web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

4 milionë euro për koncertin e Kaney West/ Berisha: Rama përdori fondin e emergjencës

9 Korrik 2026, 13:07, Politikë CNA

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor fondin rezervë të Këshillit të Ministrave për të financuar koncertin e Kaney West, me synimin, sipas tij, për të përmirësuar imazhin e qeverisë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se fondi i emergjencës duhet të përdoret vetëm për përballimin e situatave të jashtëzakonshme, ndërsa e cilësoi të papranueshëm përdorimin e tij për aktivitete artistike.

Sipas kreut të demokratëve, 4 milionë euro nga fondi rezervë janë destinuar për organizimin e koncertit të artistit amerikan Kanye West. Ai e krahasoi këtë me financimin e etapës së Giro d’Italia në Shqipëri, për të cilën pretendoi se qeveria shpenzoi 7 milionë euro.

Berisha ngriti gjithashtu akuza se ministrive dhe shkollave u është kërkuar të hartojnë lista me punonjës dhe nxënës për të marrë pjesë në koncert, duke pretenduar se biletat nuk janë shitur sipas pritshmërive.

“Rama po jep miliona euro nga fondi i emergjencës për një koncert që të sfumojë urrejtjen ndaj tij, ky është akt i rëndë dhe i papërgjegjshëm.

Edhe dy fjalë për ta mbyllur. Për 4 milionë euro, të marra nga fondi i emergjencës së një vendi me potenciale të mëdha zjarri, për një këngëtar, kjo përbën në mënyrë absolute një nga aktet më të rënda, më të papërgjegjshme.

Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave përdoret vetëm në emergjenca kombëtare. Por Edi Rama ka shtrirë fondin rezervë në llogarinë e tij personale.

Më 10 dhe 11 maj të vitit 2025, ai i dha Giro d'Italia 7 milionë euro, para të taksapaguesve shqiptarë për të grabitur votat e qytetarëve, për të gënjyer e mashtruar qytetarët për vota.

Dhe tani, në këtë moment të vështirë të urrejtjes së përgjithshme popullore ndaj tij, të shpërthimit të zemërimit të përgjithshëm kombëtar ndaj tij, të shqiptarëve kudo që ndodhen, ai përpiqet të sfumojë sentimentet armiqësore me koncertin e një këngëtari shumë të njohur, por që ka edhe ai problematikat e tij në deklarime dhe në vlerësime.

Sidoqoftë, nuk kam asgjë kundër koncertit të tij, por nuk pranoj kurrë që ai të bëhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ky është një akt që e bën vetëm një njeri që është i aftë për të shpëtuar lëkurën e tij të marrë çdo vendim.

Ju informoj se të gjitha ministritë dhe shkollat kanë bërë listat për të dërguar punonjësit dhe nxënësit në koncert, mbasi biletat nuk janë shitur. Pra, përveç 4 milionëve do të jenë edhe disa milionë të tjera, se punonjësve do t'u mbahen në rroga ato bileta.

Që do të paguhen për koncertin me të cilin Edi Rama beson se duke u përqafuar me Kanye West do të mund të përmirësojë imazhin e tij të shkatërruar, do të mund të qetësojë urrejtjen e përgjithshme që buron nga shpirti dhe zemrat e shqiptarëve ndaj tij”, tha Berisha./ CNA





Lajmet e fundit nga