i lidhin kontratat e qirave edhe sipas qejfit, duke shkaktuar edhe konflikte siç kemi parë shpesh. Kaq është përfitimi i këtij investimi strategjik, të cilit këtë të drejtë ia njeh ligji, qëllimi i të cilit është pikërisht që të nxisë investimet strategjike, të nxisë bizneset e investitorët vendas e të huaj, që energjitë, kursimet, fondet e tyre t’i çojnë drejt një sektori primar për ekonominë e vendit dhe të ndërtojnë aty investime që prodhojnë ekonomi, e punësim.

Dhe sidomos në një sektor aq të vështirë e sfidues sa turizmi – ku padyshim që do të kishte qenë shumë e lehtë që në atë pronë private të ndërtohej për të shitur duke shkuar për një fitim të shpejtë, në vend të një sfide siç është hoteleria që kërkon menaxhim e punë të jashtëzakonshme, ku ekspozimi financiar është më i madh, ku ekspozimi ndaj luhatjeve të ekonomisë apo edhe zhvillimeve politike, gjeopolitike e deri tek pandemitë, është shumë më i madh – sidomos aty lind nevoja për të përdorur mekanizma që garantojnë që më së paku investimi nuk do të të shkojë dëm sepse s’ke akses në plazh apo sepse s’ke ku vë shezllonët. Quhen investime strategjike sepse kanë një vlerë strategjike. Sepse duke investuar aty, këto biznese, këto dhjetëra biznese që e kanë përfituar këtë status, janë duke e stimuluar këtë sektor e duke tërhequr investimi investimin e duke krijuar kapacitetet për shpërthimin e jashtëzakonshëm që ka njohur sektori i turizmit në këto vite. Një shpërthim nga i cili përfiton i gjithë vendi.

Dhe të hedhësh baltë mbi këtë, e të ngresh një furtunë mbi këtë, për faktin nëse një investim serioz me 5 yje fiton të drejtën që të marrë me qira e të vërë shezllonet në plazhin përpara hotelit, kjo është qesharake. Nuk ka asnjë favor. Nuk ka asnjë konflikt interesi, asnjë papajtueshmëri kushtetuese. Dhe nuk e di se çfarë të mendoj, nëse e gjithë kjo është produkt i injorancës, apo i dashakeqësisë. Besoj se është kjo e fundit, sepse duhet vërtet një injorancë monumentale mbi ligjin për të besuar vërtet këto akuza që keni kaq kohë që i përtypni si arrat.

Lajmet e fundit nga