LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ypi denbabaden

26 Qershor 2022, 14:12, Opinione Edison Ypi
Ypi denbabaden
Edison Ypi

Qysh fëmijë e dija se për shkak të kushërinjve të arratisur ose në burgje dhe internime, mbiemri Ypi ishte sa i lavdishëm dhe problematik.

Kur isha nja 10 vjeç, një mbrëmje dimri, daja që kishte ardhur për vizitë, i tha babait:

-Po të merr më qafë mbiemri Ypi. Ruaje veten, familjen. Na ruaj dhe ne të tjerët. Ndërroje mbiemrin.

-Si ta bëj?, - e pyeti babai me qesëndi.

-Bëje "Shkëmbi".

Fisniku, aristokrati, patrioti, eruditi, folësi i disa gjuhëve të huaja, anglofili që katër fëmijëve nuk ua vuri emrat Hasan e Hysen, Merjem e Myzejen, por Dezdemona, Elizabeta, Edison, Eduard, ju përgjigj dajës me kërcënim:

-Kurrë nuk do ta ndërroj mbiemrin!

Ypi elegant me një rrokje dhe tre gërma, Ypi muzikor me dy zanore të pafundme dhe një bashkëtingëllore të butë në mes, Ypi misterioz me irracionalen "Pi" brenda; këtë Ypi ta bëje Shkëmb, nuk dukej keq. Mbase daja kishte të drejtë. Me ndërrimin e mbiemrit ndoshta rreziqet do të pakësoheshin, vuajtjet do të rralloheshin, do të merrnim frymë lirisht, nuk do të tmerroheshim ditët e kongreseve, nuk do të trembeshim ditën e parakalimeve, nuk do të na ngrinte gjaku ditën e votimeve. Në fund të fundit Edison Shkëmbi nuk tingëllonte keq. Por refuzimi i babait ishte, megjithatë, i arsyeshëm. Babai e kishte të qartë se pikërisht pse ishte delikat, muzikor, artistik, Ypi ishte më i fuqishëm se Shkëmbi.

Episodi me dajën dhe babain që refuzoi ta ndërronte mbiemrin, më mbeti në përfytyrim si një varkë në mes të oqeanit, që ulet e ngrihet, duket e të zhduket, por nuk mbytet.

E dija që në Durrës jetonte Esat Ypi. E dija gjithashtu se Esat Ypi nuk ishte kolonjar, pra nuk e kishim kushuri.

Në botë Ypi kishte vetëm në Starje, në Kolonjë. Si ishte e mundur që Esati, pa qenë kushuriri ynë, ta kishte mbiemrin Ypi?!

Misterioziteti kërcënues i Ypit të rrethuar me internime, burgosje, pushkatime, varje në litar, po aq sa na pengonte ne ta pyesnim Esat Ypin, pamundësonte dhe Esat Ypin të na spjegonte ne pse e mbante atë mbiemër.

Mirë ne që rrota e proletariatit nuk na lejonte ta luanim bishtin nën mbiemrin llaftarisës, po Esat Ypi pse nuk e ndërronte vallë mbiemrin kërcënues, por i kishte thënë byrum belasë dhe vazhdonte të vuante nën rrotën diktatoriale?

Një ditë, të vërtetën ma zbardhi vetë Esat Ypi.

Më 20 janar 1920 duke dalë nga zyra, rrëfen Esat Ypi, vranë pabesisht ideatorin e Kongresit të Lushnjes, avokatin Abdyl Ypi. Në varrimin madhështor e mori fjalën babai i Esat Ypit, Asllani. Në fund të ligjëratës, Asllan Ypi u tha të pranishmëve:

Abdyl Ypin e kisha mik për shpirt, e kisha vëlla. Si Abdyl Ypi edhe unë, për armë kam lapsin dhe librin, për ideologji patriotizmin, për atdhe Shqipërinë, për mbrojtës të madhin Zot. I them dorës kriminale që e goditi Abdyl Ypin, juve që jeni këtu, përmes jush edhe gjithë shqiptarëve, se prej këtij çasti nuk quhem më Asllan Demiri, por Asllan Ypi.

Gjatë diktaturës Asllan Ypi i refuzoi këshillat e përsëritura të miqve për ta ndërruar mbiemrin.

Vizionari patriot Asllan, për t'u vllazëruar me idhullin e tij të vdekur, intelektualin patriot Abdyl Ypi, nuk prenë gishtat dhe pinë gjakun e njëri-tjetrit, por diçka shumë më madhështore se gjakpirja, diçka unikale në historinë e botës dhe njerëzimit, i mori Abdyl Ypit mbiemrin. Asllan Ypi vuajti, por mbiemrin sa të rrezikshëm po aq të bukur dhe të lavdishëm nuk e ndërroi kurrë, për asnjë arsye, për asnjë çmim.

Esat Ypit, sa më tepër vuante aq më i dashur i bëhej mbiemri i adoptuar prej babait vizionar Asllan Ypi.

Peripecitë sfilitëse të Esat Ypit dashuruar pas mbiemrit të lavdishëm po aq sa dhe babai i tij, vazhduan edhe pas shembjes së diktaturës.

Mbiemrin Ypi nuk e ndërroi Asllani edhe po ta varje.

Nuk e ndërroi babai im që e kishte të vetin, edhe po ta vrisje.

Nuk e ndërroi Esati që e trashëgoi nga Asllani, edhe po ta pushkatoje.

Nuk do ta ndërrojë kurrë, askush, për asnjë arsye.

Ypi vuajti. Ypi u rropat. Ypi u përpëlit. Por Ypi nuk vdiq. Ypi kurrë nuk do të vdesë. Ypi nuk është mbiemër. Ypi është Frymë.

Për inat të hyzmeqarëve qëllimi i vetëm i të cilëve është të bëhen bejlerë, Ypi që Bej ka qenë, Bej është, Bej do të jetë, do të trashëgohet dhe huazohet pa fund, nga brezi në brez, denbabaden.

15:53 Opinione Ilir Levonja

Edi Enver Rama

Shqiptarë dilni e protestoni, boll u morët me idiotizm...

19:16 Opinione Lutfi Dervishi

Asgjë e re nga Brukseli!

Sot ukrainasit dhe moldavët kanë arsye për t’u festuar nës...

13:31 Opinione Aleko Pollo

Edhe luanët plaken!

Teksa ndiqja mbrëmë koncertin e Janis Parios në Tiranë, m'...

18:04 Opinione Ilir Levonja

"Jo"-ja e radhës

Edi Rama sapo i doli përpara "jo"-së së radhës së Bash...

Lajmet e fundit nga